Kristi Gjezi, fisniku i ri i violinës
në skenat botërore

Kristi Gjezi, fisniku i ri i violinës<br />në skenat botërore
Violina si instrument studiohet në moshë fare të vogël. Krenohen muzikantët me koncertet e para në një garë shpejtësie, talenti e sfide me veprat, kompozitorët e rëndësishëm e më pas me studimet në Konservatorët e shkollat prestigjioze të artit.

Debutojnë suksesshëm në skenë, përjetojnë emocion e duartrokitje. E vetëm disa ndjekin ëndrrën e gjithë violinistëve të famshëm, lavdinë që japin në mënyrë speciale dhe të padiskutueshme konkurset e rëndësishme ndërkombëtare, udhërrëfyeset e suksesit të instrumentistëve. Ata më të mirët, që përballojnë e nisin një karrierë ndërkombëtare marrin pjesë në këto evenimente të botës muzikore, të njohura si institucione të konsoliduara me historitë e suksesit të personaliteteve të artit ndër dekada.

Në përzgjedhje të gjata dhe të lodhshme, aftësia, talenti, programet tejet të ngjeshura e të vështira ndërthuren me momentin, suksesin, fatin, domosdoshmërinë për të luajtur me violinën e vjetër e të çmuar, mundësuar nga fondacionet.

Ccdo çmim i fituar është si një bekim për të ardhmen. Një botë muzikore gati e panjohur për publikun e thjeshtë të mësuar me magjinë disaminutëshe të këngëve, një botë elitare, ku kanë privilegjin të përballen më të mirët. Konkurset ndërkombëtare, këto sfida profesionalizmi, durimi, fati, përgatitjeje, ofrojnë në skenat prestigjioze debutuesit e aftë, talentet nga e gjithë bota.

Në kushtet e sotme të teknologjisë, nëpërmjet internetit informohesh, ke shansin të ndjekësh debutimet, videot, recitalet e deri dokumentarët që realizohen në institucionet e rëndësishme të artit. Midis më të mirëve violinistë, Kristi Gjezi të emocionon me lojën, suksesin dhe çmimet që u rrëmben me thjeshtësi konkurseve ndërkombëtare. Mbiemri Gjezi është i njohur në botën muzikore shqiptare me emrat e vëllezërve të talentuar Pirro e Pandush, ndërsa Kristi do vazhdonte traditën, tashmë në një shtet të madh si Franca, atje ku familja e tij u vendos si shumë familje të tjera shqiptare pas viteve 1990.

E tradita do ish disi ndryshe, me një shkollim të saktë që vetëm një solist i Teatrit të Operës e violinist si i ati, Pirro Gjezi, do mund t’ia edukonte. Modeli i zgjedhur duket se linte pas atë dëshirë të dikurshme shqiptare për fëmijë spektakolarë violinistë, duke e udhëhequr Kristin në rrugën e shtruar të suksesit natyral, dy duarve që krahas shpejtësisë dhe virtuozizmit rendnin drejt thellësisë së tigullit, të një loje që sfidon moshën. Interpretimi i veprave të vështira kërkon kualitete, dhe kështu jo vetëm programet, po vetë loja violinistike ngjason me interpretimet e violinistëve të rritur.

Duket se që në fëmijëri gjithçka u vendos siç duhet, në një ekuilibër midis virtuozimit dhe profesionalizmit, duke kërkuar përsosmërinë në çdo pjesë, frazë, nga njëri kompozitor tek tjetri. Studimet në Bordo vazhduan me ato të Konservatorit Nacional Superior të Muzikës dhe Dansit në Paris, dhe kështu në moshën 13-vjeçare violinisti Kristi Gjezi filloi studimet në klasën e Patrice Fontanarosa. Krahas debutimeve të vazhdueshme në skena e koncerte trofeu i parë i rëndësishëm erdhi në vitin 2005,  me fitoren e çmimit të parë në konkursin internacional të violinës në Avignon (Ginette Neveu) Francë.

Në vitin 2007 bashkë me vlerësimin “shumë mirë” e unanim të jurisë do integronte diplomën dhe ciklin e perfeksionimit në klasën e Jean Jacques Kantorow dhe Svetlin Roussev, gjithnjë në Konservatorin Superior të Parisit. Viti 2008 vjen me një tjetër çmim të rëndësishëm, çmimin e tretë të konkursit prestigjioz “Tibor Varga” në Sion të Zvicrës, një konkurs tejet i vështirë. E kështu më pas vjen një tjetër çmim, e mesa duket këto janë standarte tashmë të vendosura.

Një tjetër konkurs i rëndësishëm është ai i vitit 2009, ku violinisti Kristi Gjezi është fitues i një çmimi të dytë, këtë herë në një tjetër eveniment me peshë siç është konkursi internacional i violinës “Pablo de Sarasate” në Pamplona ( Spanjë). Interpreton me Orkestrën e Simfonike të Navarrës, të themeluar nga Sarasade në 1879. Ky konkurs si dhe të tjerë që mbajnë emra të rëndësishëm violinistësh synojnë të nderojnë emrat e mëdhenj të botës muzikore dhe promovojnë të rinjtë më të aftë, nëpërmjet çmimeve, koncerteve, interpretimit me orkestra të njohura. Konkurse të vëhtira, një CV e shkëlqyer që hap të tjera perspektiva e duartrokitje.

Këtë herë, pjesëmarrja në një tjetër konkurs ndërkombëtar në vitin 2013 do sillte një trofe nga Moska, duke e bërë fitues të çmimit të dytë në konkursin e violinës “David Oistrakh” në Moskë. Në bashkëpunim me Konservatorin Çajkovskij, Ministrinë e Kulturës, e të tjera institucione, ky konkurs i dedikohet violinistit të madh rus David Oistrakh, duke kërkuar zhvillimin e traditës ruse të interpretimit dhe mbështetur talentet në fuqizimin e karrierës.

Gazeta “Le Marseillais”, në nëntor 2013, cilësonte se ky violinist 23-vjeçar do ketë një të ardhme të ndritur. Në internet debutimet e dokumentarët vijëzojnë portretin e violinistit të ri e fisnik, teksa emocionon me përzgjedhjen e tij si spalë e parë e OSR (Orkestra e Zvicrës Romande, frankofone ) në vitin 2013-2014. Interpretimi dhe pjekuria artistike si muzikant e bëjnë Kristin të admirueshëm dhe të suksesshëm për gjithë atë publik që ndjek nga salla e nëpërmjet internetit.

Këtë vit është një nga spalat në Orkestrën Filarmonike të Monte-Carlos, ndërsa aktiviteti si solist me orkestra prestigjioze dhe në formacine të muzikës së dhomës përfshin një numër të madh festivalesh në Evropë: si në Zvicër, Spanjë, Francë, Bulgari etj. Debutues si solist me orkestra prestigjioze dhe i ftuar në emisione të rëndësishme të botës artistike franceze, emri i Kristit është tashmë i njohur. Duket se profesionalizmi është arma më e fortë që e bën të suksesshëm midis moshatërëve e violinistëve të tjerë, apo një ekuilibër i vendosur midis virtuozizmit dhe interpretimit në funksion të idesë dhe veprës muzikore.

Larmia e debutimeve dhe videot në faqet e konkurseve ndërkombëtare, të tregojnë për rrugëtimin e tij në botën muzikore. Teksa shkruan mund të dëgjosh tingujt e koncertit të Çajkovskit, interpretuar me orkestrën Shtetërore të  Moskës në konkursin David Oistrakh, të shëtitësh mes virtuozimmit dhe të shijosh kapricciot e Paganinit. Një Paganin ndryshe, aty ku virtuozizmi dhe muzika shkrihen bashkë, e më pas me vëmendje të ndjekësh interpetimin mjeshtëror të sonatave solo të Eugene Ysaye që të çojnë në një botë tjetër dhe në të tjera vështirësi.

Vepra të njohura si Rondo Capricciose, bravura nga Vjeniavskij, vepra të vështira nga Honneger, Foure, sonata nga Brahms e më pas Moxart. Një galeri veprash nga Bahu solo tek  Raveli, ndërsa në faqen zyrtare të një ndër konkurseve  në zë si “Mbretëresha Elisabetë” në Belgjikë vetëm pak ditë me parë mund ta ndjekësh si gjysëmfinalist në interpretime brilante e plot ndjenjë të Waxman (Carmen Fantazi), poemës  së Chausson, duke plotësuar gamën e interpretimeve dhe suksesit.

Mbi gjithë dëshirat për spektakël, ndryshe nga të tjerë violinistë, Kristi qëndron tek profesionalizmi, rruga e vetme që i mundëson sukses dhe e rendit ndër më të mirët. Fisnik dhe në lojën violinistike vepra muzikore që interpretohet respektohet maksimalisht, duke krijuar gjuhën e veçantë e stilin për çdo kompozitor. Duket sikur të gjithë stilet, të gjithë veprat i shkojnë interpretimit të Kristit.

E teksa lexon në faqen e radios Francë Musikë në emisionin “Duke hyrë në zemrat e të mëdhenjëve” në vitin 2013, ku Kristi Gjezi është i ftuar, krahas urimeve për trofeun e Moskës, të mbeten në mendje fraza se autorët e këtij programi e kishin ftuar që në 8 shtator 2007! E natyrshëm të lind pyetja. Pas katër çmimeve ndërkombëtare të fituara në Francë, Zvicër, Spanjë, Moskë, kur televizionet tona që rendin pas duartrokitjeve nëpër botë do realizojnë të paktën një dokumentar për violinistin Kristi Gjezi?


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit