Besimtarët mbushen kishat, në ditën më të rëndësishme për të krishterët, lindjen e shpëtimtarit Jezu Krisht.
SHKODËR
Qindra besimtarë kremtuan meshën e vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Arqipeshkvi Giovanni Peragine theksoi se Krishtlindja nuk duhet të kufizohet vetëm në simbole dhe zbukurime, por të shoqërohet me vepra humane.
Fishekzjarrët ndriçuan qiellin e Shkodrës në përfundim të meshës.
KORÇË
Në Korçë, qindra besimtarë ortodoksë kremtuan meshën Krishtlindjen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit. Mitropoliti Anastas dha mesazhe për tolerancë e bashkim.
Qyteti u gjallërua nga aktivitete artistike dhe muzikë live, duke krijuar një atmosferë festive për qytetarët dhe turistët.
VLORË
Në kishën e Shën Theodhorit, dhjetëra besimtarë ndoqën liturgjinë hyjnore të drejtuar nga At Kostandin Prifti.
FIER
Besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon lindjen e Krishtit, në orët e para të 25 dhjetorit ne kisha e Shën Gjergjit.
DURRËS
Kishat katolike dhe ortodokse të Durrësit u mbushën me besimtarë që ndoqën meshën e Krishtlindjes.
LEZHË
Krishtlindja u kremtua edhe në Lezhë, ku qindra besimtarë iu bashkuan ritualit fetar në Katedralen e Shën Nikollit. Ipeshkvi Otavio Vitale foli për mungesën e paqes në Shqipëri dhe në botë.
Mesha solli një prani të madhe besimtarësh brenda dhe jashtë katedrales, ndërsa rituali zgjati deri në mesnatë.
Në Gjirokastër, Sarande, Elbasan, Kruje, Puke e Vaun e Dejës ceremonitë e lutjes dhe lajmërimit të lindjes së Jezu Krishtit u ndoqën nga qindra besimtarë.
Lagjet muzeale “Mangalem” dhe “Goricë” u ndriçuan nga dritat shumëngjyrëshe, duke i dhënë një pamje mbresëlënëse qytetit të UNESCO-s.
Ndërsa Himara zgjodhi një mënyrë të veçantë feste, ku Babagjyshi mbërriti nga ajri, duke surprizuar fëmijët në shëtitore.
Edhe në qytetin e Beratit, besimtarët, kremtuan lindjen e Krishtit.
Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales “Shën Dhimitri” në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Liturgjia hyjnore u mbajt nga At Johan Qako.
Besimtarët ndezën qirinj që simbolizon “lindjen e Krishtit”.
Qindra besimtarë kanë kremtuar meshën e vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Mesha solemne u drejtua nga Giovanni Peragine, i cili u ndal jo vetëm te rëndësia shpirtërore e Krishtlindjes, por përcolli edhe një mesazh të fortë për gjithë shoqërinë.
Arqipeshkvi theksoi se, ndërsa rrugët, sheshet dhe shtëpitë janë të ndriçuara nga dritat festive, ekziston rreziku që vetë kuptimi i Krishtlindjes të errësohet, nëse ajo mbetet vetëm një festë sipërfaqësore. Ai bëri thirrje që Krishtlindja të ndriçojë edhe shpirtin, duke nxitur harmoni, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.
Sipas tij, kjo festë e rëndësishme për besimtarët nuk duhet të kufizohet vetëm në simbole dhe zbukurime, por të shoqërohet me veprime konkrete të mira dhe përmirësim të secilit në jetën e përditshme.
“Kjo është thirrja e Krishtlindjes dhe ky është mesazhi që Jezusi përcjell me lindjen e Tij”, u shpreh Arqipeshkvi.
Në përfundim, Giovanni Peragine u bëri thirrje katolikëve të Shkodrës që të jenë shembull për shoqërinë, në një realitet të shënuar jo vetëm nga varfëria materiale, por edhe nga ajo morale.
Qindra besimtarë ortodoksë i janë drejtuar mëngjesin e kësaj të enjteje kishës së Shën Theodhorit për të marrë pjesë në meshën e shenjtë.
Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjes u drejtua nga At Kostandin Prifti, i cili në mesazhin e tij ka folur për më shumë paqe, shëndet dhe lumturi.
At Kostandin Prifti ka uruar jo vetëm besimtarët ortodoksë, por të gjithë shqiptarët për një vit me më shumë begati, dashuri e harmoni në çdo familje.
Ndërkohë që ishin të shumtë besimtarët ortodoksë që ndoqën në kishën e Shën Theodhorit lajmërimin e lindjes së Jezu Krishtit orët e para të 25 dhjetorit ,të cilët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon “lindjen e Krishtit”.
Besimtarët e krishterë janë mbledhur në kishën e qytetit të Gjirokastrës për të kremtuar Lindjen e Krishtit.
Prania e besimtarëve ishte e lartë si brenda ashtu dhe jashtë ambienteve të Kishës për të ndjekur ritualin e shenjë që zgjati deri në mesnatë.
Besimtarët katolikë në Elbasan kremtuan mbrëmë Lindjen e Krishtit.
Qindra besimtarë përcollën urime paqeje, shprese dhe begatie për njëri-tjetrin dhe për mbarë komunitetin.
Edhe këtë vit, në një atmosferë festive dhe të qetë, qyteti i Korçës ka kremtuar Krishtlindjen, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë. Qytetarë vendas, por edhe vizitorë nga jashtë vendit, janë mbledhur në qendër të qytetit dhe në ambientet e kultit për të festuar këtë ditë të shënuar.
Kulmi i ceremonive fetare u mbajt në Katedralja Ngjallja e Krishtit, ku mesha e Krishtlindjes u drejtua nga mitropoliti i Korçës Anastas. Mesazhi i kësaj dite u fokusua te paqja, bashkimi, toleranca dhe rëndësia e familjes si themel i shoqërisë.
Pas përfundimit të meshës, qytetarët u drejtuan drejt banesave të tyre për të vijuar festimet familjare të Krishtlindjes.
Ndërkohë, 24 orët e fundit janë shoqëruar me fluks të shtuar në pikën doganore të Kapshticës. Shumë shtetas shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë zgjedhur të festojnë Krishtlindjen në atdhe. Rekordi i hyrjeve është shënuar një ditë më parë, me mbi 13 mijë shtetas që kanë kaluar në doganën e Kapshticës. Autoritetet doganore kanë punuar me sportele maksimale për të shmangur pritjet e gjata.
Sipas qytetarëve, vështirësi janë hasur në anën greke të kufirit, ku për shkak të ngarkesës dhe ritmit të ngadalshëm të përpunimit janë krijuar radhë në dalje nga Greqia.
Korça, këto ditë, po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, e ndikuar si nga programi festiv, ashtu edhe nga reshjet e lehta të dëborës në zonat malore përreth. Strukturat akomoduese raportojnë prenotime të plota, ndërsa ambientet hoteliere dhe restorantet kanë qenë të angazhuara maksimalisht.
Mbrëmjen e Krishtlindjes, qyteti u gjallërua nga aktivitete artistike dhe muzikë live, duke krijuar një atmosferë festive për qytetarët dhe turistët.
Edhe besimtarët e krishterë në Pukë, në mesnatë priten lindjen e Krishtit si shpresë për botën. Kreu i kishës në qytetin verior, Dom Zef Marku teksa celebroi meshën e shenjtë të Krishtlindjes në Kishën e Shën Gjonit iu kujtoi besimtarëve që dashuria është forca më e madhe që i bashkon të gjithë në paqe, çfarë ishte dhe dëshira e Krishtit.
Edhe në Katedralen Nënë Tereza në Vaun e Dejës besimtarët kremtuan ditën e lindjes së Krishtit teksa uruan për paqe e begati.
Kisha e Shën Gjergjit në Fier me rastin e Krishtlindjeve ka pritur qindra besimtarë të cilët kanë ndjekur mëngjesin e sotëm meshën e mbajtur me këtë rast. Hirësia e tij, Metropoliti i Fierit dhe Apollonisë, Imzot Nikolla, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve dhe gjithë komunitetit ka përcjellë urimin për me tepër mirësi dhe mbarësi në çdo familje besimtarësh.
Ndërkohë me qirinj në duar besimtarë të grupmoshave të ndryshme kanë përcjellë urimet e tyre për më shumë harmoni e dashuri me njëri- tjetrin, ndërsa nuk kanë kursyer edhe mesazhet për politikën.
“Gëzuar festat, vit i mbarë.
Gëzuar festat të gjithë shqiptarëve kudo qofshin”, shprehen ata.
Krishtlindja, është një ditë ku dashuria flet me gjuhën e saj të vërtetë dhe urrejtja sfidohet. Lindja e Jezu Krishtit birit te Perëndisë simbolizon dashurinë e Zotit për njeriun për të cilën ai erdhi mes nesh dhe kjo dashuri kërkohet të mbretërojë kudo në tokë në të gjithë njerëzimin.
Kishat katolike të Durrësit u mbushën mbrëmë plot me besimtarë që ndoqën meshën e Krishtlindjes.
Gjatë shërbesës fetare, besimtarë të shumtë janë mbledhur për të kremtuar lindjen e Jezu Krishtit, një festë që simbolizon paqen, dashurinë dhe shpresën.
Krishtlindja është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët e krishterë dhe kremtohet çdo vit me ceremoni fetare dhe aktivitete festive.
Me rastin e festës së shenjtë të Krishtlindjeve, Mitropoliti i Gjirokastrës Nathanail ka kremtuar meshën festive në kishën Shën Harallambi në Sarandë, në praninë e dhjetëra besimtarëve ortodoksë.
Gjatë ceremonisë fetare Mitropoliti Nathanail përcolli mesazhe paqeje, shprese dhe bashkimi, duke theksuar rëndësinë e besimit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe ndihmës ndaj më të dobëtëve, veçanërisht në këtë periudhë të shenjtë të vitit.
Pas përfundimit të meshës së Krishtlindjeve, u shpërndanë dhurata për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla”, duke sjellë gëzim dhe buzëqeshje për më të vegjlit. Ky gjest simbolik u shoqërua me një mesazh të fortë solidariteti, kujdesi dhe dashurie, vlera që Krishtlindjet i përcjellin në thelb të tyre.
Krishtlindja u kremtua edhe në Lezhë. Qindra besimtarë të krishterë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Krishtit në Katedralen e Shën Nikollit, ndërsa mesha e shenjtë e mbrëmjes së mërkurës u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale.
Në fjalën e tij para besimtarëve, ipeshkvi Vitale foli për mungesën e paqes mes njerëzve në Shqipëri dhe mbarë botën, pasi sipas tij luftërat dhe vrasjet janë kthyer në shqetësim për komunitetet.
Mesha e shenjtë e Krishtlindjes në Lezhë solli një prani të larte qytetarësh brenda dhe jashtë Katedrales së Shën Nikollit. Rituali fetar zgjati deri në mesnatë dhe më pas besimtarët u shpërndanë duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe begati.
Besimtarët ortodoksë të Lushnjës dhe rrethinave, në mëngjes u janë drejtuar Kishës së Shën Gjergjit për të marrë pjesë në meshën tradicionale të Krishtlindjeve.
Meshën e shenjtë e drejtoi At Gori dhe priftërinjtë e tjerë të kësaj kishe.
Mesazhi i kësaj feste është bashkimi i familjeve paqe dhe begati për të gjithë besimtarët.
Qindra besimtarë morën pjesë në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, e cila u mbajt në Katedralen e Shkodrës.
Pas meshës ‘qielli’ i Shkodrës u ndriçua nga fishekzjarrët, teksa besimtarët shijuan 'spektaklin' dhe uruan njëri-tjetrin për shëndet e mbarësi.
U mbajt në rrethin e Krujës mesha e Krishtlindjes ku në të gjitha kishat e këtij rrethi mijëra besimtarë kremtuan meshën e lindjes së Krishtit.
Besimtarët katolikë të qytetit të Lushnjes kanë marrë pjesë në meshën e krishtlindjeve në kishën e shenjtëve Pjetri e Pali.
Ambjenti i jashtëm i kishës, ishte dekoruar me skenën e lindjes së Krishtit në një kasolle barinjsh mes njerëzve e kafshëve.
Meshën e shenjtë të Krishtlindjes e mbajti Dom Gjoni. Mesha tradicjonale për festën e lindjes së Hyjit, nisi me vendosjen e foshnjes në një shportëz nën këmbët e altarit të kishës.
Besimtarët dëgjuan fjalët e Ungjillit dhe u lutën për paqe e begati.
Komente










