TIRANË - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkonte nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Broci, dhe të konfirmonte në detyrë, anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Medi Bicin. KPK mori sot vendimin edhe për drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka. Rreshka u shkarkuar nga detyra pas problemeve që kishte me pasurinë e tij. Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja e Xhensila Pine, dha vendimin e marrë me shumicë votash, 3-0 pro shkarkimit të Brocit dhe po njësoj konfirmoi në detyrë Medi Bicin. 

Broci mban edhe detyrën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), organ ky i krijuar nga Reforma në Drejtësi për zgjedhjen e trupës së Gjykatës Kushtetuese. Vetë Broci mungonte në seancën e sotme ku pritej të jepej vendimi, ndërkohë që në seancën e pak ditëve më parë, KPK deklaroi se gjyqtari kishte mospërputhje në deklarimin e pasurisë. Sipas KPK-së, Broci kishte favorizuar një firmë ndërtimi e cila më pas dyshohet se i dha material ndërtimi në Shkodër.

Me shkarkimin e gjyqtarit Artan Broci, pozicionit i kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ngelet bosh. Broci ishte kryetar i këtij këshilli. Në seancën e kaluar, Broci tha se kishte dorëzuar të gjithë informacionin që duhej në KPK. Vendimi i KPK-së, e lë vendin me 4 anëtarë Gjykatën e Lartë, pas kolapsit me Gjykatën Kushtetuese.

DSIK dorëzoi një raport pozitiv përsa i përket figurës së gjyqtarit Bici, duke deklaruar se është i pastër; ka aftësi të zbatuese të ligjit dhe ka aftësi arsyetimi ligjor. Hetimi i DSIK ka hedhur poshtë edhe 15 denoncime nga ana e publikut. Nga ana e tij, Boci ka përgëzuar Komisionin për ekspertimin e bërë duke u shprehur më pas se shpreson për një rikonfirmim në detyrë. Bici është kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Pas vendimit të KPK-së, gjyqtari Medi Bici tha se ndihet i vlerësuar nga ky vendim. “Ndihem i vlerësuar. Kush e meriton të qëndrojë në sistem, kush jo, të largohet”- tha Bici.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:18
Nesër katër vendime për gjyqtarë dhe prokurorë, në datë 3 del para vettingut prokurori Dollapaj

Në datë 3 gusht do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Arben Dollapaj. Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër do të përballet me trupin gjykues që përbëhet nga; Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.

Ndërkohë që nesër do të jepen vendimet nga Komisioni i Vettingut për gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj në orën 09:00, në 09:15 për gjyqtaren Brunilda Kadi,  në orën 10:00 për prokurorin Besnik Muci dhe në orën 15:00 për gjyqtarin e Gjykatës Administrative Tiranë, Gentian Medja.

Ora 15:18
U shkarkua nga Vettingu, Artan Broci: KPK si komisarët politik të Kryeministrit, vendimi me urdhër politik

Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë ka reaguar ashpër pas vendimit të KPK që e shkarkoi atë nga detyra për shkak të pasurisë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Broci e quan KPK-në nën varësinë e Edi Ramës. Sipas tij, vendimi për shkarkimin është marrë me urdhër politik. Ai paralajmëron ankimimin e vendimit në KPA. 

Reagimi i Brocit
K.P.K si komisaret politik te kryeministrit nuk dolen dot nga urdherat politik. U provova se te ardhurat e mija jane te ligjeshme te konfirmuara nga Tatimet, kalova ne pikepamjen time te tre testet Pasuror, Profesional dhe Figuren por nuk kalova dot testin e nenshtrimit per ceshtje te caktuara dhe ate te Kryetarit te Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi.
Beteja ime ligjore do vazhdoje deri ne fund.

Ora 15:02
Vettingu 'djeg' kreun e Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka: Nuk justifikon pasurinë

Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka nuk kalon Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me trupë përbërëse Valbona Sanxhaktarin, Xhensila Pinen dhe Etleva Çiftjen, ka vendosur shkarkimin e Rreshkës për fshehje dhe pasuri të pajustifikuara. 

Pas këtij vendimi të KPK, ka reaguar avokati mbrojtës i Rreshkës i cili ka paralajmëruar ankimimin e vendimit. "Shkarkimi është i padrejtë. Do ta ankimoj këtë vendim. Dritan Rreshka i plotëson komponentët për të qenë prokuror"

Pasuria e Rreshkës
Relatorja e çështjes ka deklaruar në seancën e shkuar se Rreshka nuk ka burime të ligjshme për justifikimin e pasurisë. Dy kate të një shtëpie 131 metra dhe 166 metra me vlerë 2.5 milionë lekë, kanë si burim të deklaruar pasurie, paratë në emigracion dhe kreditë për të cilat ka mospërputhje të deklarimit dhe vlerës së kostos së kateve të shtëpisë.

Problemi i dytë me pasurinë e Rreshkës është blerja e disa obligacioneve me vlerë 7.9 milionë lekë për të cilat rezulton se nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare.