Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve

 

Edi Rama premtoi “Paketën e maleve” për emigrantët e Britanisë që kthehen për të investuar në Shqipëri, duke u hequr taksat për 10 vite. 

Juristi Kreshnik Spahiu e sheh pak me skepticizëm për shkak se mungon oferta konkrete për zgjidhjen e problemit më madhor, ikjen e ‘trurit’ nga vendi, apo profesionistëve. 

Ai tha në Report TV se kryeministri duhet të ketë projekte dhe oferta edhe për kthimin e profesionistëve, sepse jo të gjithë shqiptarët kanë para për të investuar në vendin tonë. Por ai e cilësoi një ofertë shumë të mirë dhe që duhet vlerësuar “Paketën e maleve”. Gjithsesi kujtoi se ose duhet ta shpallim Shqipërinë vend turistik dhe në “dimër t’i vëmë çelësat”, ose të ketë oferta konkrete. 

“Kjo është një ofertë që duhet vlerësuar. Sepse t’i krijosh hapësira dikujt për të krijuar një sipërmarrje apo biznes dhe pa taksa, nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe ky është një lloj prioriteti që duhet vlerësuar. Nga ana tjetër ashtu siç kryeministri Edi Rama shprehet për të krijuar një platformë për emigrantët që duan të kthehen dhe krijojnë një sipërmarrje, duhet të ketë parasysh se në Diasporë nuk ka vetëm biznesmenë që kanë kursyer para dhe duan t’i investojnë. Ne kemi një numër të madh shqiptarësh, me qindra e mijëra që kanë ikur në emigracion dhe punojnë për bukën e gojës atje, sepse kursejnë 100 euro në muaj, pasi paguajnë 1500 euro qira shtëpie dhe ashtu siç tha ai detyrohen të punojnë dy punë dhe s’kanë ku t’i gjejnë paratë për të investuar në Shqipëri, me taksa apo pa taksa, sepse për të investuar duhen dhjetëra mijëra euro. E dyta, Edi Rama duhet të kuptojë se përveç të papunëve janë larguar profesionistë. Që do të thotë se janë larguar mjekë, infermierë, juristë, ekonomistë, gazetarë, arkitektë, njerëz që punojnë në profesionin e tyre me një rrogë”, u shpreh Spahiu. 

Dhe më tej kërkoi zgjidhje konkrete me projekte për të “shëruar” këtë fenomen.

“Çfarë garanton Edi Rama për largimin e trurit nga Shqipëria? Sepse fenomen dhe problem nuk është largimi i të papunëve nga Shqipëria, sepse largimi i tyre është oportunitet, nuk gjejnë punë aty dhe ikin jashtë me një rrogë më të mirë. Problem është largimi i profesionistëve të të gjitha fushave dhe që krijojnë një lloj vakumi në shtetin shqiptar. Kush është oferta e Edi Ramës që të mos vazhdojnë të largohen dhe e dyta kush është oferta e qeverisë socialiste që këta profesionistë, ai juristi, mjeku, farmacisti që punojnë në Londër, të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri. A ka ofertë më të mirë qeveria? Këtyre u është fiksuar se të kthehesh është të punosh bahçen dhe të bësh bujtinë. Prit, se të gjithë shqiptarët nuk do bëjnë hotele dhe bujtina, se bëhet qesharake. Ose të shpallemi shtet turistik se s’kemi të merremi me asgjë tjetër. në dimër t’i vëmë çelësin Shqipërisë. Por oferta është shumë e mirë.
Shqiptarët nuk kanë ikur për shkak të klimës në Angli. Ata kanë ikur se nuk ndiheshin mirë, nuk hapnin dot biznes në tregun e monopoleve. Të jemi të sinqertë në këtë pikë. Është më e lehtë të hapësh biznes në Angli sesa në Shqipëri, pavarësisht taksave që paguan. Patjetër që është joshëse për ata që bëhet për të mos paguar taksa. Në Londër nuk kemi emigracion të vjetër, ka edhe shqiptarë që kanë ikur së fundmi, para 15 vitesh, 2-3 vitesh, brenda mandatit të socialistëve”, tha juristi për Report TV. 


Lajmi kryesor:

Takimi i Ramës në Londër/ Parashikimi i Spahiut për diasporën në Report TV: Maksimumi 6-7% e emigrantëve do votojnë në zgjedhjet e 2025!


A.Q/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!