PRISHTINË, 13 Shtator /ATSH-B.Jashari/.-"Zgjidhja është brenda Kuvendit të Kosovës",  deklaroi sot presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, lidhur me zhvillimet për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.
"Ftoj edhe njëherë deputetët dhe subjektet politike të veprojnë dhe gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit dhe veprimet e tyre të jenë ashtu siç e kërkon Kushtetuta, vendimi i Gjykatës si dhe siç e meriton ky proces", tha Jahjaga.
Presidentja kosovare i është përgjigjur interesimit të medias gjatë aktivitetit në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore 2014. Së bashku me ambasadorin britanik, Ian Cliff, Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tim Cartwright, pas një udhëtimi me tren nga kryeqyteti kosovar, vizituan një numër monumentesh kulturore në Pejë.
"Besoj se Kosova do të lëvizë shpejtë sa i përket situatës politike, gjithçka ka të bëjë me një proces demokratik", u shpreh Përfaqësuesi i BE-së, Zbogar.
"Ne kemi pasur zgjedhje të mira, është stopuar në formimin e institucioneve, patëm një pyetje në gjykatë, që është demokratike edhe për vendet e tjera. Do të shohim se çfarë do të ndodhë javën tjetër, ne nuk kemi ndërhyrë, nuk duam të ndërhyjmë dhe Kosovës nuk i nevojitet të ndërhyjmë", citohet Zbogar nga media.
Edhe ambasadori Cliff theksoi se "ne nuk do të përfshihemi në këtë proces".
"Sa i përket Britanisë së Madhe, ne e kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial, por nuk është puna e jonë të themi se kush do të jetë kryeministër e kush kryetar Kuvendi. Këto gjëra i përkasin politikanëve kosovarë për t'i zgjedhur", citohet Cliff.
Ai shtoi se zakonisht këto gjëra sqarohen në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa i ka ftuar të gjithë që ta mbështesin këtë gjykatë.Të enjtjen pasdite në njoftimin zyrtar dërguar nga Kuvendi kosovar bëhej e ditur se pas një takimi konsultativ të kryesuese së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, me nëntë subjekte politike të Kuvendit të Kosovës (PDK dhe tetë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë), është vendosur që vazhdimi i seancës konstituive, i thirrur për të premten të shtyhet për të enjten e ardhshme, më 18 shtator.
Duke folur gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga theksoi se ishte një axhendë e ngarkuar e vizitave në monumente kulturore dhe inkurajoi qytetarët e Republikës së Kosovës për të vizituar këto monumente kulturore, si Patriarkanën e Pejës, Muzeun Etnologjik, Xhaminë e Qarshisë e të tjera./k.s/