Fëmijët tanë erdhën në një kohë të çuditëshme: Shihnin plot me plehra lagjet, rrugët, plazhet e Shqipërisë dhe me kujdes ecnin në majë të gishtërinjve për të mos u shpuar nga ndonjë shiringë e “mbetjeve spitalore”. Edhe në plazhet e ashtuquajtura të elitës shqiptare; deri aty ku kishin vilat e tyre gjigande ish-presidentë, ish-kryeministra e deputetë.

Pikërisht për këtë arsye, në shkolla apo jashtë tyre, u rritën me fushata për pastrim: Shkojmë në Golem për të pastruar plehrat! Shkojmë te Liqeni dhe grumbullojmë plehrat, shkojmë në Elbasan dhe mbledhim plehrat, shkojmë te Gjiri i Lalzit dhe mbledhim plehrat, shkojmë në Lurë, kalojmë në Vjosë… Fëmijët tanë u rritën duke pastruar plazhe, duke mbjellë pemë, duke ndihmuar kafshët, duke mos hedhur asnjë mbeturinë e duke i mbajtur në çantën e shpinës deri në kthim në shtëpi.

Gjenerata Z është mësuar të pastrojë plehrat dhe të ruajë mjedisin që ndotim ne, fabrikat tona, nafta jonë, spitalet tona, aktivitetet tona. Dhe në gjithë këto vite na kanë vëzhguar me sytë e tyre që gjoja i mbanin mbi smartfonë, në tastierë. Të rinjtë na kanë vëzhguar me sy të padukshëm të zemrës dhe të natyrës dhe ja sot, reagojnë.

Prandaj është qesharake ajo pjesë e shoqërisë që kërkon llogari duke u habitur: “Ku ka ambjentalistë në Shqipëri! Kujt i dhimbsen flamingot e pelikanët! Po plehrat që vazhdojnë këndej e andej e kudo!...”. Plehrat që shohim sot vazhdojnë të jenë plehrat e brezit tonë, prindërve të tyre.

Të rinjtë po bëjnë atë që dinë dhe duhet të bëjnë: Ata duhet të na kapërcejnë të gjithëve dhe të na lenë pa fjalë. Nuk merret leje kur duhet bërë një ndryshim, por që ndryshimi të fitojë e të ketë peshën e tij përmirësuese në një shoqëri, duhet të jetë pashpjegueshmërisht dhe natyrshëm më i mirë. Fitues mbi gjithçka! Për këtë duhen fakte dhe kohë që ta verifikojmë.