Me Xherdan Shaqirin duhet të ndihemi krenarë të gjithë - edhe ata, të cilëve nuk iu pëlqen flamuri kosovar. Kosova është shtet i joni, e jo i politikanëve që ndërrohen në pushtet, duke na turpëruar me të bëmat e tyre.
Kur në fillim të shtatorit të kaluar Xherdan Shaqiri shënoi në portën e Kombëtares së Shqipërisë, si përfaqësues i Zvicrës, ai u gjend nën presion të paparë. Nuk diti të gëzohej, për më tepër u ndie fajtor. E nga shqiptarët gjaknxehtë e turbofolkloristë, u etiketua edhe tradhtar. “Mëkati” i vetëm i tij ishte se kishte zgjedhur Zvicrën, e jo Shqipërinë për të luajtur futboll.
Të shtunën mbrëma, Shaqiri ngriti lart kupën e Ligës së Kampionëve, si pjesë e ekipit Bayern Munchen. Krahas kupës, ai në Wembley ngriti lart edhe dy flamuj – të Kosovës dhe të Zvicrës. Si për të treguar se iu takonte vendit ku ka lindur dhe vendit që e rriti dhe në të cilin bëri karrierë. Si për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që shkumonin para gjashtë muajsh, duke e quajtur tradhtar atë, e maxhup ndonjë bashkëlojtar të tij. Si për t’i porositur edhe “patriotët” e Federatës Shqiptare të Fubollit, të cilët ndaj tij dhe të tjerëve si ai muaj më parë nuk kursyen leksione “patriotike”.
“Ndërmjet ‘patriotëve’ si Armand Duka dhe ‘magjupëve’ si Valon Behrami, unë do të zgjidhja këtë të dytin. Dhe ‘tradhtinë’ e Xherdanit e Granitit”, pata shkruar në shtator, duke denoncuar fushatën e egër dhe raciste ndaj djemve nga Kosova, të cilët nuk kishin asnjë faj të vetëm. Asnjë borxh ndaj askujt, përveç vendeve ku u lindën e u rritën.
Shaqiri dhe yjet tjerë kosovarë të sportit, të cilët na nderojnë nëpër botë, nuk janë të atillë që matrapazllëkun dhe hajdutllëkun i kanë profesion. As të atillë që rrjepin Kosovën dhe Shqipërinë në emër të patriotizmit e shqiptarizmit, duke u pasuruar sa s’bën.
Ata vetëm po bëjnë atë që duhet bërë – po kapin majat e sukseseve dhe, njëkohësisht, po e bëjnë të njohur Kosovën – atë Kosovën e tyre, tonën që duhet dashur e forcuar vazhdimisht, pavarësisht se nuk ka kaluar hiç ditë të mira deri më sot. Atë Kosovën për të cilën u sakrifikuan dhjetëra-mijëra - Kosovën të cilën duhet ta bëjmë.
* * *
Xherdan Shaqiri u gjend sërish në shënjestër të kritikave dashakëqija e cinike. Dikujt nuk i pëlqeu pse ai ngriti lart flamurin kosovar, e dikush tjetër tha se së pari duhet ndërtuar shteti i fortë, e pastaj të valëviten flamuj. Pajtohem, logjika e shëndoshë kështu thotë. Por, veprimin e Shaqirit nuk duhet parë na ky prizëm. Ai, thjesht, bëri diçka që do ta bënte ose do të duhej ta bënte secili i ri i suksesshëm kudo në botë, në rastet siç është finalja e Ligës së Kampionëve.
Shaqiri u largua i vogël nga Kosova dhe nuk mban kurrfarë përgjegjësie që bashkëkombas të tij jo që po e ndërtojnë, por po ia shkatërrojnë shtetin. Por, po, ai ka të drejtë të krenohet me vendin ku u lind dhe të tregojë, qoftë edhe me ngritjen lart të një flamuri verdh e kaltër, se i takon edhe atij vendi.
Të sulmosh Shaqirin pse ngriti lart flamurin e Kosovës më duket më tepër se absurd. Sepse, jo Shaqiri, por të tjerë brenda e jashtë Kosovës janë ata që nuk e nderojnë flamurin, nuk e nderojnë shtetin. Jo Shaqiri, por të tjerë brenda e jashtë Kosovës janë ata që vjedhin dhe shkelin shtetin në emër të flamurit.
Shaqiri u tregua fort i mençur në Wembley dhe bëri më shumë se plot politikanë dhe të ashtuquajtur politikanë, të cilët nuk ndalen duke udhëtuar nëpër botë me para të shtetit, për të promovuar të njëjtin shtet të cilit ia grabisin çdo ditë nga një copë.
Shaqiri nuk ka faj pse vendi ku ka lindur prodhon me bollëk hajni, krim e korrupsion e pak talentë futbolli. Ai nuk ka faj pse qytetarët e këtij vendi e shohin me rezervë flamurin që ai e çoi lart. Ai bëri atë që duhej - promovoi shtetin e Kosovës në momentin e duhur dhe në vendin e duhur. Krejt tjerat janë të parëndësishme.
* * *
Mbase kosovarët do të ndiheshin më të qetë dhe do të ishin më pak kritikë po që se Shaqiri do të valëviste flamurin kuq e zi. Mbase më mirë do të ndihej edhe Armand Duka i FSHF’së, i cili para pak muajsh nxori nga goja epitete të ulëta për djemtë kosovarë që nuk ishin pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Por të gjithë ne, në Kosovë e Shqipëri duhet kuptuar më në fund se Kosova është shtet dhe nesër do ta ketë Kombëtaren e vet. Është çështje tjetër se çfarë shteti është dhe çfarë Kombëtare do të ketë. Por, gjasat janë të mëdha që të ketë një Kombëtare më të fortë se ajo e Shqipërisë.
Sepse kur Kosova të pranohet në UEFA e FIFA, futbollistët kosovarë që bëjnë karrierë nëpër botë kanë të drejtë të zgjedhin për t’i mbrojtur ngjyrat e Kosovës, e jo të Shqipërisë apo të ndonjë shteti tjetër.
Shaqiri ka mundur fare lehtë ta ngrejë lart flamurin kuq e zi. Por, e ka zgjedhur tjetrin, të Kosovës, sepse ndjen që i takon këtij vendi. S’është hiç me rëndësi nëse i pëlqen ose jo ai flamur. Është simboli i vendit të tij dhe kaq mjafton.
Edhe mua ndoshta nuk më pëlqen flamuri, as himni kosovar. Por, i respektoj si të tillë, sepse identifikojnë shtetin tim. I respektoj deri sa të ekzistojnë.
Pajtohem, nuk mjafton flamuri për t’u bërë krenar se i takon një kombi, një shteti. Shteti, mirëqenia, zhvillimi të bëjnë të ndihesh krenar. Por, nuk ka asgjë të keqe të valëvitësh flamurin tënd, flamurin e shtetit tënd.
As flamurin, as shtetin nuk duhet identifikuar me ata që janë ose vijnë në pushtet dhe të bëjnë të ndihesh i turpëruar me veprimet e tyre.
A nuk duhet të jemi krenarë që Shaqiri u bë lojtari i parë nga Kosova që fiton Ligën e Kampionëve?
Merrni mësim nga ai.
Lëreni histerinë, bëjeni historinë. Si Shaqiri.
Nga Imer Mushkolaj
/Shqiptarja.com