Kreditë me probleme u ulën në valutë të huaj, por u rritën në lekë

Kreditë me probleme u ulën në valutë të huaj, por u rritën në lekë

Foto: Ilustruese

Sipas Bankës së Shqipërisë, rezulton se portofoli i kredive me probleme në valutë në fund të vitit 2022 pësoi një rënie të ndjeshme në 4%, nga 5.8% që kishte qenë një vit më parë.

Edhe treguesi i kredive me probleme të kredive në valutë të pambrojtura ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (kreditë në valutë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të huamarrësit) zbriti në 4%, në ulje me 1 pikë përqindje kundrejt fundit të vitit 2021.

Ndërkohë, për portofolin e kredisë në lekë tendenca rezultoi e kundërt, me rritje të raportit të kredive me probleme në nivelin e 6%, nga 5.5% që kishte qenë në fund të vitit 2021.

Përveç faktorëve më specifikë, performanca më e mirë e portofolit të kredisë në valutë mund të shpjegohet edhe me mbiçmimin e lekut në kursin e këmbimit valutor, që e ka ulur vlerën e kësteve të kredisë në monedhën vendase dhe e ka bërë më të përballueshme pagesën e tyre nga huamarrësit. Nga ana tjetër, të paktën deri në fund të vitit të kaluar rritja e normave të interesit ishte shumë më e ndjeshme për lekun, sesa për euron. Kjo mund të ketë pasur një ndikim negativ në portofolin e kredisë në lekë.

Sipas kategorive të klientëve, segmenti i individëve kishte raportin më të ulët të kredive me probleme edhe për vitin e kaluar. Sipas të dhënave të raportit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për individët zbriti në 3.8%, nga 4.5% që kishte qenë një vit më parë. Një rënie të ngjashme me 0.7 pikë përqindje shënoi edhe raporti i kredive me probleme në segmentin e biznesit. Megjithatë, ky raport për bizneset ngelet në nivele ndjeshëm më të lartë, me 0.6%.

Nga të dhënat e raportuara, rezulton se pjesa më e madhe e portofolit të kredive 86% është e kolateralizuar, duke u rritur në peshë me 1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë (85%).

Referuar llojit të kolateralit, pjesa më e madhe e kredive të sistemit, rreth 55%, është e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme. Kreditë për individët në valutë kanë një nivel më të lartë mbulimi me kolateral me pasuri të paluajtshme me 72% krahasuar me kreditë për bizneset me 55%.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të vitit 2022, kredia me probleme arriti nivelin 35.7 miliardë lekë, duke u ulur me 2.4 miliardë lek ose 6.38% krahasuar me një vit më parë. Treguesi i kredive me probleme bruto ka pësuar një rënie prej 0.69 pikë përqindje në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 4.99 % në fund të vitit 2022.

Megjithatë, në pjesën e parë të këtij viti raporti i kredive me probleme ka shënuar një rritje të lehtë dhe në fund të muajit maj arriti në 5.23%. Deri tani, rritja e raportit të kredive me probleme ngelet më e ulët në raport me parashikimet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare. Megjithatë, nëse raporti i kredive me probleme do të vazhdojë të rritet, Banka e Shqipërisë mund të miratojë disa lehtësi të përkohshme rregullatore, që do të nxisin ristrukturimet e hershme të kredive./Monitor

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik