SUEDI - Greqia, Qipro, Portugalia dhe Polonia ka mundësi të tërhiqen nga Eurovizioni sepse janë zhytur thellë në borxhe.

Katër prej vendeve më me borxhe në Evropë deklarojnë se ka shumë mundësi që të mos marrin pjesë në konkursin e vitit 2013 që zhvillohet në Suedi. Vendet janë të shqetësuara sepse në qoftë se konkurenti i tyre fiton, duhet të paguajnë rreth 60 millionë paund për të organizuar konkursin e 2014.

Grekët thanë se mezi mund të përballojnë tarifën e këtij viti prej 100.000 paund për të hyrë në konkurs dhe shpenzimet janë të papëlqyeshme në kohën kur Greqia po përballet me masat e kursimit.

Një zyrtar i rrjetit televiz shtetëror të Greqisë tha se "Vendimi nuk është vetëm për faktin se ne nuk kemi para për të paguar tarifën e hyrjes, por në këtë pikë do të ishte moralisht e gabuar të merrnim pjesë, pasi duke fituar do pësonim një shpenzim të madh për vendin tonë vitin e ardhshëm".

Ndërsa një zyrtar i Qipros tha se hyrja në konkurs do të jetë 'provokative' në kohën kur qeveria është duke imponuar masa drastike shtrënguese për popullsinë e saj. Portugalia dhe Polonia gjithashtu kanë përmendur "arsyet financiare" për mosmarrjen pjesë në këtë konkurs. Polonia, e cila u tërhoq vitin e kaluar në një deklaratë u shpreh se: "Pas një analize të kujdesshme ne morëm vendimin e vështirë për të mos marrë pjesë”.

Mes 4 vendeve, vetëm Greqia ka fituar vendin e parë në 2005 me këngën e Helena Paparizou “My Number One”.

 Vendimi i katër shteteve vjen pasi Spanja në konkursin e Eurovizion 2012 i bëri thirrje konkurentes të saj Pastor Soler që të këndonte keq dhe të mos fitonte për të shmangur çdo rrezik për zhvillimin e konkursit në 2013, pasi qeveria nuk do të përballonte dot shpenzimet, pas masave që ka ndërmarrë për uljen e borxhit publik.

"Unë mund ta kuptoj se përse ma kërkuan këtë. Është më mirë që paratë të shpenzohen duke paguar pagat e njerëzve të zakonshëm", ka thënë Soler për televizionin publik spanjoll.

(eç/shqiptarja.com)