Krijohet shoqata në mbrojtje
të Drejtshkrimit të Shqipes 

Krijohet shoqata në mbrojtje<br />të Drejtshkrimit të Shqipes 
TIRANE - Promovimi i librit të Preng Cub Lleshit që mban titullin “Mos e vritni fjalën shqipe”, do të jetë një ndër aktivitetet e para të shoqatës së sapokrijuar të Gjuhësisë Shqiptare në Tiranë. Shoqata do të bëj paraqitjen e librit të autorit Preng Cub Lleshi ditën e premte, më 29 maj 2015, ora 11.00 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Preng Cub Leshi, së bashku me gjuhëtarët e tjerë të shquar si Mehmet Çeliku, Rahmi Memushaj, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Shpëtim Çuçka, Rexhep Ismajli e Shefkije Islamaj, kanë ngritur zërin në media kundër prekjes së normave të Drejtshkrimit. Protestat kanë qenë të shumta pas një debati të madh gjuhësor dhe konflikteve mes anëtarëve të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që propozoi ndryshime në Drejtshkrimin e Shqipes.

Preng Cub Leshi ka qenë edhe një ndër delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972, ku në bazë të vendimeve të këtij kongresi u zyrtarizuan normat gjuhësore të shqipes. Kështu ai ka përmbledhur në këtë libër argumentet se pse nuk duhen cenuar këto norma.
 
Rami Memushaj: Ja objektivat e shoqatës
Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare është themeluar nga një grup nismëtarësh, studiuesish e pedagogësh shqiptarë të fushave të ndryshme të gjuhësisë, si një organizëm me përfaqësim të gjerë mbarëkombëtar. Themeluesit e kësaj shoqate janë Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Rami Memushaj, Shpëtim Çuçka, Kujtim Kapllani.
 
Shoqata është regjistruar me vendimin nr. 3925, datë 9.07.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në cilësinë e kryetarit aktualisht është profesor Emil Lafe. Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare si objektiv kryesor të saj ka mbrotjen e gjuhës shipe dhe Drejtshkrimit të saj. Një vit pas iniciativës për ngritjen e kësaj shoqate, tashmë ajo ka fituar të drejtën ligjore për të ushtruar aktivitetin e saj. Më 29 maj kjo shoqatë do të zgjedhë edhe kryesinë e saj pas çeljes së aktivitetit nga prof. dr. Emil Lafe dhe diskutimeve që do të mbahen për problemet aktuale të gjuhës shqipe nga Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Shpëtim Çuçka, etj.

Një nga iniciatorët e themelimit të Shqoqatës së Gjuhësisë Shqiptare, Rami Memushaj pohon për “Shqiptarja.com” se
“Shoqata ka për qëllim mbrojtjen e pasurisë gjuhësore të trashëguar, studimin e shqipes së sotme standarde dhe sigurimin e mundësive për zhvillimin e qëndrueshëm të saj, përmirësimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe, ngritjen e kulturës gjuhësore në shtyp, në botime e në ligjërimet publike”.

Memushaj kujton se shoqata gjuhësore të ngjashme ka në shumë shtete të botës, mjafton të kujtojmë Akademinë gjuhësore Della Crusca të Italisë, të krijuar në vitin 1583; Shoqatën Gjuhësore të Parisit, të themeluar më 1864, ose  Shoqatën Gjuhësore të Amerikës, të themeluar në vitin 1924, e cila ka pasur në gjirin e saj gjuhëtarët më në zë të ShBA-së. “Shoqata jonë e ka nisur veprimtarinë që vitin e kaluar, duke organizuar paraqitje botimesh për gjuhën shqipe dhe po vijon edhe këtë vit me paraqitjen e një botimi tjetër të kohëve të fundit.

Megjithatë, ajo është ende në fazën e konstituimit të organeve drejtuese të saj dhe të zgjerimit të anëtarësisë me anëtarë nga të gjitha trojet, në radhë të parë, nga institutet e gjuhësisë dhe nga departamentet e gjuhës të të gjitha universiteteve tona këtu, në Kosovë dhe në Maqedoni”, pohon Memushaj.

Ndërsa sipas prof. Emil Lafe, ndër planet afatshkurtra të Shoqatës janë, së pari, botimi i një reviste 6-mujore që do t’i shërbejë njohjes së arritjeve të gjuhësisë shqiptare dhe ngritjes së kulturës gjuhësore të folësve; së dyti, organizimi i leksioneve verore të hapura dhe falas për të gjithë ata që kanë interesa gjuhësorë; dhe, së treti, ndërgjegjësimi i organeve shtetërore për kujdesin që duhet treguar për gjuhën. Ndërsa për mungesën aktuale të kujdesit për gjuhën prof. Rami Memushaj ka shumë vërejtje.

Ai thotë se “Për kujdesin ndaj gjuhës i kemi sugjeruar që vitin e kaluar Ministrisë së Arsimit pajisjen falas të nxënësve nga klasa e pestë deri në klasën e dymbëdhjetë me fjalorin e gjuhës shqipe, si libër ose në versionin elektronik; do të kërkojmë edhe miratimin e Ligjit për gjuhën, një projekt i të cilit fle në Kuvend që prej vitit 2005”. Sipas prof. Memushaj, “miratimi i këtij ligji bëhet  i domosdoshëm jo vetëm se kujdesi shtetëror për gjuhën është në pikën më të ulët, pasojat e mungesës së të cilit i shohim të gjithë përditë, po edhe sepse një ligj për gjuhën pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Do të duhej që, në përputhje me parimet e shpallura nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës për afrimin kulturor të të dy pjesëve të kombit, të kishte një qëndrim të përbashkët e të njëjtë edhe për këtë pikë, duke qenë se gjuha standarde është pasuri e përbashkët e ngritur me mundin dhe përpjekjet e përbashkëta të gjuhëtarëve dhe të lëvruesve të shqipes në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi”, theksoi prof. Rami Memushaj për “Shqiptarja.com”

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023