Funksionimi i partive politike për këtë vit, u kushton shqiptarëve afro 3.6 milionë euro.
Fondi publik do të ndahet nga KQZ javën e ardhshme, sipas një formule që peshon votat dhe mandatet e 11 majit 2025.
Nga thesi i madh do të përfitojnë financim gjithsej 17 parti politike, pjesa më e madhe e të cilave nuk garuan drejtpërdrejt në zgjedhje, por u integruan në listat e koalicionit të udhëhequr nga Sali Berisha.
Partia Socialiste kryeson listën me mbi 1.7 milionë Euro, e ndjekur nga Partia Demokratike me rreth 841 mijë Euro.
Por Sali Berisha është kujdesur që edhe aleatët e tij, ata që kanë një vend në parlament, por edhe ata që nuk kanë, të marrin një fond në total prej 600 mijë eurosh.
Kështu, Tedi Blushi do të menaxhojë 113 mijë euro të partisë së Lirisë, ndërsa aleatët më të vegjël që kanë nga një deputet në Kuvend, si PDIU, PBDNJ, PR dhe Partia Agrare Ambientaliste do të marrin nga 60 mijë euro. Po kaq para do të marrë secila nga partitë e tjera të koalicionit, të cilave Berisha nuk u garantoi dot karrige kuvendore. Kështu, nga 60 mijë euro do të marrin: Partia Demokristiane, Partia Lëvizja e Legalitetit, Fryma e Re Demokratike dhe Balli Kombëtar Demokrat.
Sali Berisha e realizoi këtë, duke detyruar deputetët e tij të deklaroheshin në Kuvend dhe në KQZ sikur u përkisnin partive aleate.
Para do të marrin në përputhje me votat e 11 majit edhe partitë e tjera parlamentare. 106 mijë euro do të shkojnë për PSD-në e Tom Doshit, 88 mijë euro për Mundësinë e Agron Shehajt, 74 mijë euro për Adriatik Lapajn dhe 65 mijë euro për partinë e Arlind Qorit.
Partia e Lulzim Bashës nuk mundi të siguronte mandat, por mori vota sa për të merituar 46 mijë euro, ndërsa Nisma Thurje do të marrë 42 mijë euro.
Vendimi pritet të zyrtarizohet nga Komisioneri Ilirjan Celibashi të martën dhe hap rrugën për financimin e aktiviteteve politike për këtë vit.
Komente












