Pas tetë vitesh vetting, një reformë ‘sui generis’ jo vetëm në Evropë, ku i gjithë sistemi i drejtësisë kaloi në filtrin e verifikimit të figurës integritetit dhe pasurisë, këtë të mërkurë është shënuar epilogu i gjithë këtij procesi.
Përfundimi i mandatit të shkallës së dytë të vettigut, Kolegjit të Posaçëm të Apelimi, u shënjua me një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë drejtues të sistemit të drejtësisë, krerë institucionesh apo edhe ndërkombëtar.
Për Bashkimin Evropian sakrifica e Shqipërisë në këtë reformë të kërkuar fort nga ndërkombëtarët e veçon atë nga vendet e tjera pretendente për anëtarësim.
“Vettingu ka qenë një proces historik që kërkonte vullnet të madh politik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Tashmë standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende, jo më me mekanizëm të jashtëzakonshëm por me punë të rregullt të institucioneve. KLGJ dhe KLP tani kanë përgjegjësinë t’i mbajnë ato standarde", tha Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.
“Faleminderit të gjithë që kontribuuan në këtë proces, për të cilin tani po festojmë rezultatet pozitive. Përfundimi i vettingut vjen në një moment të veçantë të Shqipërisë, në procesin e integrimit evropian. Vettingu ka qenë një prej arritjeve më të rëndësishme për Shqipërinë dhe ka bërë që vendi të jetë më afër integrimit", tha Irena Moozova, përfaqësuesja e Komisionit Evropian.
Për krerët e institucioneve shqiptare, vettingut shënjoi procesin më transformues të shtetit shqiptar, ndarjen nga një epokë.
"Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte më 2016", tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike e ka pasur kosto reale. Por kosto e mosveprimit do ishte më e madhe”, tha zv.kryeministrja Albana Koçiu.
“Ishte një përvojë e vështirë, dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme, tha kreu i KPA-së Sokol Çomo.
Që prej shkurtit 2018 në ‘sitën’ e vettingut u futën 805 gjyqtarë dhe prokurorë. Gjithsej e kaluan provën e pastërtisë vetëm 363, ndërsa shumica dolën nga sistemi i drejtësisë. Nga 442 magjistratë që nuk u konfirmuan në detyrë 268 u shkarkuan, 105 dhanë dorëheqjen dhe 49 të tjerë u larguan pa një vendim përfundimtar.
Zëvendës kryeministrja Albana Koçiu theksoi gjatë fjalës së se me vettingun, drejtësia është bërë më e besueshme.
“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike e ka pasur kosto reale. Por kosto e mosveprimit do ishte më e madhe.
Sistemi i drejtësisë ka ndryshuar. Shqipëria ka një arkitekturë të re kushtetuese. Në emër të qeverisë shqiptare shpreh mirënjohje për të gjithë ata që mbajtën mbi supe këtë proces. Qëlimi ishte një drejtësi e pavarur që nuk merr parasysh se kush është individi që gjykohet. Duhet ta ruajmë standardin e ri të drejtësisë. Reforma në drejtësi është gur themeli për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Koçiu.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në fjalën e tij gjatë konferencës e cilësoi vetingun si një proces domethënës për Shqipërinë. Ai shtoi se vettingu ndihmon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Sot përmbyllet një kapitull që do të mbahet mend për ndërhyrjet që shteti ka ndërmarrë. 10 vite më parë Shqipëria mori një rrugë që shumë pak shtete e ndërmorën.
Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte më 2016. Përgjegjësia e Kuvendit mbetet historike.
Reforma në drejtësi ishte zgjedhje për të pasur institucione më të forta. Po mbyllim një rrugëtim, por nuk do mbyllet kurrë rruga për të ruajtur me përgjegjësi atë që kemi ndërtuar. Nuk ka dhuratë më të çmuar për gjeneratat që do të vijnë – institucione të forta”, tha Peleshi
Komente










