PRISHTINË, 12 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Ne Kosove po vazhdon fushata e korrje-shirjeve në mbi 84 mijë hektarë tokë të mbjellë me grurë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, kanë ndjekur sot ne mesdite parcelat ndërmjet fshatrave Hallaq i Madh dhe Rufc i Ri të komunës së Lipjanit, ku kanë monitoruar nga afër korrje-shirjet.
"Në Kosovë janë rreth 84 mijë hektarë të mbjella me grurë, rreth 44 mijë hektarë janë të mbuluara me subvencione, që është një kontribut shumë i madh", tha Mustafa.
Kryeministri po ashtu bëri të ditur se këtë vit janë shpërndarë subvencione në vlerë rreth 6 milionë e gjysmë vetëm për grurë, ndërsa në përgjithësi për bujqësi janë dhënë subvencione në vlerë 23 milionë, ndërsa grande edhe 20 milionë të tjera. "Është një përkujdesje shumë e madhe e qeverisë së Republikës së Kosovës për prodhimtarinë primare bujqësore. Ne dëshirojmë që edhe më tej të nxisim prodhimtarinë, dëshirojmë që edhe më tej të përpunojmë produktet bujqësore dhe të arrijmë që të zëvendësojmë për aq sa është e mundur importin me prodhimtarinë bujqësore dhe atë ushqimore vendore", theksoi kryeministri Mustafa.
Ndersa ministri i Bujqësisë, Krasniqi, tha se "Pritet që të kemi një rendiment në mes 3.5 deri në 4 tonë për hektar. Besojmë se do të arrijmë këtë vit që të kemi rreth 75-80 për qind të konsumit të mbuluar. Nevojat e Kosovës, sipas vlerësimeve që i bën dhe Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë, janë rreth 400 mijë tonë, ndërsa ne këtë vit besoj të arrijmë së paku 300 mijë tonë ta kemi prodhimtarinë. Do të thotë se ende nuk mund ta mbulojmë 100 për qind, për këtë duhet që të kemi edhe 25 mijë hektarë shtesë me kultivim të grurit", tha ai. /i.v/ /a.ke/












