Norma Efektive e Interesit maksimal (NEI) për kreditë konsumatore me këste, të cilat janë në fashat deri në 200 mijë lekë të reja, ka pësuar një ulje të ndjeshme dhe të qëndrueshme.
Përmes një njoftimi, Banka e Shqipërisë bën të ditur se në vitin 2026, NEI maksimal ka zbritur në 54.8% për fashën e sipërpërmendur, nga nivele që përpara ndërhyrjeve rregullatore të Bankës së Shqipërisë arrinin deri në 300%.
Ndërsa interesi maksimal për kreditë nga 200 deri në 600 mijë lekë është 35.4% nga 35.2% që ishte deri në fund të dhjetorit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, për të cilat interesat do të jenë 14.7%. Kurse ata që marrin mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë do e kenë interesin maksimal 11.94%.
Po ashtu në njoftimin e Bankës së Shqipërisë bëhet e ditur se në vetëm pesë vite, NEI maksimal për këtë kategori kredish është reduktuar me më shumë se 5 herë, duke ulur ndjeshëm koston reale të huamarrjes për kreditë e vogla konsumatore.
“Për kreditë konsumatore 0–200.000 lekë, në kushtet e stabilizimit të tregut, është vendosur që të mos aplikohet më marzhi shtesë prej 33%, me synim reduktimin e mëtejshëm të kostove dhe rritjen e përballueshmërisë për konsumatorët”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Po ashtu Banka e Shqipërisë u rikujton bankave dhe institucioneve të tjera financiare që duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast të mospagesës së kësteve, ku thekson se shuma e penaliteteve nuk mund të kalojë 30% të shumës së kësteve të papaguara.
Vendimi që Banka e Shqipërisë të përcaktojë normën maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë në 2022-shin kur nisi zbatimi i rregullores, norma maksimale e interesit për kreditë deri 200 mijë lekë arrinte në 171.41%.
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si p.sh. norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj).
Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë i propozoi Ministrisë së Ekonomisë që në ligjin e ri për ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ të caktohej edhe një tavan për interesat për kreditë konsumatore.
Komente







