Krasniqi te "5 Pyetjet": Protestat
për të treguar se shqiptarët s'thyen

TIRANË -  Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ftuar në studion e emisionit “5 pyetjet nga Babaramo” u shpreh se protesta në Kosovë kishte si qëllim për t’i treguar qeverisë dhe shefit të Listës Serbe, se nuk mund t’i thyeni shqiptarët dhe se nuk ishte vetëm për nënat gjakovare. Për Krasniqin këto protesta ishin mjet, pavarësisht se dikush i ka përdorur me qëllim. 

"Konsideroj që këto protesta ishin mjet, pavarësisht se dikush me qëllim i ka përdorur këto protesta. Kishin për qëllim për t’i treguar qeverisë dhe shefit të Listës Serbe, se nuk mund t’i thyeni shqiptarët, nuk ishte një fyerje vetëm për nënat gjakovare pasi termi që u përdor egërsira, është një term që politika serbe e ka përdorur 11 vjet."- u shpreh Krasniqi. 

Për Krasniqin një tjetër tallje nga ana e Jabllanoviç është edhe se deklaroi se nuk e dinte që ushtria serbe kishte bërë masakër.

Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u shpreh se arsyeja kryesore që e bindi të jepte dorëheqjen ishin 2 vendime të shpejta të Parlamentit, kryesisht ai për Trepçën që e bindi se ky Parlament do të marrë vendime me shpejtësi që nuk janë në interes të vendit.
 
 “Aq shpejt u hoq dorë nga ligji i parë për një ligj që nuk ishte asgjë tjetër vetëm, shtyrja e gjendjes për një kohë. Lehtësia me të cilën Kuvendi po merrte vendime për pasurinë më të madhe shqiptare ishte ai moment që më bindi se ky Parlament do të marrë vendime me shpejtësi që nuk janë në interes të vendit. Dhe në kohën time Kuvendi ka marrë vendime të ngutshme, pasi vendosin numrat. Kjo ka qenë ai moment që nuk mund të jesh në një ambient të tillë. Nuk ka asnjë debat, ndoshta ka të drejtë dhe pala tjetër, por ja pa u debatuar pa dhënë një shpjegim.”- tha Krasniqi.

Duke u ndalur te gjendja e Trepçës, Krasniqi deklaroi se gjendja nuk është e mirë, gjatë këtyre viteve ka pasur një qeverisje jo të mirë.

“Në çdo vend të botës mineralet janë pasuri e shtetit, e nuk privatizohen, e nëse kjo privatizohet si deri më tani atëherë dhe fati i Trepçës do të jetë si të gjitha shoqëritë e tjera që janë privatizuar.”- tha Krasniqi.
 
Për Krasniqin arsyeja kryesore e emigrimit masiv nga Kosova është  për shkak të gjendjes ekonomike, por edhe për probleme të tjera si ai i drejtësisë.

“Ndoshta njerëzit nuk e shohin ndryshimin e shpejtë dhe duan ta kenë një siguri më të mirë për jetën e tyre dhe për fëmijët. Një pjesë e mirë po ikën dhe më fëmijët.”- tha Krasniqi

Por Krasniqi shton se nuk mund të quhet ikje ilegale, pasi kosovarët kanë të drejtë të shkojnë në këto vende të Evropës.
 
Në lidhje me privatizimet në Kosovë, Krasniqi thekson se ato nuk janë bërë për zhvillim, pasi pasuria e përbashkët është grabitur nga grupe dhe individë.

“Kosova është një vend i vogël për të pretenduar për të rikthyer sistemin socialist, por është fjala që privatizimi duhet të jetë në shërbim të zhvillimit. Ky privatizim që është bërë nuk është bërë për zhvillim."- U shpreh Krasniqi.
  
jakup krasniqi babaramo

Intervista me Jakup Krasniqin
Gjatë ditëve të fundit jemi njohur për eksodin e dytë të kosovarëve, që sipër ironi të fatit kalojnë kufirin përmes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvendosen për në Hungari. Prej andej synojnë për në vendet e Evropës Perëndimore. Shifrat tregojnë për rreth 50 mijë të larguar…. Për se kaq dëshpërim në Kosovë?

Realisht është një fenomen që kërkon analiza më të gjithanshme për tu shpjeguar e gjithë kjo problematikë. Është një nga shpërnguljet më të dhimbshme të kombit tonë, për faktin se ne kemi pas shpërngulje që nga viti 1875 disa herë, kjo është më e dhimbshmja se po ndodh në 7 vjetorin e Pavarësisë. Kjo është ana më e dhimbshme e këtij fenomeni. Në Kosovë politika ta lidh me krizën gjashtë mujore institucionale, por është vështirë të pranohet ky variant për faktin se kriza në Kosovë është më e vjetër dhe më e thellë. Në këto 15 vite në Kosovë ka pasur shumë ndryshime, ka pasur dhe progres, por ka pasur dhe politika të gabuara. Këto politika kanë qenë në dy drejtime, në përdorimin ekonomik të vendit që lidhen me procesin e privatizimit të gabuar për të mos thënë të kriminalizuar. Në anën tjetër edhe sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar si duhet gjatë këtyre 15 viteve, dhe kur kihet parasysh kjo rezulton se ka dështuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njerëzve dhe për të mbrojtur pasurinë kombëtare. Nuk është shfrytëzuar ligji për të zhvilluar ekonominë e vendit. Këto dy segmente, kanë qenë kryesore që kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale e për më tepër të sistemi të drejtësisë.

Kur është krijuar kjo psikozë që të gjithë duan të largohen?
Kur mungon sundimi i rendit dhe ligjit, atëherë krijohen grupe të ndryshme trafikantësh që e shfrytëzojnë papunësinë e pakënaqësinë për përfitimet e tyre personale. Shteti nuk e kryen funksionin e vet si duhet. Në Kosovë flitet shumë se është ikje ilegale, në Hungari, në Gjermani, por nga Kosova nuk është e ilegale pasi ne me ligj e kemi të drejtën për të lëvizur lirshëm në Kosovë dhe jashtë saj. Nuk është ilegale sepse ata njerëz nga shtëpitë e tyre po shkojnë në stacione autobusi e pastaj kalojnë kufirin...
 
Është e nxitur nga shërbimet serbe?
Vështirë të thuhet se nga … ne nuk i kemi informacionet që mund të jetë dhe nga shërbimet serbe, por dihet që është një çështje e organizuar se njerëzve iu është thënë që do kenë një jetë më të rehatshme dhe më të mirë, në vendet e BE standardi i jetës është më i mirë. Rehatia është më e madhe, por nuk e di sa do ta kishte shkaktuar kjo pa një shtytje, ndoshta edhe mos Fushiq e Kosovës për t’iu gjetur punë këtyre njerëzve e ka sjellë këtë. Por nga të ikur ka dhe njerëz që janë në punë, nuk po kin vetëm ata që nuk kanë kushte për jetesë, por po kin dhe ata që …

Kjo si shpjegohet?
Kjo është një fenomen, ndoshta njerëzit nuk e shohin ndryshimin e shpejtë dhe duan ta kenë një siguri më të mirë për jetën e tyre dhe për fëmijët. Një pjesë e mirë po ikën dhe më fëmijët. Një stimulim që mund t’i ketë dhënë kësaj ikjeje është dhe formimi i koalicionit të madh, ta humbin shpresën për ndryshim njerëzit.
 
Ka njerëz që thonë se ky vend nuk bëhet?
Derisa është kjo ikje kaq e madhe dhe mund të jetë në bindjen e tyre se ky vend vështirë se bëhet.
 
Jeni kundër privatizimit në tërësi, apo kanë qenë privatizimet jo të duhura?
Shikoni këtu tek ne, kur njerëzit kërkojnë që privatizimi te jetë për zhvillim, ose ata që kanë ndikuar që ky proces i privatizimit të jetë ky që ishte, atëherë do që ta kthesh një ekonomi që është e dështuar. Kosova është një vend i vogël për të pretenduar për të rikthyer sistemin socialist, por është fjala që privatizimi duhet të jetë në shërbim të zhvillimit. Ky privatizim që është bërë nuk është bërë për zhvillim, pasuria e përbashkët është grabitur nga grupe dhe individë…

Cilat janë privatizimet e gabuara?
Privatizime të gabuara janë të gjitha… si ajo që është konsideruar si pasuri shoqërore, fabrikat apo dhe tokat. Edhe pasuria nëntokësore të keq privatizohet dhe kështu kjo ka bërë që të mos ketë një zhvillim, mos ketë një punësim të njerëzve dhe janë bërë politika të gabuara. Për shembull një privatizim i FeroNikel që as sot nuk e di se cili është interesi i Kosovës. Kur ka funksionuar më herët ka prodhuar 300 deri në 400 ton në muaj, ka pasur mbi 2500 punëtorë. Tani ka rreth 800 punëtorë. Tani është dyfishuar prodhimi, por Kosova nuk po fiton asgjë. Ka shumë privatizime të tjera që nuk kanë sjellë asnjë përfitim për Kosovën. Kemi që 15 vite nuk kemi ngritur kapacitete e termocentraleve. Kosova është e pasur me thëngjill, është në sipërfaqe. Interesa të ndryshme dhe të brendshme dhe të jashtme që kanë dashur ta shfrytëzojnë pasurinë e Kosovës dhe kanë penguar ndërtimin e kapaciteteve. Kjo ka bërë që edhe pse ka pasur mundësi nuk është bërë asgjë.

Posta të cilën ju e bllokuat kur ishit kryetar i Kuvendit…
Ajo është bllokuar dhe realisht ndoshta reagimi im ka qenë thelbësori, konsideroj që ka pasur dhe arsye të tjera. Blerësit ishin të brendshëm, nuk ishin strategjikë. Realisht posta është dëmtuar nga fillimi, është shtuar një operator i dytë, kjo ka qenë një gabim i madh. Edhe Serbia e shfrytëzon këtë pasuri kombëtare, tani bisedimet do të bëhen për operatorin telefonik. Nuk do të ketë të interesuar, dëmet janë bërë për interesa private.

Ky ishte shkaku i ndarjes suaj me Hashim Thaçin? Nga ato përgjimet edhe mbiemrin tuaj e ndryshoi…
Ato kanë qenë dhe më të hershme, ai ishte një kulm jam përpjekur dhe më parë të them pakënaqësitë e mia, të them shkaqet e keq qeverisjes. Kanë ardhur duke u trashur, gota mbushet dhe uji del jashtë saj.

Kur ka qenë moment që modeli i Thaçit nuk i përshtatej bindjeve tuaja?
Nuk është e rëndësishme se a i përshtatet bindjeve të mia. I kam thënë që vendi nuk qeveriset kështu, duhet të ndryshohet qeverisja dhe njerëzit që po përzgjedh nuk i do askush dhe duhet ta ndryshosh qeverisjen. Ky ishte në prag të zgjedhjeve të 2010. Pas zgjedhjeve që u vlerësuan si zgjedhje të vjedhura, kjo I ka kushtuar shumë, por hapi tjetër ishte zgjedhja e Presidentit, e ministrave, tregoi që po qeveriste me njerëz që nuk ishin bartës të politikës që ishim marrë vesh. Mu desh reagimi I parë në shkurt të 2011, përgjegjësia për qeverisjen tani e tutje qoftë e mirë është e Thaçit, qoftë dhe e keqe është e tij.

Nga gjithë protagonistët e UÇK-së i vetmi njeri që nuk ka mundur të likujdojë Thaçi është Kadri Veseli?
Në të gjitha subjektet politike shqiptare dhe në Kosovë dhe në Shqipëri e në Maqedoni, kur dikush bëhet kryetar bëhet i gjithë pushtetshëm dhe sa është gjallë nuk zbret nga skena politike. Ka ndonjë rast të rrallë, kjo ka ndodhur në PDK, kjo tregon mungesën e demokracisë në partitë politike. Nuk është vetëm PDK , ne e kishim të vështirë të pranonim se si qeverisej vendi me këta njerëz. Si rezultat i atyre politikave e kemi këtë gjendje qe e kemi sot në Republikën e Kosovës. Pas 15 vitesh njerëzit humbin besimin, shpresën.
 
jakup krasniqi babaramo

Shumë luftëtarë të UÇK-së që u bën dhe kryetar partie, me të marrë pushtet filluan të krijojnë antipatia në popull. Si e shpjegoni?
Populli ynë e ka një fjalë të urtë: “Po do ta njohësh një njeri, jepi pushtet”, kur ta merr njëri pushtet ka mundësitë për të treguar se kush është. I jepet mundësia për të bërë mirë, për vendin dhe popullin e vetë. Ta jep edhe mundësinë për të bërë keq për të tjerët dhe mirë për vete. Kanë krijuar ato që nuk i kanë menduar kurrë për vete, por kanë bërë shumë keq për zhvillimin e vendit të vet. Unë nuk kisha mund ta besoja para lufte nëse dikush thoshte se ju do ta merrni pushtetin e do të degjeneroni në këtë shkallë. E luftuam që vendi të kishte liri e populli pastaj do të vendoste se kush do ta drejtonte atë vend. Megjithatë jo vetëm në kohën tonë, por dhe në kohën antike janë njerëzit ata që e kanë fuqizuar dhe diktatorë të ndryshëm e ata janë kthyer kundër tyre. Është një fenomen njerëz që e kanë lakminë tepër të madhe për vete dhe kur lakmia bëhet e madhe vjen në këto situate që një vepër e madhe për të dhënë gjithçka për popullin e tyre, e tani bëhet plaçkitja e vendit në dëm të interesit kombëtar. Kjo është e dhimbshme e pasojat po i shohim të gjithë.
 
Pas largimit nga PDK krijuat Nismën, me 6 deputetë, dhe më pas dorëzuat mandatin, largoheni nga politika apo…? Përse ky vendim?
Ka arsye të ndryshme por nganjëherë vjen një moment dhe ndizet një shkëndijë, e kjo mund të zgjerohet. Jo që unë kam qenë shumë I kënaqur me rezultatin, por mënyra se si funksionoi Kuvendi i Kosovës me ligjin për Trepçën brenda një apo dy dite, u bënë dy ligje. Aq shpejt u hoq dorë nga ligji i parë për një ligj që nuk ishte asgjë tjetër vetëm, shtyrja e gjendjes për një kohë. Lehtësia me të cilën Kuvendi po merrte vendime për pasurinë më të madhe shqiptare ishte ai moment që më bindi se ky Parlament do të marrë vendime me shpejtësi që nuk janë në interes të vendit. Dhe në kohën time Kuvendi ka marrë vendime të ngutshme, pasi vendosin numrat. Kjo ka qenë ai moment që nuk mund të jesh në një ambient të tillë. Nuk ka asnjë debat, ndoshta ka të drejtë dhe pala tjetër, por ja pa u debatuar pa dhënë një shpjegim.

Cila është gjendja e Trepçës dhe cila është zgjidhja që po propozohet?
Gjendja nuk është e mirë, gjatë këtyre viteve ka pasur një qeverisje jot ë mirë. Gjendja nuk është ajo që ishte, krejt çështja është të bëhet një diferencim i asaj që ishte shoqërore, një diferencim nga pasuritë minerale. Gjithë tjetra mund të privatizohet, por jo pasuritë nëntokësore, duhet të bëhet një ndarje e mirë. Në çdo vend të botës mineralet janë pasuri e shtetit, e nuk privatizohen, e nëse kjo privatizohet si deri më tani atëherë dhe fati i Trepçës do të jetë si të gjitha shoqëritë e tjera që janë privatizuar. Vendimi ka qenë i imi, unë dua të jem aty ku ndihem mirë. Atje ku nuk ndihem mirë kam vështirësi për të mbajtur një përgjegjësi.
 
Për deklaratën e Jabllanoviç ndaj nënave gjakovare, dolën shumë njerëz në rrugë për të protestuar, të drejtuar nga VV por merrnin pjesë dhe Nisma e AAK. Si i gjykoni këto protesta?
Protesta duhet të jenë mjet për të ndihmuar zhvillimin e demokracisë, jo qëllim. Konsideroj që këto protesta ishin mjet, pavarësisht se dikush i me qëllim i ka përdorur këto protesta. Kishin për qëllim për t’i treguar qeverisë dhe shefit të Listës Serbe, se nuk mund t’i thyeni shqiptarët, nuk ishte një fyerje vetëm për nënat gjakovare pasi termi që u përdor egërsira, është një term që politika serbe e ka përdorur 11 vjet. Një ringjallje e një kohe të egër. Kjo është dhe si pasojë e bisedimeve të Brukselit dhe që janë bisedime që kanë për qëllim integrimin e komunitetit serb, por nuk ndodhi. Në nga jeta politike nga bisedimet e Brukselit nxorëm ata serbë që ishin integruar, sollëm një Listë Serbe që gjitha urdhrat i merr nga Beogradi që përveç pjesës veriore u shtri dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Morën një vetëbesim që ata mund të funksionojnë kudo në Kosovë me politikat e Beogradit. Ky Jaballanoviç ishte shefi i asaj Liste, e megjithëse kishte jetuat në Kosovë nuk e dinte që ushtria serbe kishte bërë masakër. Ishte një tallje tjetër. Qeveria dhe kryeministri nuk e kishte fuqinë për t’i thënë asnjë fjalë vartësit të tij. U desh që fusia të vinte nga qytetarët dhe qytetarët e bënë atë, protestuan deri sa e detyruan kryeministrin për të larguar Jabllanoviç. U kujdes dhe në fjalor, tha nuk do të jetë më pjesë e qeverisë. Kjo ishte një fitore e qytetarëve.

Thatë se nuk ju pëlqen rezultati i bisedimeve të Brukselit, a mendoni se ato bisedime kanë qenë një lëvizje taktike që serbët të pranojnë Pavarësinë e Kosovës dhe e dyta tërësinë territorial të saj?
Ne në politikë nuk kam thënë që Prishtina nuk duhet të zhvillojë bisedime, por një gjë dihet që ky rezultat i këtyre bisedimeve ne tërësinë tyre nuk e dimë për se janë marrë vesh. Kanë qenë mjaft jo transparence sidomos pala jonë. Janë bërë publike në mënyrë sipërfaqësore. Kam qenë I bindur që bisedimet politike nuk do duhet të ndaheshin, por të vazhdonin me bisedime teknike. Bisedimet politike bazën duhet ta kishin tek dokumenti i Ahtisarit. E kemi vështirë ta ruash këtë pako, është hapur në disa fusha, si në drejtësi dhe e policisë…
 
Çfarë të keqe ka kjo marrëveshje e drejtësisë?
Ata vazhdimisht thonë se ne e pranojmë Serbinë dhe për ne është Serbia ajo që na drejton dhe orienton. Kështu janë dhe në shumë drejtime. Bisedimet për bashkësinë serbe, që nuk është e njëjta gjë. Është një lloj shoqate pa asnjë lloj kompetencë ekzekutive. Këto komuna mund të marrin qëndrime të përbashkëta, por nëse janë komuna fqinje. Kjo bashkësi ne e kemi në ligj, nëse është kaq e thjeshtë atëherë pse duhet të bisedojmë. Ka shumë për t’u nënkuptuar e dëshiruar, e shumë marrëveshje të përfunduara në Bruksel nuk kanë sot ndonjë zbatim serioz. Edhe në këtë rast është një gabim, bisedimet duhet të zhvillohen për serbët e Kosovës për disa të drejta të tjera, atëherë duhet të bisedohet dhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo çështje është lënë në heshtje. Qëllimi i këtyre bisedimeve, nëse do ishte arritur normalizimi i marrëdhënieve do të ishim OK. As sot e kësaj ditë nuk ka gadishmëri nga pala serbe për të normalizuar marrëdhënien me Kosovën as dhe më shqiptarët, mjaftoi një dron dhe e pamë se çfarë reagimi erdhi nga Beogradi madje dhe nga zyrtarët më të lartë të politikës serbe.

6 muaj Kosova ngeli pa qeveri…kjo qeveri a e pasqyron vullnetin e zgjedhësve?
Nëse kemi parasysh vullnetin e Mustafës dhe Thaçit, ata numrat i kanë. Mund të thuhet se është vullnet i qytetarëve, por nëse kemi parasysh një fakt për ditën që është lidhur marrëveshja e LAN qytetarët kanë festuar në rrugë. Ka qenë një vullnet i qytetarëve për një ndryshim qeverisje. LAN-i ka pasur numrat, 84 deputetë pa komunitetet. Nuk duhej të pengohej koalicioni. Edhe pse Gjykata Kushtetuese sjell një valë dëshmish për disa vende të Evropës, kur partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet ka mbetur në opozitë dhe parti të tjera që kanë dalë të vogla por që kanë bashkuar forcat kanë dalë në qeverisje. U përdor dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pastaj erdhi ngërçi që zgjati shumë. Kur të kapen institucionet atëherë secili flet me një zë. Ky koalicion ka numrat, por nuk e ka vullnetin e qytetarëve as të atyre që janë…
 
Si u formua LAN-i?
Ishte një vullnet i të gjithëve. Rol të rëndësishëm ka pasur dhe Nisma. Pas një kohe u përfshi dhe VV, që nga program i vet hoqi shumë gjëra. Gjykata dha atë vendimin e famshëm, ishte dhe gatishmëria e LDK për tu bërë kryeministër. Një rol të rëndësishëm e ka faktori ndërkombëtar. Gjermania ka pasur një rol të rëndësishëm, interesi nuk kanë qenë për Kosovën. Pala ndërkombëtare e sheh të rëndësishëm sigurinë, realizmin e marrëveshjeve, vazhdimin e bisedimeve por jo zhvillimin e ekonomisë apo studimin e ligjit. Faktori ndërkombëtar e donte këtë koalicion është Gjykata Speciale e cila pritet të bëhet dhe më këta deputetë mund t’i kenë numrat e mjaftueshëm, ne nuk jemi kundra kësaj Gjykate nëse sjell rend në vend. Sistemi i drejtësisë po rrënohet. Në sistemin e ekonomisë dhe të drejtësisë faktori ndërkombëtar ka dështuar.
 
Folët për Gjykatën Speciale, keni dijeni se UÇK ka kryer krime?
Kjo është një padrejtësi tjetër. Për krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe për krimet që janë kryer në hapësirën e ish-Jugosllavisë, edhe në Kroaci dhe në Bosnjë ka qenë një tribunal, ai është marrë me krimet që janë bërë në Kosovë. Gjithë bota e di që krimet më të mëdha në Kosovë janë kryer nga serbët. Realisht tribunali i Hagës është marrë me tepër pak raste që serbët kanë kryer në Kosovë dhe më shumë është marrë me ushtarët e UÇK-së. E vërteta është se raporti i Dick Marty-t më kryesorin ka Thaçin po nuk është vetëm ai, shumë deklarime që janë bërë më vonë thuhet për krime nga 1999 deri në 2001. UÇK nuk ka ekzistuar në këtë kohë. Në këtë kohë ka ndodhur transformimi. Këtu mund të hyjnë dhe krime të tjera, ne nuk mund të dimë sepse janë kërkesa të huaja.
 
Kryetari aktual i Kuvendit është akuzuar nga një deputete për torturime?
Tek ne shqiptarët akuzat janë të lehta, por ata që kanë fakte ti adresojnë në organe. Këto gjera në politikë përdoren për eliminime politike. Nuk kemi asnjë fakt se SHIK-u ka kryer krime, nuk e kemi të drejtën të akuzojmë për diçka që gjykata s’ka dhënë fjalën e vetë. Ato vrasje duhet të ndriçohen.
 
A shikoni se shumë vese të politikës së Tiranës janë përcjellë dhe në Prishtinë?
Ne jemi shqiptarë dhe vështirë të mos kemi vese të njëjta… vesi më i keq i politikës sonë është që gjithçka duam ta personalizojmë dhe ta privatizojmë. Ves tjetër është dhe dëshira e lideri politik për të rrethuar rreth vetes njerëz të padijshëm, të paaftë dhe lidhje me krimin. E më pas futja në institucione kyçe. Me vjen mirë që në Shqipëri ka filluar një ndryshim për tu vendosu njerëzit aty ku duhen.
 
A ka një hapësirë të përbashkët ekonomike shqiptare? Por shifrat tregojnë se ky bashkim është shumë larg…
Gjatë këtyre 15 viteve gjeja më e mirë është autostrada. Gjera të tjera më tepër janë spontane se të organizuara. Po të kishte një gadishmëri dhe vullnet nga të dyja anët, por nuk kemi arritur ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Duhet një bashkësi në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në ekonomi. E shoh një dritë me përpjekjet e Ramës, për takime mes dy qeverive. Kam pasur dhe rezervat e mia. Mos po bëhen këto takime për fotografime para mediave. Është mirë që është nis një punë e tillë, këto takime pa përfundime nuk sjellin gjë. Vendimet politike duhet të realizohen. Pa realizime mbeten vetëm takime në letër. Duhen që gjitha barrierat të hiqen. Askush nuk e pengon këtë. Shqipëria dhe Kosova këtë duhet ta kishin bërë me kohë.
 
Cili është roli i Berishës për Kosovën?
Pas luftës ka pasur përpjekje dhe deklarime për marrëdhënie të mira, por realisht kanë mbetur në letër e nuk janë realizuar. Deklarimet e kryeministrave nuk duhet të jenë vetëm deklarime, por duhet të merren vendime. Shqiptarët e Kosovës nga pozitat e kanë dashur Shqipërinë, duke dashur Shqipërinë e kanë dashur dhe drejtuesit e saj. Kush është në krye të Shqipërisë ta kenë një respekt të veçantë. Ka mbetur trashëgim nga e shkuara. Shqipëria ka pasur të gjitha mundësitë….
 
Rama është kundër ndërhyrjes, thotë që Kosova ka drejtuesit e vet…
Nëse bën babain e kombit për Shqipërinë pse mos ta bënte dhe për pjesën tjetër të shqiptarëve. Mendoj që liderët dhe udhëheqësit në Shqipëri kanë pasur mundësitë dhe detyrimin për të biseduar dhe dhënë këshilla për interes që janë të përbashkëta. Këtu nuk ka për rol, kur është për interes të përgjithshëm nuk duhet injoruar.
 
Takimi i Nanos me Millosheviçin në 1998, si është perceptimi për të tani në Kosovë?
Njeriu kur zbret nga jeta politike harrohet. Ka qenë një ndjesi e gabuar në atë kohë, takimet e drejtueseve kanë ndodhur dje, ndodhin sot e duhet të ndodhin. Kanë ndodhur mes Kosovë dhe Serbisë dhe kur nuk duhej, ndonjëherë krijohen përshtypje të gabuara. Unë them që drejtuesit e Shqipërisë kanë ndihmuar, kanë pasur mundësi më shumë, por pa ekzistimin Shqipërisë rrezik se do të ekzistonte dhe Kosova.
 
Një deklaratë bëri Rama në Pallatin Serbia dhe gjithë imazhi që kishte ai në Prishtinë, e krejt papritur kthehet në hero…
Është në natyrën e njerëzve për të vlerësuar fjalën sesa punën. Por dua ta them se deklarimi në atë formë siç e tha kryeministri Rama ishte i rëndësishëm, e tha bukur. Me të drejtë tani shumë njerëz në Kosovë kanë ndryshuar qëndrim, se nuk duhen krijuar bindje mashtruese për askënd.

jakup krasniqi babaramo

Redaksia Online
(a.h/g.f/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Futën në Evropë 2 mijë tonë veshje sportive të falsifikuara, çmontohet organizata kineze, 73 të arrestuar! Sekuestrohet 12,5 mln euro mall

Spanjë/ Futën në Evropë 2 mijë tonë veshje sportive të falsifikuara, çmontohet organizata kineze, 73 të arrestuar! Sekuestrohet 12,5 mln euro mall