Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, nga Lezha Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që palët politike të ngrihen mbi interesat e afatshkurtra për hir të rrugës europiane të Shqipërisë dhe vendimit për negociatat në qershor. Meta u shpreh duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe ta gjykojmë më pak, pasi vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.

"Uroj që ky Kuvend i Lezhës për mesazhin që na ka sjellë nga thellësia e historisë, që në kohët më të vështira na ka ndihmuar të gjithëve për reflektim, të na ndihmojë edhe ne këtu, për t'u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta për t'i thënë një 'PO' të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, por edhe Maqedonisë në qershorin që po vjen.

Duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe ta gjykojmë më pak. Për këtë do të na ndihmonte thënia e Nënë Terezës. 'Po ti gjykojmë të tjerët pa fund, nuk do të na mbetet kohë për ti dashur ata'. Kjo është rruga e suksesit. Vetëm duke qenë të bashkuar mund të ecim përpara" tha Meta.

Mesazhin për reflektim kreu i shtetit e përsëriti edhe në përfundim të aktivitetit në një deklaratë për mediat, ndërsa iu shmang pyetjes nëse është gati që të marrë rolin e negociatorit mbi palët për t'i ulur në tryezë. "Besoj që mesazhi i 2 marsit është mëse aktual, duhet të punojmë për bashkim dhe bashkëpunim jo vetëm cdo 2 mars dhe 28 nëntor, por cdo ditë në mënyrë që ta fitojmë mundësinë për çeljen e negociatave. Sot i vetmi apel është për bashkëpunim  për bashkim, reflektim për të parë më lartë" tha ai.

Opozita pas largimit nga Kuvendi, pasi dogji mandatet ka paralajmëruar të tjera protesta, ndërsa kërkon zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie kalimtare, por që nuk pranohet nga Rama. Ndërkohë që ditët e fundit eksponentë nga opozita kanë qenë dakord që Meta mund të marrë rolin për të negocituar mbi krizën.

Prononcimi i Presidentit të Republikës ne Lezhë
 Zoti President, a do të merrni iniciativën për të ulur në një tryezë të përbashkët palët politike?
Besoj mesazhi i 2 marsit është më se aktual: Duhet të punojmë për bashkim dhe bashkëpunim, jo vetëm çdo 2 Mars e 28 Nëntor, por çdo ditë, në mënyrë që ta fitojmë mundësinë për çeljen e negociatave në qershor, bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut.

Zoti Basha sapo tha se takimi do të jetë vetëm me qytetarët, me askënd tjetër. E ka refuzuar ftesën e zotit Rama.
Nuk kam asnjë koment sot. I vetmi apel është për bashkëpunim, për bashkim, për reflektim për të parë më larg.