Ditën e nesërme (8 janar) në orën 08:30, kryeprokurori i posaçëm i SPAK, Klodjan Braho ka thirrur mbledhjen e parë me trupën e prokurorëve. Mbledhja është e para mbas prezantimit të kryeprokurorit i cili pritet të flasë me ekipin për prioritetet hetimore.

Braho pason në këtë detyre Altin Dumanin, i cili kreu detyrën si kreu i SPAK për tre vite. Dy ditë më parë Braho firmosi strukturën e re teksa Altin Dumani mori detyrën e shefit të seksionit për marrëdhëniet me jashtë vendit.

Prokurorja Dorina Bejko mori drejtimin e seksionit për hetimin e korrupsionit, ndërsa prokurori Vladimir Mara drejtimin për seksionin kundër krimit të organizuar. Departamenti për marrëdhëniet me jashtë drejtohej nga Dorina Bejko që kishte zëvendësuar Arben Krajën, i cili e mbajti këtë detyrë menjëherë mbasi mbaroi detyrën e kryeprokurorit për afro tre vjet.

Kraja ishte emëruar në këtë detyrë nga pasuesi Altin Dumani, dhe e la postin duke u kthyer prokuror i thjeshtë në SPAK pas konflikteve për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Departamentin e krimit të organizuar e drejtonte deri sot prokurori Adnand Xholi që mbetet prokuror i thjeshtë në këtë sektor. Ai zëvendësohet nga Vladimir Mara i cili është i njohur për drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane.

Si kryeprokuror i posaçëm Braho njihet për karrierën e tij shumë vjeçare të hetimit në nivelet e larta dhe për dosje që kanë bërë bujë duke nisur nga dënimi i ish-prokurorit të përgjithshëm e së fundmi edhe atashimi në grupin hetimor që vendosi nën akuzë zv kryeministren Belinda Balluku.