PRISHTINË, 3 Shtator /ATSH-B.Jashari/.- Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e zhvilluar sot pasdite, ka miratuar katër vendime preliminare të shpronësimit të pronave të paluajtshme për nevoja të realizimit të projekteve kombëtare.
Dy vendime kanë të bëjë me shpronësimet e pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë - Hani i Elezit dhe rrugës nacionale Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë. Dy të tjerat janë vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri dhe vendimi preliminar për shpronësimin  e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i Qendrës Turistike Brezovicë.
Me propozimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, është aprovuar vendimi për kërkimin e autorizimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe forcave të sigurisë.Udhëzimi Administrativ për funksionimin dhe organizimin e Organizatave Joqeveritare është dokumenti i parë  i aprovuar në mbledhjen e sotme. Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës. /a.ke/