PRISHTINË, 2 Prill/ATSH/.- Dita botërore e Autizmit, e gjen Kosovën pa asnjë të dhënë të saktë për numrin e fëmijëve me autizëm. Kjo për arsye se asnjë nga komunat e Kosovës nuk ka treguar ndonjëherë shifra zyrtare.
Sipas KosovaPress, për shkak të mungesës të mjeteve të nevojshme për trajtimin e fëmijëve me autizëm, janë organizuar shoqata, organizata dhe fondacione të ndryshme që t'u ofrojnë sa më shumë kushte këtyre fëmijëve.
Në organizimin e shënuar për këtë ditë ishin mbledhur themeluesit Qendrës "Autizmi", Cen Krasniqi dhe Shpresa Gjaki, kryetari i Forumit Kosovar për persona me aftësi të kufizuara, Bujar Kadriu dhe po ashtu këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri.
Me këtë rast, drejtori i qendrës për fëmijët me autizëm, Cen Krasniqi tha se jemi në rrugën e duhur për të rritur sensibilizimin e shoqërisë ndaj kësaj sëmundje.
Kjo shoqatë ka qendra rajonale në Pejë, Prizren dhe Suharekë, ndërkohë që sot është hapur një qendër edhe në Lipjan. Së shpejti pritet hapja e qendrave të tjera në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.
Ndërsa këshilltari i ministrit të Arsimit, Guri, tha se një nga objektivat kryesore është edhe gjithëpërfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar.
" Në planin strategjik të arsimit të Kosovës, një nga objektivat kryesore është edhe gjithëpërfshirja, që nënkupton edhe përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. Politikat e ministrisë së arsimit janë që këta fëmijë të integrohen në sistemin e rregullt të arsimit parauniversitar", tha ai.
Ndër aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në këtë ditë është edhe mbledhja e fondeve për fëmijët me autizëm, që do të mbahet në Hotel Emerald.
Sot të paktën 1 në 88 vetë në botë diagnostikohen me autizëm duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku.
Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me koeficient inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor.
Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar./m.m/









