Kosova në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, anëtarësohet në cilësinë e vëzhguesit


PRISHTINË, 30 Nëntor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova u anëtarësua, në cilësinë e vëzhguesit, në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, gjatë punimeve të samitit të shteteve anëtare dhe vëzhguese, në Senegal. Sipas njoftimit dërguar nga Presidenca kosovare, në samit morën pjesë një numër i madh udheheqësish nga vende të ndryshme të botës, në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Francës, Fransua Hollande, ndërsa nga Kosova Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
"I jam mirënjohëse secilit shtet anëtar të OIF për mbështetjen që i keni ofruar Republikës së Kosovës dhe konsensusin tuaj të vendosur që ta pranoni Kosovën në mesin tuaj. Duke e përfshirë Kosovën në këtë organizatë, ju shtuat edhe një përkrahëse të vlerave që avancojnë paqen dhe një zë më tepër që fuqizon dialogun dhe partneritetin si mënyrën e vetme për të gjetur zgjidhje për sfidat e së ardhmes që prekin secilin prej nesh",  është shprehur Jahjaga në samit.
Ndërsa në Facebook, Presidentja ka shkruar  se "falënderojmë shtetet e ONF që na mirëpritën në mesin e tyre", se  "do të punojmë për të thelluar marrëdhëniet me 80 anëtarët e saj" dhe se "ONF mbledh rreth vetes një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së që kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën frënge dhe 21 shtete anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës".
Kryeministri Hashim Thaçi në Facebook mbrëmë shkruante: "Një lajm i rëndësishëm për Kosovën sapo m'u kumtua nga Senegali! Pas një të gjatë fushate të shkëlqyer të lobimit të diplomatëve tanë - me ndihmën e Francës dhe miqve tjerë, sot Republika e Kosovës u bë anëtare e Organizatës së Frankofonisë, një organizmi të madh dhe të rëndësishëm botëror. Kosova tani njihet si anëtare vëzhguese e familjës së madhe botërore ku frëngjishtja flitet dhe respektohet, por me rëndësi është se tani jemi pjesë e këtij forumi global. Merci!". /a.ke/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë