Krimi mjedisor në Shqipëri mbetet “pa autor” dhe pa ndëshkim! Ky është konkluzioni alarmues i 5 studimeve të realizuara nga Qendra Burimore e Mjedisit, REC Shqipëri, ku janë filtruar të gjitha hallkat e sistemit, nga inspektorët e terrenit deri te gjyqtarët e Apelit.

Të dhënat tregojnë se mbi 90 % e dëmeve në mjedis janë proceduar vetëm me gjoba, pasi mungon rregullimi ligjor,  për ndarjen e pasojave të lehta nga ato të rënda.

“Mbi 70% e procedimeve penale nuk fillojnë fare, ose mbyllen rrugës, duke bërë që pushimi i çështjeve të kthehet në standard. Prokurorët, shpesh, pa trajnimin e duhur për natyrën komplekse teknike të veprave penale me karakter mjedisor, lejojnë që rastet më flagrante, sikurse është ndotja në shkallë industriale, të mbeten të pandëshkuara, ndërsa në gjyq dërgohen kryesisht vepra minore’, tha Mihallaq Qirjo, drejtues i REC Shqipëri.

Edhe pse këtë vit, rastet e zjarrvënieve u cilësuan si krim i organizuar, raporti evidenton dështimin e drejtësisë në këtë drejtim.

“Paradoksi thellohet në dyert e Gjykatave, ku drejtësia për mjedisin është e vonuar dhe pa prioritet, me çështje që zënë një volum të papërfillshëm prej 0.25% në Gjykatën e Apelit. Një fakt tronditës që ilustron dështimin e sistemit është se, ndonëse djegia e pyjeve është një plagë kombëtare, për periudhën 2008-2025 nuk gjendet asnjë gjykim për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve”, tha Mihallaq Qirjo, drejtues i REC Shqipëri.

Ndërkohë, edhe kur sistemi administrativ tenton të veprojë përmes gjobave, sipas raportit, rezultatet lënë për të dëshiruar. Vetëm 11.4% e gjobave arkëtohen realisht, duke lënë miliona euro dëm financiar të parikuperuar dhe autorët të pandëshkuar.