PRISHTINË, 3 Shtator /ATSH-B.Jashari/.- Shtatëmbëdhjetë prokurorë të rinj kanë berë betimin sot para Presidentes së Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Presidentes. Emërimi i këtyre prokurorëve është dekretuar nga Presidentja Jahjaga në 22 gusht 2014, njofton Presidenca kosovare.Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se propozimi për emërim ishte bazuar në një proces gjithëpërfshirës të vlerësimit dhe verifikimit. U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, pas betimit të 17 prokurorëve të rinj tha se sistemi prokurorial i Kosovës në vazhdimësi është duke punuar në shtimin e kapaciteteve njerëzore, në mënyre që puna e këtij sistemi të jetë sa më efikase dhe sa më e dobishme për qytetarët. Ai falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë sistemit prokurorial, ndërsa nga prokurorët e rinj kërkoi angazhim dhe përkushtim në detyrën e tyre të re. /a.ke/