PRISHTINË, 22 Mars/ATSH/.- Ndonëse numri i qytetarëve që po migrojnë në shtetet perëndimore ka rënë jashtëzakonisht shumë, numri i atyre që po kthehen vazhdon të rritet. Thuajse çdo ditë me dhjetëra qytetarë të Kosovës kthehen nga shtetet ku kanë migruar, meqë nuk u është dhënë azili për qëndrim.
Sipas KosovaPress, numri i të rikthyerve kishte ngjallur frikën se do të krijonte probleme sociale dhe varfëri në vend, meqë ata që migruan shitën pasuritë dhe hynë në borxhe.
Ndaj ishte parë e nevojshme krijimi i një fondi emergjent për të rikthyerit që migruan në gjashtë muajt e fundit. Por, megjithëse ekziston një fond për ata që riatdhesohen, nga ai mund të përfitojnë vetëm ata të cilët kanë migruar para vitit 2010.
Zyrtarët qeveritarë kanë premtuar shtimin e këtij fondi për të rikthyerit, sepse vala e kthimit është e madhe. Ndërsa opozita po e quan dështim të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një raportim më 2 mars para Komisionit për Integrime Evropiane, deklaroi se me rishikimin e buxhetit ka kërkuar të shtohej buxheti për të rikthyerit.
Migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës ishte mjaft i madh, sidomos në kohën e bllokadës institucionale, gjatë muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt. Qytetarët që migronin tregonin hapur se shkaku kryesor ishte gjendja ekonomike, ndërsa për të migruar qytetarët shitnin gjithçka që kishin, hynin në borxhe, madje linin edhe punën në të cilin merrnin deri në 300 euro, apo më shumë. /m.m/







