/ATSH/.- Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, gjatë një takimi sot me Ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, biseduan për finalizimin e marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë, intensifikimin e politikave e shkëmbimit të përvojave kulturore dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve.
Gjatë takimit, ministri Shala tha se "është i gatshëm për finalizimin e marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë dhe më pas të shkëmbimit të programeve konkrete kulturore për bashkëpunim të ndërsjellë".
Gjithashtu, Shala, i bëri të ditur ambasadorit kroat se MKRS-ja është e gatshme të përkrahë projektet konkrete që vijnë si kërkesë e ambasadës kroate në kuadër të promovimit, zhvillimit dhe avancimit të shkëmbimit të përvojave të përbashkëta të dy vendeve.
Ambasadori kroat, Zoran Vodopija, duke e falënderuar ministrin për gatishmërinë e ofruar për thellimin e bashkëpunimit, theksoi se edhe për Kroacinë është e mirëpritur finalizimi i marrëveshjes kulturore mes dy vendeve.
"Kroacia vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në të gjitha proceset e shtetndërtimit, veçanërisht në kuadër të kontributit për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar", tha ambasadori Vodopija duke shprehur gjithashtu kënaqësinë për arritjet e Kosovës në këtë proces./KosovaPress/