Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë ditën e sotme gjyqtaren e Beratit, Adelajda Gjuzi.

Lumturinë për këtë vlerësim, e ndau menjëherë më bashkëshortin e saj të cilit i dhuroi një puthje pa hezitim.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Gjyqtaria mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës së saj, ndërsa për profesionalizmin u relatua se nuk ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale.

Gjatë seancës dëgjimore të cilën zhvilloi ditën e enjte, Gjuzi dha shpjegime lidhur me dhurimet e kryera nga prindërit e bashkëshortit si dhe për dy garazhe të blera nga vjehrri, për të cilat u ngritën dyshime se mund të jenë prona të fshehura por Gjuzi e kundërshtoi këtë konstatim.

Adelajda Gjuzi përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Gjatë periudhës 2014-2015, Gjuzi ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë dhe është kthyer më pas në Berat në funksionin e gjyqtares.