Pasi sektori bankar përballoi me sukses krizën e pandemisë dhe shmangu rritjen e huave me probleme, sfida e radhës është kriza e çmimeve.

Çmimet e larta të produkteve ushqimore, të energjisë, të karburantit dhe kostot e rritura në tërësi për biznesin e qytetarët, pritet të frenojnë reduktimin e mëtejshëm të kredive me probleme.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se nëse rritja e çmimeve do të vazhdojë  me këto ritme të larta ku inflacioni ka kapërcyer në 5.7%, edhe fuqia paguese e kredive nga individët ose bizneset do të reduktohet.

Nga ana tjetër kjo valë e re çmimesh e ndikuar nga lufta në Ukrainë, pritet të bëjë edhe më strikte bankat, të cilat do të rrisin analizat e riskut për të dhënë kredi e nga ana tjetër do të jenë më të kujdesshme me klientët e tyre.

Këto frikëra vijnë pasi situata ekonomike dhe gjendja financiare bizneseve e qytetarëve ishte përmirësuar dhe kishte dhënë rezultate në uljen e kredive me probleme. Në muajin shkurt kredia e keqe zbriti në nivelin e ulët historik prej 5.3% nga 8.1% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Përpos situatës së përmirësuar ekonomike, ndikim në këtë rënie kanë dhënë edhe masat lehtësuese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në vitin 2020, të cila u dhanë mundësinë bankave të nivelit të dytë që të rishikonin kushtet e kredive për klientët që kishin vështirësi financiare, në mënyrë që ta kishin më të lehtë shlyerjen e tyre.