FSK (pamje arkiv)
PRISHTINË, 15 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Një njësit i FSK-së u nis sot për në Slloveni, ku do të marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët fushore "Përgjigjja e menjëhershme 2014? nën moton "Forca përmes partneritetit".
Në këtë stërvitje do të marrin pjesë 24 pjesëtarë të FSK-së me dy automjete speciale, një autoambulancë dhe një makinë kërkim-shpëtimi urban.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e Komandës së Forcave Tokësore, komandanti i FSK-së Gjeneral Lejtnant, Kadri Kastrati, tha se kjo është mundësi e mirë për të përfaqësuar FSK-në denjësisht në mesin e ushtarëve të shteteve mike dhe aleate, duke dëshmuar edhe një herë nivelin e lartë të përgatitjeve dhe kapacitetet trajnuese që janë bërë sipas standardeve të NATO-s.
Sipas Ministrisë së FSK-së, njësi dhe ushtarë pjesëmarrës në këtë ushtrim fushor janë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia Danimarka, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia dhe SHBA-të. Stërvitja e përbashkët do të zgjasë prej datave 17 deri në 30 gusht 2014./m.m/