Bedri Hamza ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin ua ka njoftuar këtë të mërkurë anëtarëve të Kryesisë së partisë, duke i hapur rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda saj.

Në një konferencë për mediat, Hamza tha se çdo drejtues duhet të dijë jo vetëm kur të marrë përgjegjësi, por edhe kur është momenti për t’u larguar.

Ai theksoi se drejtimin e PDK-së e kishte marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj partisë dhe jo për ambicie personale politike. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është përqendruar te ruajtja e unitetit brenda forcës politike.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, deklaroi Hamza.

Ai tregoi gjithashtu se kishte pritur që pas 16 shtatorit drejtimi i partisë t'u rikthehej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodheshin në Hagë.

Megjithatë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vite burg nën akuzat për krime lufte.

Hamza tha se përpjekjet për drejtësi lidhur me këtë proces do të vazhdojnë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:56
Kush do ta marrë drejtimin e PDK-së pas largimit të Bedri Hamzës? Këto janë tre emrat që pritet të hyjnë në garë

Tre figura të Partisë Demokratike të Kosovës pritet të garojnë për postin e kryetarit, pas vendimit të Bedri Hamzës për t'u larguar nga drejtimi i partisë. Bëhet fjalë për Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Përparim Grudën.

Sipas mediave në Kosovë, procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri do të mbikëqyret nga Vlora Çitaku.

Hoxhaj ka kohë që po përpiqet të rikthehet në krye të PDK-së. Ai drejtoi partinë pas dërgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Hagë. Rezultati i PDK-së në zgjedhjet e vitit 2021, gjatë drejtimit të tij, ishte i dobët ndërkohë që partia po kalonte një nga periudhat më të vështira.

Bedri Hamza e mori drejtimin e PDK-së pas atij rezultati zgjedhor. Gjatë drejtimit të tij, partia arriti të ndalte rënien e mbështetjes dhe të shënonte një rritje modeste.

Megjithatë, në zgjedhjet që pasuan nuk shënoi përparim të ndjeshëm.

Mediat në Kosovë thonë se Hamza u përball me më shumë procese zgjedhore sesa kishte parashikuar, ndërsa PDK-së iu desh ta zhvillonte aktivitetin politik në kushtet kur ish-drejtuesit e saj, Thaçi dhe Veseli, ndodheshin në Hagë.  Kjo shihet si arsye pse ai vendosi të largohej pasi arriti në përfundimin se qëndrimi i mëtejshëm në krye të partisë nuk do ta ndihmonte PDK-në.