Kristi Janku: Gatimi një
gostitje e syrit dhe stomakut

Kristi Janku: Gatimi një<br />gostitje e syrit dhe stomakut
Të gjithë ne kemi pasur ëndrra për atë që do të bëheshim kur të rriteshim, por shumë shpesh rrugës na është dashur që të heqim dorë. Muzika, spektakli, mjekësia apo dhe ekonomia janë disa nga fushat që intrigojnë botën fëmijërore duke qenë dhe më të ekspozuarat, por Kristi ka një tjetër histori.

Kristi Janku është 21 vjeç dhe me art ka mundur të gërshetojë profesionin dhe pasionin e saj të hershëm. Ajo tregon për suplementin “Drejt Punës” të Shqiptarja.com se studion për Art&Design në Universitetin Polis, ndërsa prej dy vitesh ka krijuar një platformë online të quajtur Kikiliciouss, në të cilën ofron gatime, kryesisht ëmbëlsira.

“Gjithçka nisi 6 vite më parë kur hapa blogun “Kiki’s Book of Dreams”. Blogu ishte më shumë një ditar i imi në të cilin publikoja fotografi që lidheshin me stilin, krijimet apo gjëra interesante që me ndodhnin në jetë. Isha e pasionuar rreth modës por gjithçka ndryshoi kur fillova të eksperimentoj me gatimin”, shkruan Kristi në blogun e saj.

Vajza ka gjetur një pikë të përbashkët mes profesionit dhe pasionit në dukje të largët me njëri-tjetrin duke revolucionarizuar konceptin e logut dhe atë të kulinarisë gjithashtu. E gjendur mes dizajnit dhe artit të gatimit 21-vjeçarja nga Elbasani ka ndërthurur shijen, estetikën dhe kaloritë e shëndetshme.
Për Kristin është e rëndësishme që përbërja të mund të shijohet edhe vizualisht, e kjo vërehet edhe nga ngjyrat dhe efektet e këndshme që fotografitë kanë. Pasi siç thotë dhe ajo vetë “Në fund të fundit syri shet apo jo ?!”.


Kristi e Kikiliciouss, vajza që po ëmbëlson Tiranën, na trego pak për projektin, ku mund të të gjejmë?
Kikiliciouss është një platformë online dhe rrjedhimisht më gjeni aty. www.kikiliciouss.com. Kikiliciouss është në vitin e dytë të aktivitetit ndërsa unë gatimin e kam nisur shumë më herët. Kjo është një platformë e re sepse fryma është ndryshe. Disa nga gatimet e mia i gjeni në dyqanin Luga e Argjendtë, i vetmi vend që ka ekskluzivitetin e produkteve Kikiliciouss.

Kur nisi dëshira jote për artin e gatimit? 
Mendoj së dëshirën dhe pasionin për ushqimin në vetvete e kam të trashëguar nga familja. Jemi një familje që e dashurojmë ushqimin dhe eksperimentojmë me të. Dëshirën për të gatuar e kam pasur qysh fëmijë teksa doja gjithmonë të beja diçka e të ndihmoja diku.

Është e dukshme që pasioni yt për estetiken s'lë rast pa u shfaqur, ti je edhe një blogere shumë e suksesshme, sa rëndësi ka për ty moda, çfarë domethënie ka për ty kjo hapësirë? 
Mendoj se është pak e gabuar që sa herë që flasim për estetikën ne direkt e lidhim me modën dhe veshjet. Unë studioj për Design, degë dhe fushë që e dashuroj. Estetika është çelësi i punës sime, gjë që tregohet lehtësisht thjesht duke i hedhur një sy Kikiliciouss. Ky është dhe thelbi i faqes në vetvete. Unë përveçse e dashuroj ushqimin/ëmbëlsirat, e trajtoj atë nga ana estetike. Në fund të fundit syri shet apo jo ?! 

Është më bukur t’i ëmbëlsosh njerëzit me ëmbëlsira apo me buzëqeshje në blog? 
Me të dyja.

Përveçse me shije ëmbëlsirat e tua serviren bukur, të gjitha idetë janë tuat?
Recetat nuk janë të krijuara plotësisht nga unë, por si çdo bloger tjetër kanë prekjen time personale. Sa për idetë ato janë të gjitha fryt i stafit Kikiliciouss. Në rast bashkëpunimesh kreditet janë të vendosura, një pikë kjo thelbësore e punës së pastër. Secili duhet të punoje me idetë e tij, për veten e tij dhe ta marrë konkurrencen si një pikë të fortë shtytëse për ecur e punuar më tej. 

Tashmë rrjetet sociale si Instagrami janë shndërruar ne një lloj "menuje" ku të gjithë garojnë me "pozën" më të bukur të ushqimit, të ndihmon kjo, huazon diçka?
Sot jetojmë në boten e online-t kështu që fotot janë arma jonë e fortë. Qëndrojmë origjinalë me idetë tona, pra nuk biem pre e plagjiaturës, por natyrisht frymëzohemi dhe ne nga burime të ndryshme botërore.

Edhe e bukur edhe gatuan mirë, kjo duhet të të bëjë femrën ideale, ndihesh e tillë? 
Idealja është relative dhe mendoj se gjithsecili prej nesh është unik në llojin e tij. Mund të them që jam e lumtur kështu si jam.

Kristi i ushqen njerëzit bukur e shijshëm apo edhe shëndetshëm?
Të gjitha bashkë. Mendoj se me një dietë të balancuar çdokush është i lumtur dhe i mirëushqyer. Kikiliciouss ka shumë ëmbëlsira të shëndetshme ashtu sikurse shumë ëmbëlsira të tjera që cilësohen të rënda. Mjafton të kombinojmë sasinë dhe shpeshtësinë dhe çdo gjë është në vendin e duhur.

Le të imagjinojmë pak...Nëse jeta krejt papritur të dërgon në një ishull mes të panjohurish e dikush ka ditëlindjen ndërsa rrotull gjenden vetëm pak përbërës, cila do të ishte ëmbëlsira më minimaliste që do mund të bënte Kristi? 
Natyra na ofron një gamë të gjerë përbërësish kështu që nuk e shoh si problem. 

Gratë dhe vajzat e apasionuara pas kuzhinës përpos gatimit duan fort dhe një koleksion enësh e rehati fizike, ti je e tillë, cili është raporti që ke me ambientin ku gatuan?
Sigurisht që me avancimin e aftësive vjen dhe nevoja dhe dëshira për të përdorur pajisje më profesionale e pse jo luksoze, por kjo nuk është aspak një kusht për të gatuar e nga ku ne duhet t'ia nisim.

Pasioni yt i rrallë, në moshën tënde dhe për kohët në të cilat jetojmë ku shpesh mosdija në kuzhinë pranohet me krenari është me të vërtetë frymëzues. Ke një këshillë për të gjithë ata që kanë një ëndërr si tënden?
Më shumë se një këshillë për ata që dashurojnë ushqimin dua të jap një këshillë për të gjithë të rinjtë. Të marrin kohën e të njohin veten, të vetëdijesohen për dëshirat dhe pasionet e tyre dhe të punojnë fort për t'i realizuar ato. Puna më e mirë e realizuar është ajo e bërë me gjithë zemër.

kristi
(Në foto Kristi Janku)

kristi

kristi


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Vizita e Cameron në Shqipëri, Meta: Shumë sekretarë kanë ardhur e ikur, krimi problem madhor! Mbështetet nga qeveria e Ramës

Vizita e Cameron në Shqipëri, Meta: Shumë sekretarë kanë ardhur e ikur, krimi problem madhor! Mbështetet nga qeveria e Ramës