Ministria e Brendshme, përmes zëdhënësit të saj Florion Serjani njofton se “Mziu akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Ndërkohë është shpallur në kërkim Drejtori i drejtorisë Juridike të kësaj bashkie, Atli Hoti.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se PD po monitoron me kujdes arrestimin dhe hetimin ndaj kreut të bashkisë Kamzë, Xhelal Mziu. “Jemi informuar dje për këtë veprim. PD është e hapur për çdo hetim e çdo çështje. Në rastin konkret procesi të jetë transparent ne po e monitorojmë me kujdes se cfarë po ndodh. Bëj thirrje se sipas Kushtetutës Xhelal Mziu është i pafajshëm deri kur gjykata të thotë fjalën e vet.” Basha:Mziu i pafajshëm deri kur Gjykata të thotë fjalën e saj
ARRESTIMI I MZIUT
Arrestimi ka ndodhur rreth orës 18:15 të 20 dhjetorit, në një bar-pastiçeri pranë Presidencës, ku rastësisht ndodhej Xhelal Mziu, i cili
fillimisht bëri rezistencë, pasi nuk po u besonte syve për atë që po ndodhte.
Sipas Ministrisë së Brendshme, Policia e Tiranës ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për arrestimin e shtetasit
Xhelal Mziu, 46 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë, me detyrë kryetari i bashkisë së Kamzës.
Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi Atli Rasim Hoti, 37 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Juridike në Bashkinë Kamzë.
Në ngarkim të tyre Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal, ndërsa Gjykata e Tiranës, me vendimet nr.1630 dhe 1631, më 20 dhjetor 2013, mori vendim për caktimin e masë së sigurisë, “Arrest me burg” për Xhelal Mziun dhe Atli Hotin.
Gjykata e Tiranës, ka vendosur ndaj kryebashkiakut, masën e sigurisë arrest me burg, pas kërkesës së task forcë së prokurorisë pas një hetimi, i cili kishte nisur disa muaj më parë nga krimi ekonomik në Policinë e Tiranës.
Mziu është vënë në pranga për “shpërdorim detyre” dhe pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas", me vlerë 80 milionë lekë, kryer në maj 2013.
MZIU NE DREJTORINE E POLICISE
Mziu ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rreth orës 00:12 të ditës së shtunë, 21 dhjetor. Mësohet se ai nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë, kur u arrestua në një lokal në Tirane, pranë Presidences.
(Ne foto: Xhelal Mziu duhe hyre ne drejtorine e policise se Tiranes, pak pas mesnates se 20 dhjetorit)
ABUZIMI ME RRUGEN VALIA I RI- VARREZAT LAKNAS
Sipas njoftimit zyrtar nga Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës, ky organ ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të procedurave ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k.
Megjithatë, dy zyrtarët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor-Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor-bashkia Kamëz.
Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të bashkisë Kamëz, përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “Everest” sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese, por mësohet se posedohej nga njerëz të afërt pranë kryebashkiakut Mziu.
Në këto kushte, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
KUSH ESHTE XHELAL MZIU
Mziu u emërua në detyrën e kryetarit të bashkisë Kamzë në 18 shkurt 2007. Aktualisht po kryente mandatin e tij të dytë në këtë detyrë si përfaqësues i Partisë Demokratike..
Lindur në vitin 1967, në Peshkopi, Xhelal Mziu u diplomua në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1993.
Ankesa e "Gjoka" sh.a në Komisionin e Prokurorimeve Publike