Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat në sistemin e drejtësisë. Duke ndarë deklaratën e gjyqtarit Engert Pëllumbi gjatë një interviste televizive, se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”, Rama thotë se gjyqtarët nuk mund të pretendojnë se paratë e konfiskuara prej tyre u takojnë për rritjen e pagave.

Kreu i qeverisë e cilëson këtë qëndrim të papranueshëm, duke thënë se “historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit”.

"Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu! Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit. Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!

Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari? Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë", shkroi Rama. 

Foto e deklaratës së gjyqtarit e publikuar nga Rama


Lajmi kryesor:

‘Ngërçi me pagat, çështje inati për fitoren tonë në Kushtetuese’/ Rama: Nuk është gjuhë gjykatësi, por ultrasi që bërtet kundër VAR-it! Askush s’e zëvendëson dot Kuvendin