TIRANE - Komisioni Qëndror i zgjedhjeve vendosi t'i japë mandatet e deputetëve kandidatëve të listëts së LSI-së, ne zgjedhjet parlamentare te 2017-es, të cilët do të zëvëndësojnë deputetët nga kjo force politike, qe kanë djegur mandatet.

Aurora Mara në qarkun e Dibrës, Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj në Tiranë dhe Enver Roshi në Elbasan kanë pranuar që të marrin mandatin nga lista e LSI-së dhe u mndatuan nga KQZ pas verifikimit te formulareve te vetedeklarimit. Ata do të zëvëndësojnë Edmond Haxhinaston, Floida Kërpaçin, Endrit Braimllarin dhe Përparim Spahiun

Ditën e nesërme ata do të betohen në seancën plenare që do të zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë, në të njëjtën kohë kur opozita do të zhvillojë një protestë në ambientet e jashtme të tij.

Ndërkohë që Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI-së i quajti kandaidatët e listës që kanë pranuar mandatin e deputetit tradhtarë.

Kush janë deputetët e LSI që do të betohen nesër:

Aurora Mara ishte kandidate e LSI-së në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ajo ishte e dyta në listë pas ish-deputetit Përparim Spahiu, i cili ishte edhe udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës. 

Ylli Shehi u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2013 nën siglën e Partisë Republikane të udhëhequr nga Fatmir Mediu.Para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në, gjë e cila krijoi besimin për ta rikandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.  

Edmond Rrushaj ishte i nënti në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ai ka mbajtur më përpara detyrën e drejtorit të QSUT-së.

Enver Roshi ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik si edhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.

Procedura e emërimit të kandidatëve të listës në postin e deputetit

Deri më tani katër kandidatë nga lista e LSI-së pranuan të ulen në Kuvend në karriget e lëna bosh nga kolegët e tyre pas dorëheqjes së opozitës. Komisioni i Zgjedhjeve do të vijojë të kontaktojë dhe njoftojë të gjithë kandidatët në lista për tërheqjen e mandatit, dhe nga ky njoftim ata kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.

Sipas ligjit, ata përjashtohen vetëm kur përmbushet kjo procedurë, dhe këtu vihet në pikëpyetje nëse KQZ do të pranojë në bllok dorëheqje kandidatësh, siç PD ka dorëzuar dy ditë më parë dosjen me dorëheqje kandidatësh nga listat e PD, ende pa u shkuar thirrja nga KQZ. KQZ pret 10 ditë deri në momentin e dorëzimit të formularëve nga ana e kandidatëve, edhe në rast të mosdorëzimit të formularit, atëherë quhet refuzim i mandatit dhe rinisin njoftimet për kandidatët pasues në lista, deri në përfundim të të gjithë emrave në lista.

Ndërkohë që ditën e sotme edhe një kandidat nga listat e PD-së paraqiti formularin e vetëdeklarimit për pranimin e postit të deputetit. Lefter Maliqi, kandidat në qarkun e Beratit dërgoi sot në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, formularin e vetëdeklarimit, duke hedhur kështu hapin e parë drejt marrjes së mandatit të deputetit, pas dorëheqjes së deputetëve të opozitës.

Po sot, pas firmosjes së dorëheqjes disa ditë më parë, të Nard Ndokës, Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpalljen e vendit vakant të deputetit. Kështu, KQZ më tej do të njoftojë kandidatin pasues në listën e zgjedhjeve të 2017-ës, për të marrë mandatin e deputetit.