TIRANË - Kompania e hidrokarbureve, Saybolt Pan Adriatika, që operon në Durrës, ka shprehur interes për rritje të investimit të saj në Shqipëri.
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, priti Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë kroate Saybolt Pan Adriatika, Mladen Zlamalik. Saybolt Pan Adriatika është degë e kompanisë amerikane Saybolt dhe vepron përgjithësisht në fushën e inspektimit të hidrokarbureve (naftë e papërpunuar dhe nënproduktet e saj). Kjo kompani, me shtrirje në të gjithë rajonin e Europës Juglindore, ka prej disa vitesh aktivitet edhe në Shqipëri.
Duke vlerësuar angazhimin e kësaj kompanie në Durrës, ambasadori Melo theksoi se sektori i naftës dhe i nënprodukteve të saj është një sektor i rëndësishëm për Shqipërinë dhe me privatizimin e kompanisë ARMO ky sektor merr një rëndësi edhe më të madhe për investitorët e huaj. Po ashtu, inspektimi i cilësisë së karburantit dhe përshtatja e standardeve me ato evropiane, mbetet një sfidë për vendin tonë dhe bashkëpunimi me kompanitë me eksperiencë, si Saybolt Pan Adriatika, është një qasje e duhur, për më tepër që kjo komani ka një shtrirje dhe aktivitet rajonal.
Drejtori i Përgjithshëm, Zlamalik, u shpreh pozitivisht për bashkëpunimin dhe aktivitetin në Shqipëri dhe theksoi se përveç aktivitetit privat, kjo kompani konsideron bashkëpunimin edhe me laboratorët shtetërorë shqiptare që operojnë në fushën e inspektimit të karburanteve.
Ai tha se afrimi i tregjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës do të krijojë një mundësi më të madhe për unifikimin e tregut të hidrokarbureve, si në aspektin e legjislacionit ashtu edhe në drejtim të standardeve të cilësisë. Bashkëbiseduesit u dakortësuan për shkëmbimin e eksperiencës kroate lidhur me legjislacionin që aplikohet në këtë fushë. /ATSH/