Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë sot në tryezën e organizuar nga USAID, ND, dhe Grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës në kuadër të Javës së gruas në Kosovë. Lajmi bëhet i ditur në një postim në Facebook nga kryetari i Kuvendit, Veseli.
Qëllimi i aktiviteteteve të kësaj jave është sensibilizimi i të gjithë shoqërisë sonë për çështjen e barazisë gjinore, e cila përbën standard themelor për shoqëritë e zhvilluara demokratike, tha ai.
"Përveç pengesave politike, barazia gjinore në avancimin e saj, barrierat më kryeneçe i has në fushën e marrëdhënieve pronësore. Problem bazik në këtë fushë përbëjnë të drejtat e trashëgimisë pronësore që duhet t'i gëzojë gruaja", shprehet Veseli.
Kyetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, shpjegon se "Në vitin 2004, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për trashëgiminë, me anë të të cilit përcaktohet qartë barazia gjinore në këtë fushë. Por edhe ky ligj, si shumë ligje të tjera, janë ndeshur me praktikën e hendekut në mes miratimit të ligjit dhe zbatimit të ligjit, apo zbatimit jo të plotë të tij, kjo sidomos kur flasim për vendin e gruas në shoqëri".
Vesili i ka bërë një trajtim të veçantë të drejtës zakonore kur shprehet se "Ligjet e pashkruara të traditës zakonore e diskriminojnë gruan, jo vetëm duke i mohuar asaj të drejtën për të marrë pjesë në jetën publike, por edhe brenda vetë familjes, duke e përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë. E përjashtuar nga trashëgimia e pronës së prindërve dhe emri i gruas nuk figuron si titullare e pronës pranë emrit të bashkëshortit të saj. E keqja është se këto ligje të pashkruara ende ndikojnë gjerësisht në institucionet që kanë për detyrë të administrojnë të drejtën private dhe të drejtën e familjes. Gratë tona, nënat tona, motrat tona, në shumë e shumë raste kalojnë vite të tëra nëpër procedura gjyqësore në kërkim të të drejtave të tyre dhe në fund mbesin pa marrë drejtësinë e merituar". /atsh/