Për mbarëvajtjen e këtij procesi komisioni qendror i zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat, sipas ligjit, shqiptarët të shkojnë të lirë e të votojnë këtë të diel.
Ndërsa ana ligjore e procesit diskutohet në tryezën e KQZ,administrimi i materialeve bëhet në terren.
Të shtunën e shkuar, praktikisht një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, mbërritën në Shqipëri fletët e votimit dhe materialet zgjedhore të cilat u printuan nga një kompani greke.
Gjithçka u krye nën masa të rrepta sigurie.
Pas këtij moment në Lundër aty ku u magazinuan fletët e votimit, administrate e KQZ u mor me përgatitjet për shpërndarjen e kutive të fletëve të votimit e të materialeve zgjedhore.
Për dy ditë me radhë KQZ, ka vijuar me procesin e shpërndarjes së kutive të fletëve e të materialeve zgjedhore, duke nisur nga qarqet e largëta e për ta mbyllur këtë të mërkurë me qarqet më afër Tiranës.
Këto kuti votimi do të shpërndahen në 90 KZAZ në të gjithë vendin. Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj konfirmon se procesi është I gjithi transparent për të gjithë aktorët dhe faktorët në vend.
Hoxhaj veçon si risi në këtë proces vendosjen e maskave me alfabetin brail në të gjitha qendrat e votimit për të verbërit.
Kutitë e fletëve të votimit e të materialeve zgjedhore do të shpërndahen në 5362 qendra votimi, nga të cilat 21 qendra konsiderohen të posaçme pasi do të vendosen nëpër burgje.
Specialisti pranë drejtorisë së logjistikës në KQZ Julian Bytyci thotë se gjithë procesi është monitoruar dhe ndjekur në mënyrë transparente që prej ditës së shtunë e deri më sot me kamera 24 në 24 nga subjektet politike dhe cdo palë që duhet të informohet për këtë proces.
Kutitë e fletëve të votimit dhe të materialeve zgjedhore janë shoqëruar nga makinat e policisë për tu shpërndarë nëpër rrethe. Në përputhje me kodin zgjedhor policia i ndjek këto automjete në distancën e kërkuar nga ligji.
Kompania greke që u kontraktua për printimin e fletëve të votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 qerhsorit ka prodhuar gjithsej 3 milion e 518 mijë e 657 fletë, 20 përqind më shumë se sa numri i zgjedhësve, ashtu sic e parashikon kodi zgjedhor për një proces zgjedhor.
Në këto kushte kqz siguron që kutitë e votimit do të jenë ditën e diel në cdo qendër votimi në të gjithë Shqipërinë dhe se administrimi I këtij procesi po kryhet konform ligjit elektoral dhe në transparencë të plotë.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com