/ATSH/.- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës ka filluar sot një fushatë vetëdijësuese dhe informuese për resurset pyjore të Kosovës.
Sipas KosovaPress, kjo fushatë, që do të zgjasë një muaj, po bëhet në bashkëpunim me projektin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) për mbrojtjen e pyjeve të Kosovës, projekt ky që mbështetet nga Qeveria e Finlandës.
21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve ështëe përcaktuar me rezolutën e Kombeve të Bashkuara në nëntor të vitit 2012 dhe festohet çdo vit dhe në secilin vend të botës përmes aktiviteteve të ndryshme që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për mbrojtën dhe ruajtjen e pyjeve.
Ideja për shënimin e kësaj date ka nisur që nga viti 1971.
Fushata në Kosovë do të orientohet në ngritjen e vetëdijes qytetare rreth pasurive pyjore në Kosovë si dhe ruajtjen dhe shfrytëzimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë, fushata do të organizohet përmes emetimit të spoteve publicitare, organizimit të debateve publike dhe shpërndarjes së materialeve të printuara për nxënës dhe qytetarë. Mesazhet që do të dërgohen kanë të bëjnë me informacionet rreth resurseve dhe pasurive pyjore në Kosovë, shfrytëzimin e energjisë nga biomasa drusore dhe ndalimin e veprimeve ilegale nëpër pyje. Slogani i fushatës është "Pyjet janë Burim i Jetës".
"MBPZHR synon që përmes kësaj fushate të shpërndaj informacione për publikun e gjerë, me theks të veçantë për nxënësit e shkollave fillore dhe rininë, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve si pasuri kombëtare.
Krahas kësaj MBPZHR-ja po vazhdon të punojë në rritjen e efikasitetit në mbrojtjen e pyjeve dhe ripyllëzimin e tyre. Mbi 42 % e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje. MBPZHR shpreh mirënjohje të lartë për organizatën FAO dhe donatorin e projektit, Qeverinë e Finlandës, për mbështetjen në hartimin dhe realizimin e kësaj fushate", thuhet në komunikatë.