Kriza e çmimeve kulmon në nëntor! Inflacioni kapërcen objektivin e BSH, arrin në 3.1%, shtrenjtohet transporti dhe ushqimet

Kriza e çmimeve kulmon në nëntor! Inflacioni kapërcen objektivin e BSH, arrin në 3.1%, shtrenjtohet transporti dhe ushqimet

Foto ilustruese

TIRANË- Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur pas goditjes së shkaktuar prej pandemisë COVID-19. Kriza e çmimeve ka qenë më e ndjeshme në muajin nëntor, dhe për pasojë inflacioni ka kapërcyer edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë. 

Sipas të dhënave të INSTAT në muajin nëntor indeksi i çmimeve të konsumi ishte 3,1 % nga 1.6% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Inflacioni i regjistruar në nëntor është më i larti që prej vitit 2011.

Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e ka dhënë grupi i transportit me 8.8% si pasojë e shtrenjtimit të karburanteve, ndjekur nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me rritje prej 5%. Këto janë edhe dy kategoritë që kanë impaktin më të madh në buxhetin familjar, pasi vetëm për ushqime familjet shqiptare harxhojnë deri në 41% të ardhurave mujore.

“Krahasuar me muajin Nëntor 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 8,8 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, “Komunikimi” me 3,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 % “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6 % secili, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,8 % secili, “Shërbimi arsimor” me 0,5 %. Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,5 %”, thuhet në raportin e INSTAT. 

Sa i takon ushqimeve frutat janë shtrenjtuar me 13.9%, vajrat dhe yndyra janë rritur me 8.7% si dhe buka që raportohet se janë shtrenjtuar me 6.6%. Ka pasur rritje edhe tek sheqeri dhe reçeli me 5.5%, zarzavatet 5.1% si dhe qumështi që është shtrenjtuar me 4.3%. 

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 13,9 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 8,7 %, “bukë dhe drithëra” me 6,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 5,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 5,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 4,3 %”, citohet në raportin e INSTAT.

Ky nivel inflacioni pritej të arrihej në mesin e vitit të ardhshëm por çmimet duket se janë rritur mbi pritshmëritë e institucioneve. Më herët Banka e Shqipërisë ka thënë se në varësi të çmimeve do të merren edhe masa të tjera sa i takon politikës monetare. 

Ndërkohë sipas ekspertëve kjo krizë e çmimeve që ka përfshirë të gjitha shtetet, ka si shkak kryesor kërkesën e lartë për konsum, ndërsa oferta është e ulët, pasi prodhimi stopoi në vitin e kaluar prej izolimit që shkaktoi pandemia. 

Nga ana tjetër INSTAT pak ditë më parë raportoi se çmimet e produkteve të importit u rritën me 3.3%, ndërkohë që në tremujorin e tretë energjia elektrike u ble nga jashtë 35% më shtrenjtë se në 2020.

(Kliko këtu për të lexuar të dhënat)

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki