KOSOVË- Sot 27 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtuoi nisjen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e aleancave ndërkombëtare.

“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, shkroi ajo.

Në 27-vjetorin e sulmeve, edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit.

“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Millosheviqit—një fushatë që përfundoi me sukses, duke sjellë lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në të gjithë rajonin sot. Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO aleatë”, shkruan Begaj.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se ‘ky ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive’.

 

Në përvjetorin e 27-të të bombardimeve të NATO-s, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi

" 24 marsi 1999 mbetet një nga datat më të rëndësishme për Kosovën dhe paqen në rajon. Ndërhyrja e NATO-s ndali dhunën dhe spastrimin etnik të pushtuesit serb ndaj popullit shqiptar, duke hapur rrugën për liri dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Sot kujtojmë vendimin historik të Aleancës dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Nderim për të gjithë ata që vuajtën dhe luftuan për liri. Kosova e lirë është dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar dhe e qëndresës së një populli që nuk u dorëzua kurrë" shkroi ai.

Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali postoi gjithashtu një reflektim të fortë për 24 Marsin 1999, duke e cilësuar si një nga ato momente kur bota vendosi të mos rrinte më duarkryq përballë tragjedisë në Kosovë.

"Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë" shkroi ajo. 

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:48
27 vjet nga masakra e Kotlinës, Kurti: Krim çnjerëzor që ende pret drejtësi

Mëngjesi i 24 marsit 1999 në Kotlinë nisi me tanke, dhunë dhe terror mbi civilët. Në përvjetorin e 27-të, kryeministri i Kosovës Albin Kurti rikthen në kujtesë një nga masakrat më të rënda të luftës, duke denoncuar krimet dhe mungesën e drejtësisë për autorët. Në reagimin e tij , Kurti përshkruan me detaje ngjarjet e mëngjesit të 24 marsit 1999, kur forcat serbe rrethuan fshatin me tanke dhe mjete të blinduara, duke mbledhur me dhunë banorët në qendër dhe duke ushtruar keqtrajtim ndaj civilëve.

"Në orët e para të mëngjesit të 24 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Kotlinë me tanke dhe automjete të blinduara. Pjesëtarë të Brigadës së Mekanizuar 243 të Ushtrisë së Jugosllavisë, në bashkëveprim me njësite speciale të policisë, mblodhën me forcë banorët në qendër të fshatit, duke ushtruar dhunë dhe keqtrajtim ndaj civilëve të pambrojtur. Pasi i keqtrajtuan, forcat e armatosura serbe vranë mizorisht tre të moshuar, trupat e të cilëve më pas i dogjën, në një akt brutal çnjerëzor. Më pas, gratë, fëmijët dhe pleqtë u dëbuan me dhunë nga fshati, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan. Fshatin e shkatërruan pothuajse tërësisht, duke djegur shtëpitë, shkollën dhe ambulancën. 35 të rinj u morën peng dhe u dërguan drejt maleve, ku 22 prej tyre u vranë. Mes viktimave kishte edhe djem të moshës 16-17 vjeçare. Trupat e tyre u hodhën në puse të thella, dhe u mbuluan me eksploziv, në përpjekje për të fshehur krimin e kryer. Gjashtë muaj më vonë, në shtator të vitit 1999, ekipe të mjekësisë ligjore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), kryen ekzaminime në terren dhe dokumentuan varreza masive në këto puse, duke ofruar prova materiale për vrasjet dhe përpjekjet për fshehjen e tyre. Edhe pse ish-gjenerali i policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, një nga përgjegjësit, është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë të kësaj masakre nuk janë përballur ende me drejtësinë. Në përvjetorin e 27-të, kujtojmë me dhimbje dhe nderim të gjithë të vrarët e Kotlinës. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës" shkroi Kurti. 

 

Ora 13:34
'24 Marsi ndryshoi fatin e Kosovës', Peleshi: NATO ndali spastrimin etnik dhe hapi rrugën e lirisë

Në përvjetorin e 27-të të bombardimeve të NATO-s, kreu i Kuvendit Niko Peleshi ka reaguar me një mesazh përkujtimor, duke e cilësuar 24 Marsin 1999 si një nga datat më të rëndësishme për Kosovën dhe gjithë rajonin.

Peleshi thekson se ndërhyrja e Aleancës i dha fund dhunës dhe spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke hapur rrugën drejt lirisë dhe së ardhmes euroatlantike të vendit.

" 24 marsi 1999 mbetet një nga datat më të rëndësishme për Kosovën dhe paqen në rajon. Ndërhyrja e NATO-s ndali dhunën dhe spastrimin etnik të pushtuesit serb ndaj popullit shqiptar, duke hapur rrugën për liri dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Sot kujtojmë vendimin historik të Aleancës dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Nderim për të gjithë ata që vuajtën dhe luftuan për liri. Kosova e lirë është dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar dhe e qëndresës së një populli që nuk u dorëzua kurrë" shkroi ai.

 

Ora 12:19
24 Marsi, dita që ndryshoi historinë/ Spiropali kujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

Në 27-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj regjimit serb, ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali vjen me një reflektim të fortë për 24 Marsin 1999, duke e cilësuar si një nga ato momente kur bota vendosi të mos rrinte më duarkryq përballë tragjedisë në Kosovë.

"Më 24 mars 1999, bota demokratike bëri diçka që nuk ndodh shpesh në histori. Vendosi të mos presë më. Bombardoi.

Kosova po zhbëhej para syve të botës dhe ndërhyrja nuk erdhi si luks i fuqisë, por si detyrim i ndërgjegjes. Ishte momenti kur Perëndimi nuk e mati veten me interes, por me përgjegjësi. Dhe pikërisht për këtë arsye, 24 Marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.

Kjo nuk do të thotë se NATO e ka humbur fuqinë. Do të thotë se sot e ka më të vështirë ta kthejë fuqinë në vullnet. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia historike e asaj date. Na kujton një kohë kur aleanca nuk pyeti vetëm sa kushton veprimi, por edhe sa kushton mosveprimi.

Prandaj 24 Marsi nuk i përket vetëm kujtesës së Kosovës. I përket biografisë morale të NATO-s. Sepse në Kosovë, aleanca nuk mbrojti vetëm një popull. Mbrojti kuptimin e vetes.

Sot, 27 vjet më pas, kjo datë është krahasim. Bota është më e ndarë, vendimet më të ngadalta, ndërhyrja nuk është më refleks, por dilemë. Por 1999 mbetet provë e pashlyeshme: kishte momente kur neutraliteti nuk ishte paqe, por dorëzim.

Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë.

24 Marsi mbetet. Edhe kur gjithçka tjetër lëviz."

 

Ora 12:07
'Kosova nuk harron!' Osmani përkujton 27 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë: Aleancat që mbrojnë lirinë duhen ruajtur si vetë liria!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e aleancave ndërkombëtare.

Në një postim në Facebook, Osmani rikthen momentin kur, sipas saj, Kosova po përballej me rrezik ekzistencial dhe ndërhyrja e NATO-s ndryshoi rrjedhën e historisë.

“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, shkruan ajo.

Krahas mesazhit, Presidentja ka ndarë edhe një pjesë nga fjalimi i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili në atë kohë dha urdhrin për nisjen e fushatës së bombardimeve.

 

Ora 11:50
27 vjet nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Meta: Ditë historike, ai mision ndryshoi historinë e Ballkanit përgjithmonë

 

 

Ish-presidenti Ilir Meta në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, duke u shprehur se Kosova është sot jo vetëm shtet i pavarur por edhe faktor paqeje e stabiliteti.

Postimi i plotë:

Si sot, 27 vite më parë NATO nisi bombardimet për të ndaluar genocidin e Sllobodan Millosheviçit për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e saj më 12 qershor 1999.

Sot, 27 vite nga ajo ditë historike u provua se ai mision i NATO-s, ishte i domosdoshëm dhe ndryshoi historinë e Ballkanit përgjithmonë.

Kosova është sot jo vetëm një shtet i pavarur dhe faktor paqeje e stabiliteti, por edhe një demokraci funksionale për t’u marrë shembull.

Mirënjohës përjetë SHBA, Britanisë së Madhe dhe gjithë vendeve të Aleancës që morrën atë vendim historik.

Prej 27 vitesh NATO është në Kosovë dhe tani është koha që Kosova të jetë anëtare e NATO-s.

Ora 10:32
27 vjet nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Begaj: Një fushatë që solli lirinë në Kosovë dhe paqen në rajon

1772048425_bajrambegaj.png

Foto:Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj përcolli sot një mesazh në 27-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Begaj shprehet se Shqipëria mbetet mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s

“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Millosheviqit- një fushatë që përfundoi me sukses, duke sjellë lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në të gjithë rajonin sot. Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s”, shkruan Begaj.

Ora 09:00
27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s ndaj forcave serbe, Hoxha: Moment përcaktues në histori, Kosova vijon rrugëtimin e saj drejt familjes euro-atlantike

1774339796_ferithoxha.jpg

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka ndarë një postim në rrjetin X në kuadër të 27-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe duke kujtuar rëndësinë e këtij momenti historik.

Hoxha shprehet se ky veprim dëshmoi se bota e lirë s’do të qëndronte duarkryq, ndërsa Shqipëria, edhe pse vetë përballej me sfida ekonomike, hapi dyert për të mirëpritur refugjatët. Ministri vlerëson përparimin e Kosovës që tashmë është e lirë dhe e pavarur që sot vijon rrugëtimin drejt NATO-s. Gjithashtu ai thotë se Shqipëria sot është anëtare krenare e NATO-s, nderon viktimat, rezistencën ndaj shtypjes dhe ndihmën e partnerëve e aleatëve që bënë ndryshimin.

Njëzet e shtatë vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente. NATO ndërmori Operacionin Allied Force për të ndalur fushatën brutale të dhunës dhe spastrimit etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milošević kundër shqiptarëve në Kosovë. Ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive.

Në atë moment vendimtar të historisë sonë, Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e saj pa asnjë hezitim. Pavarësisht sfidave të veta ekonomike, Shqipëria priti refugjatë dhe persona të zhvendosur në shtëpi, shkolla dhe komunitete. Të gjithë së bashku– institucionet dhe qytetarët kudo – u mobilizuan bashkarisht me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, në një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, i cili reflektoi jo vetëm një përgjigje humanitare, por edhe një ndjenjë të thellë historie të përbashkët dhe identiteti të përbashkët.

Sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ajo qëndron si një dëshmi e gjallë e qëndresës, sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm të popullit të saj. Nga plagët e luftës deri te forcimi i institucioneve demokratike, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm, duke konsoliduar vendin e saj si një aktor i përgjegjshëm në rajon dhe kontribuues për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Sot, Shqipëria qëndron si një anëtare krenare e NATO, Aleancës që ndali vdekjen dhe shkatërrimin dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë. Ne nderojmë viktimat. Ne kujtojmë guximin e atyre që qëndruan kundër shtypjes. Ne vlerësojmë rolin jetik të aleatëve dhe partnerëve që bënë ndryshimin në momentin më të rëndësishëm. Rruga e Kosovës vazhdon, me besim dhe vendosmëri, drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”, shkruan Hoxha.