Kriza tek porta, hipokrizia totale e një shoqërie ende sovjetike

Kriza tek porta, hipokrizia totale e një shoqërie ende sovjetike

Kuvendi i Shqipërisë

Presidenti i Republikës paguhet rreth 260 mijë lekë në muaj. Pak a shumë rreth 25 mijë euro në vit. Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri, dy zyrtarët e tjerë më të lartë në vendit, kanë pothuaj të njëjtin shpërblim për punën që kryejnë, afërsisht 90 për qind të pagës së kryetarit të shtetit. Ministrat firmosin për rreth 1400 euro në muaj, ndërsa deputetët diçka më pak se ta. Tek shpërblesa e majës së piramidës në vend, përfshihen edhe dieta dhe trajtime të tjera ndihmëse që parashohin litra karburanti, shpenzime telefonie e të tjerë. Për të shmangur konfliktin e interesit, ata nuk lejohen të marrin apo pranojnë dhurata në çdo formë. Krahasuar me standartin zyrtar të jetesës në Shqipëri, këto janë paga të larta, por shumë më të ulta se gjetkë në Perëndim. Por kjo është vetëm çfarë duket, sepse duke marrë për bazë vetëm një element të jetesës; blerjen e një apartamenti banimi në Tiranë, mund të krijohen disa ide befasuese. Me statistikë ndërkombëtare, një person ka nevojë për një minimum prej rreth 35 metrash katrorë hapësirë banimi. Për ta siguruar këtë sipërfaqe në Tiranë, në një ndërtim mesatar dhe natyrisht jo në zonë të spikatur rezidenciale, Ilir Meta, Edi Rama dhe Lindita Nikolla do të duhej të punonin  rreth tre vjet, me kusht që të mos shpenzonin asnjë qindarkë tjetër për nevoja të tjera. Një specialist i thjeshtë në administratë, duhej të jetojë vetëm me ajër, të mos shpenzojë për ujë e të mbathura, t’i rrijë larg kafes si i pavaksinuari Covidit, që të mundë ta sigurojë të njëjtën sipërfaqe, pra vetëm 35 metra katror, mbas jo më pak se rreth 12 vjetësh.

Për të zbritur në “katet” e tjera të shoqërisë shqiptare, kjo historia e banimit, një nga indikatorët e varfësisë, komplikohet më tej. Çdo regjistrim i besueshëm për hapësirat e banimit në Shqipëri, do të afronte çudira spektakolare me të dhënat e tij. Në Ultësirën Perëndimore të vendit, por dhe në rrethinat e kryeqytetit apo dhe në zona të tëra të tij, në bregdet dhe anës rrugëve kombëtare, të ashtuquajturat vila, ndërtuar sidomos mbas viteve 2000, afrojnë pamje shokuese. Një ndërtim tip, me tre kate dhe me “fitila” ende mbi tarracë, për perspektivë shtimi kati, me njollë ndërtimi rreth 200 metra katror dhe një oborr të rrethuar pesë – gjashtë fish më shumë, banohet zakonisht nga dy pensionistë të vetëm. Apo dhe një familje me pesë-gjashtë vetë. Të ardhurat e tyre vijnë nga pensionet minimale të marra nga puna e dikurshme në fshat, nga prodhimet e tokës rrotull vilës, nga lopa apo pulat e oborrit dhe si rregull, edhe nga puna në emigracion e djemve që janë dhe financuesit e ndërtimit të banesës. Shumë nga ta, tashmë mbas 30 vjetësh lëvizje të lirë, janë bërë me fëmijë të integruar në shoqëritë ku jetojnë dhe as e çojnë në mend vilën e shtëpisë. Maksimumi vijnë në verë për të takuar gjyshërit një natë dhe për të ikur pastaj në plazh. Secila nga shtëpitë është ndërtuar me synimin që të jetë më e lartë dhe më e dukshme se e fqinjit sepse lartësia dhe pompoziteti është klas e status, njëlloj si Mercedesi i parkuar jashtë që të duket edhe si status, edhe si klas. Uji dhe energjia paguhen me zor – në një të shkuar të afërt as që bëhej fjalë të jepej ndonjë lek për këto mallra – dhe të gjithë banorët i drejtohen me kërcënim “shtetit” që të thajë ujin dhe të paguajë për dëmet kur përmbyten nga shiu. Shteti për ta ka një strukturë të thjeshtë, ishte Sali Berisha dje dhe Edi Rama sot. I pari me Shabanin dhe i dyti me Artanin, që ju legalizojnë sarajet me çmime që bien gjithmonë e më shumë sepse besohet gjerësisht se “…ata janë të varfër”. Ndaj për ta paguajnë kryesisht edhe ata që të vetmet marrëdhënie me tokën e atdheut të përbashkët, e kanë me dheun e vazos së luleve. Ata paguajnë edhe për restorantin e ndërtuar brenda tokës së varrezave dhe që afron shërbime për dasma, fejesa, vaki, festa syneti dhe porosi në shtëpi “me papaq”.

Këto dy ekstreme dëshmojnë një të vërtetë të madhe, që hipokrizia totale që është fe zyrtare në Shqipëri, nuk lejon të shihet. Që e konsideron tabu’. As presidenti, as kryeministri dhe as kryetari i kuvendit, pavarësisht se cilët janë, nuk duhet të punojnë me vite për të marrë sipërfaqen minimale të banimit. As rreth 400 e ca mijë familje me ndërtime pa leje, nuk janë të varfër si e mendojnë realisht dhe si e ndjejnë gabimisht veten. Ky është një nga paradokset më të madhe të shoqërisë shqiptare që bërtet gjithë ditën dhe ankohet ditë natë, por jeton në një standart jetese që nuk përputhet kurrsesi me atë që marrin legalisht si shpërblim pune apo pensioni pleqërie, që nuk ka asnjë lidhje me të ardhurat që deklarohen. Parada plot ngjyra e veshjeve të deputetëve, çantat e aksesorët e zonjave plot hir pushteti, telefona gjimnazistësh më të shtrenjtë se një pension vjetor, makina të rinjsh që kushtojnë sa një apartament Tirane brenda unazës së vogël dhe çmimet skandinave të restoranteve, pushimet në fundjava të gjata dhe shtëpitë e dyta apo të treta të shumëkujt, me një fjalë standarti i jetesës së cilitdo qytetari, janë copëza të dëshmisë se ka dy Shqipëri të ndryshme. Dhe se Shqipëria informale, ajo e vërteta, është shumë herë më e madhe se Shqipëria që del në lajme, ajo që duket në hartë dhe në statistika, ajo që vetëm ankohet dhe që lidhjen me shtetin e kupton si një marrëdhënie bariu me lopën: “Merri sa të mundesh, jepi sa më pak!”.

Pa kuptuar Shqipërinë reale të standarteve të shumëfishta me të pasur që ndikojnë tek ngjyra e votës me shpresë se do të tkurrin kufinjtë e taksës që i detyrohen vendit, pa njohur Shqipërinë tipike që duket se është në prag të krizës që paralajmërohet me të varfër që nuk janë gjithmonë të tillë, gjithçka tjetër është demagogji nga ata që flasin dhe hipokrizi nga ata që bërtasin. Të dy palët kanë ndërtuar në themelet e një shoqërie të kriminalizuar dikur nga komunizmi, një shoqëri tjetër që brohoret për kapitalizmin dhe konsumizmin, por nuk ka hequr ende kostumin e dokut komunist. Me një ndryshim: komunistët ishin në gjendje të bindnin ndjekësit e tyre të verbër se luga me të cilin gëlltisnin boshin e plotë, ishte lugë e florinjtë, ndërsa sot, koleksionistët e lugëve të arta, bërtasin më shumë për ndihmë nga shteti se “kriza po i maro fare!”.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja