PRIZREN - Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, do të jetë organizatore e "Natës amerikane" në DokuFest, që do të zhvillohet të hënën në mbrëmje (18 gusht) në Prizren.

Në njoftimin për shtyp të kësaj ambasade theksohet se, këtë vit Ambasada e SHBA-së është krenare që ka sjellë Revynë e Filmave Amerikanë (AFS - American Film Showcase) në DokuFest.

Në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë Jugore, Revyja e Filmit Amerikan do të prezantojë një program të përbërë nga 15 dokumentarë amerikanë të shpërblyer, të cilët kanë si temë diversitetin dhe shoqërinë civile.

Përmes Revysë së Filmit Amerikan, Ambasada e SHBA-së po ashtu sponsorizoi vizitat në Kosovë të David France, i cili ishte nominuar për një Oskar për dokumentarin 'Si të mbijetohet nga murtaja"; dhe të Claire Aguilar, një kuratore filmi, montazhere dhe redaktore mediale që ka përvojë 20-vjeçare në mediumet publike. Gjatë DokuFest-it France dhe Aguilar do të mbajnë një sërë ligjëratash, dhe intervistash.

Në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës, nga datat 16-24 gusht do të mbahet DokuFest, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër me pjesëmarrje nga 56 shtete. Sipas organizatorëve, nga numri rekord prej 2.400 filma që kanë aplikuar, festivali për këtë edicion të 13-të ka përzgjedhur të shfaqë 237 filma, në kuadër të gjashtë programeve garuese dhe programeve të tjera speciale. DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit në një kryeqytet filmi çdo verë./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)