Rama firmos krijimin e DPAK, drejtoria antikorrupsion për të hetuar administratën! 'Hetues' edhe në spitale, Kadastër, Dogana, Tatime e Postë

Rama firmos krijimin e DPAK, drejtoria antikorrupsion për të hetuar administratën! 'Hetues' edhe në spitale, Kadastër, Dogana, Tatime e Postë

Kryeministria

Këshilli i Ministrave miratoi më 26 qershor ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, (DPAK) e cila ka për mision të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.

DPAK do të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive

Një ndër detyrat e saj është dhe kryerja e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi thuhet në vendim

Në rastet e hetimeve të thelluara, mund të kërkojë dhe ndihmën e ekspertëve vendas dhe të jashtëm të cilët duhet të ruajnë sekretin hetimor.

Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së  DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm.

Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve.

Titullarët e institucioneve  duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër.

Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti" thuhet në pikat 10, 11, 12, 13 të këtij vendimi. 

DPAK do të ketë për funksion mbledhjen e informacionit për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive.  Në çdo rast, në përfundim të hetimit hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së. 

Në rastet e dyshimit të arsyetueshëm dhe administrimit të provave për praktikën korruptive, kjo drejtori paraqet kallzim penal në prokurori.
Në varësi të kryeministrit

Struktura dhe organika e DPAK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit. Drejtori do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. Përgjigjet para tij dhe kryeministrit.

Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. Ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatit për drejtor është dhe fakti që duhet të jetë shtetas shqiptar  s'duhet të jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake të paktën 5 (pesë) vitet e fundit para emërimit dhe as të ketë konflikt interesi.

Koordinator në cdo institucion

Vendimi parashikon po ashtu edhe institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit. Janë 26 institucione mes tyre dhe spitale, agjenci e drejtori. Kjo strukturë do të shtrijë veprimtarinë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ka një sërë kompetencash. 

DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line. Po ashtu, bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive.

Institucionet qe do kene koordinator kundër korrupsionit
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a;
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural;
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në nivel qendror dhe në drejtoritë vendore, sipas përcaktimit të DPAK-së;
Agjencia e Trajtimit të Pronave;
 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar;
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
Instituti i Shëndetit Publik;
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit;
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë;
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor;
Posta Shqiptare;
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”;
Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”;
Spitali Universitar i Traumës;
Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”;
Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
Shërbimi Social Shtetëror.

Sa do paguhen

Përveç pagës mujore, nëpunësit e DPAK-së përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:
- 65 000 lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon hetimin, analizën dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve;
 40 000 lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.

VENDIM 

"PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT" 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 2, e 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

1. Krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (në vijim DPAK), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin (në vijim ministri), në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë.

2. DPAK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.

3. Misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT

DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për:

a) koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit;
b) zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit;
c) rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit;
ç) kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi;
d)  ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT

1. DPAK-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme.

2. DPAK-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

3. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të DPAK-së rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

4. Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në një nga degët e arsimit të lartë;
ç) Të ketë të paktën 5 (pesë) vite përvojë pune në profesion;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos jetë angazhuar në funksione drejtuese partiake të paktën 5 (pesë) vitet e fundit para emërimit;
ë)  Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.

5. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:

a) humbet shtetësinë shqiptare;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ç) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
dh) ristrukturohet institucioni;
e)  jep dorëheqjen nga detyra.

6. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:

a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës;
d) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë në vijim/radhazi.

7. Ministri, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit:

a) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e zhvillimit institucional, në përputhje me prioritetet dhe politikat shtetërore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit;
b) propozon politikat në fushën e antikorrupsionit;
c) nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe organizatat vendore, rajonale e ndërkombëtare në fushën e luftës kundër korrupsionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) u dërgon kërkesë institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin për emërimin e koordinatorit antikorrupsion;
d) raporton drejtpërdrejt para Kryeministrit për veprimtarinë e       DPAK-së dhe të koordinatorëve sa herë kërkohet nga ky i fundit.

8. Drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së ushtron përgjegjësitë e mëposhtme:

a) Drejton, organizon dhe kontrollon veprimtarinë e DPAK-së;
b) Mbikëqyr punën e nëpunësve dhe koordinatorëve antikorrupsion;
c) Miraton procedura standarde të brendshme për mbarëvajtjen e punës;
ç) I propozon ministrit ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore brenda fushës së veprimtarisë që mbulon DPAK-ja, duke argumentuar edhe arsyet mbi këto propozime;
d) Menaxhon buxhetin e DPAK-së dhe është përgjegjës për mënyrën e shpenzimit të tij, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin;
dh) Informon dhe raporton te ministri sa herë që i kërkohet dhe jo më pak se një herë në 3 muaj mbi çështje të caktuara që kanë të bëjnë me veprimtarinë e DPAK-së;
e) Miraton planet e hetimit;
ë) Delegon ankesat, rast pas rasti, te nëpunësit e DPAK-së apo te koordinatorët kundër korrupsionit;
f) Për raste specifike dhe kur ka mungesë të ekspertizës brenda                DPAK-së, vendos për angazhimin e ekspertëve të jashtëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

9. DPAK-ja për të realizuar misionin dhe për të ushtruar përgjegjësitë, sipas këtij vendimi, kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Mbështet ministrin për hartimin e politikave në fushën e antikorrupsionit;
b) Mbledh informacionin për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe kryen hetimin administrativ brenda fushës së përgjegjësisë;
c) Planifikon dhe kryen hetime administrative për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi;
ç) Bashkëpunon me agjencitë homologe të huaja, agjencitë e zbatimit të ligjit, struktura të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me organizatat jofitimprurëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së zbatimit të këtij vendimi, dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e antikorrupsionit;
d) Harton dhe rishikon në mënyrë periodike analizën e vlerësimit të riskut për korrupsionin;
dh) Përpunon të dhëna lidhur me veprimtarinë që ushtron dhe i publikon ato në mënyrë periodike në faqen e saj zyrtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe informimin e publikut;
e) Paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë në rastet e dyshimit të arsyeshëm, verifikimit të indicieve apo administrimit të provave për praktikën korruptive;
ë) Monitoron veprimtarinë e koordinatorëve antikorrupsion dhe kryen vlerësimin e punës së tyre çdo 6 (gjashtë) muaj;
f) Kryen detyra të tjera të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi dhe ministri në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

10. Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së         DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm.

11. Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve.

12. Titullarët e institucioneve sipas pikës 11, të këtij kreu, duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër.

13. Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti.

14. Në çdo rast, në përfundim të hetimit të thelluar dhe hetimit administrativ hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së.

15. Procedura e hetimit administrativ nga DPAK-ja kryhet në bazë të kreut VI, të këtij vendimi.

16. DPAK-ja kryen rolin e koordinatorit kundër korrupsionit në ato institucione ku vendi i koordinatorit mbetet bosh, deri në plotësimin e tij.

17. Struktura dhe organika e DPAK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

18. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të DPAK-së dhe të koordinatorëve kundër korrupsionit miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së. Pjesë e rregullores është edhe procesi i vlerësimit të punës së koordinatorëve kundër korrupsionit, duke iu referuar, për sa është e mundur, procesit të vlerësimit të nëpunësve civilë.

19. DPAK-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e DPAK-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

20. Vula e DPAK-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

21. Përveç pagës mujore, nëpunësit e DPAK-së përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:

a) 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon hetimin, analizën dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve;
b) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.

IV. KOORDINATORËT KUNDËR KORRUPSIONIT

1. Institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit janë, si më poshtë vijon:

a) Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a;
b) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
c) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural;
dh) Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në nivel qendror dhe në drejtoritë vendore, sipas përcaktimit të DPAK-së;
e) Agjencia e Trajtimit të Pronave;
ë) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
f) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
g) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
gj)  Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar;
h)  Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
i)   Instituti i Shëndetit Publik;
j)   Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit;
k)  Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
l)   Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
ll)  Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
m)  Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë;
n)  Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor;
nj)  Posta Shqiptare;
0)  Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”;
p)  Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”;
q)  Spitali Universitar i Traumës;
r)  Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”;
rr)  Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
s)  Shërbimi Social Shtetëror.

2. Koordinatorët kundër korrupsionit të përmendur në pikën 1, të këtij kreu, ushtrojnë veprimtarinë e tyre për institucionin ku janë emëruar në nivel qendror dhe rajonal/vendor.

3. Koordinatorët kundër korrupsionit emërohen nga titullari i institucionit me kërkesë të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, për një afat 2-vjeçar. Marrëdhëniet e punës së koordinatorit rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

4. Në institucionet e administratës shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, pagat e të cilëve miratohen nga një organ i ndryshëm nga Këshilli i Ministrave, niveli i pozicionit “Koordinator kundër korrupsionit” është i njëjtë me nivelin e punonjësit më të lartë pas titullarit të institucionit ku është emëruar.

5. Lirimi dhe shkarkimi nga detyra i koordinatorit bëhet nga titullari i institucionit, entit publik ose shoqërisë tregtare me kapital shtetëror, sipas kërkesës së Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

6. Koordinatori përgjigjet para drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së për të gjithë veprimtarinë e ushtruar në rolin e koordinatorit.

7. Procedurat e përzgjedhjes e të rekrutimit të kandidatëve për koordinator përcaktohen në rregulloren e brendshme të DPAK-së. Në rast të mbarimit të mandatit, sipas përcaktimit në pikën 3, të këtij kreu, koordinatori, të cilit i ka përfunuduar mandati, mund të emërohet si koordinator në të njëjtin pozicion apo në një institucion tjetër të përcaktuar në këtë kre, bazuar në vlerësimin e punës, pa kaluar në një procedurë të re rekrutimi.

8. Kandidatët për koordinatorë kundër korrupsionit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a)  Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në një nga degët e arsimit të lartë, sipas përcaktimit në shpalljen publike;
c) Të kenë të paktën 2 (dy) vite përvojë pune në profesion;
ç)  Të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Ndaj tyre të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Të mos kenë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.

9. Koordinatori kundër korrupsionit lirohet nga detyra kur:

a) përfundon mandati;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ç) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
dh) ristrukturohet institucioni;
e) jep dorëheqjen nga detyra.

10. Koordinatori kundër korrupsionit shkarkohet nga detyra kur:

a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës;
d) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë në vijim/radhazi.

11. DPAK-ja vë në dijeni Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, në rast se konstaton parregullsi gjatë ushtrimit të detyrave nga koordinatori.

12. Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, në varësi të shkeljes së konstatuar, i propozon titullarit të institucionit, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror pezullimin e koordinatorit ose marrjen e masës disiplinore për largimin nga funksioni.

13. Procedura që ndiqet për ecurinë disiplinore përcaktohet në rregulloren e brendshme të DPAK-së, duke iu referuar, për sa është e mundur, procedurës displinore të nëpunësve civilë.

14. Koordinatori raporton për veprimtarinë e kryer prej tij, çdo 3 (tre) muaj, pranë DPAK-së dhe/ose sa herë kërkohet nga kjo e fundit.

V. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË KOORDINATORËVE

Koordinatori ushtron këto detyra:

a) Mbledh informacion për veprimtaritë korruptive, praktikat abuzive apo arbitrare nga burime të ndryshme dhe kryen hetime administrative;
b) Bashkëpunon me strukturat e brendshme të institucionit, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror për shqyrtimin e rasteve të korrupsionit;
c) Këshillon, udhëzon e ndërgjegjëson nëpunësit dhe qytetarët për identifikimin e adresimin e rasteve korruptive pranë institucioneve të tyre;
ç) Vlerëson rrezikun e korrupsionit duke analizuar mundësitë e shfaqjes së formave të veçanta të korrupsionit;
d) Harton raportin përfundimtar të rastit, objekt verifikimi, dhe e përcjell atë pranë DPAK-së;
dh) Kryen çdo detyrë tjetër të parashikuar në këtë vendim ose të deleguar nga drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së, në përputhje me kompetencat e tij;
e) Në çdo rast, ndjek e raporton pranë DPAK-së zbatimin e rekomandimeve të marra nga institucioni përkatës;
ë)  Kërkon hetim të thelluar, sipas rastit, nga DPAK-ja.

VI. PROCEDURA E VERIFIKIMIT, ADMINISTRIMI DHE DOKUMENTIMI

1. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët kanë pavarësi gjatë verifikimit të rasteve korruptive, praktikave abuzive apo arbitrare.

2. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët fillojnë procedurën e hetimit në bazë të ankesave apo denoncimeve, të cilat administrohen nga DPAK-ja.

3. Informacionet, ankesat dhe denoncimet anonime trajtohen vetëm në rastet kur të dhënat e paraqitura pranë koordinatorit sigurojnë bazë të mjaftueshme për të filluar procedurën e verifikimit.

4. Për çdo procedurë hetimi apo verifikimi, nëpunësit e                                         DPAK-së/koordinatorët hapin një dosje të veçantë, e cila përmban çdo dokumentacion të ardhur, të marrë apo të mbledhur, lidhur me praktikën në fjalë. Në përfundim të kontrollit, materiali i dosjes ruhet e administrohet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat.

5. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët dokumentojnë çdo sqarim apo shpjegim, që i jepet nga personi denoncues. Për të provuar shkeljen, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori mund të kërkojë ballafaqimin e personit denoncues me nëpunësin e institucionit, në rastin kur pranon të mos i ruhet anonimati.

6. Në rastet kur denoncimi vjen nga nëpunës të institucionit, i cili kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar zbulimin e identitetit të tij, edhe nëse nga vlerësimi i rastit nuk konstatohen shkelje.

7. Gjatë verifikimit, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori ka të drejtë të mbledhë informacione dhe dokumente, të cilat bëhen pjesë e dosjes së verifikimit.

8. Dokumentacioni i administruar në kuadër të një verifikimi duhet të jetë i shoqëruar me vulën përkatëse të institucionit për të garantuar vërtetësinë e tij.

9. Nëpunësi, të cilit i është kërkuar dorëzimi i dokumenteve të shkruara dhe/ose materialeve të tjera pranë nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit, duhet të sigurojë që materiali i kërkuar të dorëzohet menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga paraqitja e kërkesës.

10. Në përfundim të hetimit ose të verifikimit dhe përpara formulimit të raportit përfundimtar, nëpunësit përgjegjës i vihet në dispozicion aktkonstatimi nëpërmjet protokollit apo e-mail-it zyrtar dhe i kërkohet të dokumentojë komente, sqarime apo shpjegime për çështje që lidhen me objektin e verifikimit, si dhe për fakte e rrethana të tjera që kanë lidhje me to brenda 7 (shtatë) ditëve. Komentet, sqarimet, shpjegimet apo dokumentacioni shtesë i nëpunësit përgjegjës bëhen pjesë e dosjes së verifikimit dhe pasqyrohen në raportin përfundimtar. Në rast refuzimi nga nëpunësi përgjegjës për të dhënë sqarime, nëpunësi i                                       DPAK-së/koordinatori dokumenton refuzimin e vijon me hartimin e raportit përfundimtar.

11. Pas përfundimit të procedurës së verifikimit, nëpunësi i                                  DPAK-së/koordinatori harton raportin përfundimtar të arsyetuar, i cili përmban metodologjinë e verifikimit të kryer, gjetjet, si dhe rekomandimet për ecurinë e trajtimit të rastit dhe e përcjell pranë drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së për miratim.

12. Në rast se drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së vlerëson se raporti përfundimtar i hartuar nga nëpunësi i DPAK-së/koordinatori nuk është i plotë apo ka mangësi në referimin e dokumenteve provuese, kthen praktikën dhe udhëzon për vazhdimin e verifikimeve për rastin.

13. Në rast se nga raporti përfundimtar vlerësohet se nuk ka shkelje administrative apo elemente të veprës penale, nëpunësi i                              DPAK-së/koordinatori i propozon drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së mbylljen dhe arkivimin e çështjes.

14. Në rast se, bazuar në raportin përfundimtar, vlerësohet se ka shkelje administrative, i propozohet drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së të miratojë raportin dhe ta përcjellë atë pranë drejtuesit të institucionit përgjegjës.

15. Kur, bazuar në raportin përfundimtar vlerësohet se rasti përmban elemente të veprës penale, i propozohet drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së përcjellja e çështjes në organin e Prokurorisë, së bashku me të gjithë dokumentacionin e administruar.

16. Gjatë procesit të verifikimit, administrimit dhe dokumentimit, për çështjet që nuk parashikohen në këtë vendim respektohen parimet e përgjithshme dhe dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

1. Me kërkesën e Kryeministrit, DPAK-ja kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim, në ministritë e linjës dhe çdo institucion tjetër të administratës shtetërore.

2. DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe/ose çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line.

3. DPAK-ja bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive.

4. DPAK-ja bashkëpunon me struktura të vendeve të tjera, përgjegjëse për çështjet kundër korrupsionit, sipas marrëveshjeve të lidhura për këtë qëllim, nëpërmjet ministrit.

5. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët asistohen në veprimtarinë e tyre nga stafi i strukturave të administratës shtetërore, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror ku zhvillojnë hetimin administrativ.

6. Institucionet dhe njësitë organizative, entet publike apo shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të përmendura në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi,:

a) vendosin në dispozicion të nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit të gjitha aktet e materialet e kërkuara ose kopje të njësuara me origjinalin e tyre në kohën dhe në mënyrën e kërkuar. Në rastet kur informacioni i kërkuar është i klasifikuar, marrja dhe përdorimi i tij bëhen sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”;
b)  bashkëpunojnë me koordinatorin e emëruar pranë institucionit të tyre dhe asistojnë atë për përmbushjen e misionit;
c)  krijojnë kushtet e punës për koordinatorin;
ç)  krijojnë infrastrukturën e nevojshme për aksesin e qytetarëve pranë zyrës së koordinatorit, sipas orareve të përcaktuara nga këta të fundit;
d) krijojnë akses në bazën e tyre të të dhënave, në të njëjtin nivel me punonjësit e auditimit të brendshëm apo të strukturave kundër korrupsionit.

7. Mosdhënia e informacionit të kërkuar, pengimi i nëpunësit të                       DPAK-së/koordinatorit në kryerjen e detyrave dhe çdo shkelje lidhur me dhënien e dokumentacionit apo të informacionit të kërkuar përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës dhe, në rast të përsëritur, informohet institucioni epror për marrjen e masave përkatëse.

8. Mosfillimi i procedurave për ndjekjen e rekomandimeve dhe masave të propozuara nga DPAK-ja përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore të titullarit përgjegjës nga institucioni epror, ku institucioni përgjegjës ka varësinë.

VIII. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të DPAK-së, sipas përcaktimeve të këtij vendimi:

a) struktura aktuale vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar;
b) funksionet e shërbimeve mbështetëse dhe të financës për llogari të DPAK-së kryhen nga njësitë përkatëse pranë Kryeministrisë.

2. Për nëpunësit civilë aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, në Ministrinë e Drejtësisë, zbatohen procedurat e legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes e të ristrukturimit të institucioneve.

3. Për koordinatorët, pjesë të rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit, të cilëve sipas këtij vendimi iu shkurtohet pozicioni i punës, zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.

4. Vendimi nr.618, datë 20.10.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, koordinatorët e rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit, Kryeministria, ministritë e linjës, si dhe institucionet e administratës shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, pjesë e Rrjetit të Koordinatorëve, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 

 

S.B/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xhei: 27/06/2024 09:00

    sajo ndonje gje tjeter se me kete te fundit ska per te firmos me asnjeri ne administrate sic nuk po firmos deri me tani ))

    Përgjigju
  • Koordinatori antikorrupsion (Estrada Tirane): 27/06/2024 08:46

    Z. Kryeminister, une kam dyshime te arsyeshme se ju jeni kokrra e hajdutit se shpjegim tjeter nuk ka per situaten dhe masat qesharake qe merren.

    Përgjigju
  • tironci: 27/06/2024 08:36

    Drejtori do ket page 650 mij te vjetra, ???? atij si dalim per kafe e cigare e ju prisni me ate rroge te luftoje korrupsionon oiiiiii oiiiii

    Përgjigju
  • Ardi: 27/06/2024 07:26

    ore hetuset nga zgjidhen apo nga partia se po me duket nje strukture qe sfidon spak-un

    Përgjigju
  • Kali: 27/06/2024 07:24

    Dpaku vs Spaku.Dpaku do e haj me pabesi Spakun.U krijua mos te shkoj asnjeri ne burg

    Përgjigju
  • Populli: 27/06/2024 06:40

    Shto struktura sa te duash ne kurriz te popullit,e njëjta gje do te jete,edhe ata do vjedhin,nuk e kuptoj cfare bejne ministrat me gjithe ate strukture qe kan

    Përgjigju
  • sapa: 27/06/2024 06:39

    I bere te lumtur me para edhe disa drejtues te ketij grupimi kriminal.Se te ndershem nuk ke aty!

    Përgjigju
  • Rakipi: 27/06/2024 06:20

    Të krijosh një tjetër institucion që nuk do e luftojë korrupsionin por do bëjë çfarë po bëjnë gjithë institucionet e tjera, është tallje me taksapaguesin. Treguesi që këto institucione nuk funksionojnë është raporti midis emigrimit (pa kthim të shqiptarëve) dhe rikthimit të tyre në vend është negativ për 34 vite.

    Përgjigju
  • vlonjati: 27/06/2024 05:38

    hajduti kerkon te kape hajdutin,,kjo nuk ndodh kurre...

    Përgjigju
  • Iris: 27/06/2024 04:58

    /...C'e ndreq me popullin qe s'di c'kerkon,do kthyer fleta sa s'eshte vone! Pa dy-tri pushke dhe ne armiqve.Addio bello,prone e cifliqe! Do na mbulojne pleherat e tokes,do ngrihen kembet t'i bien kokes.Do dale djalli nga fundi i dheut.Do ngrihet bujku t'i thote beut:-C'beje zotrote, bej efendi kur une luftoja per Shqiperi?-Pa do na nxjerre kushedi c'deftere.Zjarri i xhehnemit mbi ne do bjere! Prandaj o burra dhe ne ne cete,Atdhene e lire ta bejme vete.T'i kthejme krahet mikut qe patme,t'i marrim xhane,se ndryshe vame!....Te gjithe te pushkes,te gjithe te malit.Tani qe i rane patkonjte kalit.Na ngordhi kali,i rane thonjte.C'po vrapon Balli t'i heqe patkonjte /Na zjen ne deje gjak shqiptari,S'durojme kurre zgjedhe barbari! Do bejme lufte,de more de,Si lum ti popull mezi na ke!/.../Do bejme lufte,Do tundim malet/ Dhe fshati qeshet dhe bota tallet.Dhe vendi pyet/C'vapor i solli? Ku ish gjer dje kjo fare sokoli?! = Fragmente nga /Epopeja e Ballit Kombetar/e Sh Musarajit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta/ PD kallëzon në SPAK dhe te Prokuroria e Tiranës ministrin Hoxha, kryepolicin Proda dhe zinxhirin komandues: Ushtruan dhunë!

Protesta/ PD kallëzon në SPAK dhe te Prokuroria e Tiranës ministrin Hoxha, kryepolicin Proda dhe zinxhirin komandues: Ushtruan dhunë!