Kroacia, euro dhe një polemikë kafeje – si ka ndikuar në jetën kroate kalimi në eurozonë

Kroacia, euro dhe një polemikë kafeje – si ka ndikuar në jetën kroate kalimi në eurozonë

Foto ilustruese

Vetëm shumë guximtarët – ose shumë budallenjtë – do të guxonin të hynin mes një kroati dhe kafesë. Shëtisni rrugët e kryeqytetit të Zagrebit, madje edhe në muajt e dimrit do të gjeni kafene në trotuare teksa vendasit kënaqen me Cappuccino. Por në fillim të Vitit të Ri, disa kanë mësuar se pija e tyre e preferuar tani vjen me një “shije të hidhur”, raporton bbc.

Kroacia miratoi euron si monedhën e saj më 1 janar, një dekadë pasi u bë anëtari më i ri – dhe ende më i fundit – i Bashkimit Evropian. Kalimi nga monedha kroate kuna në euro ka bindur konsumuesit e kafes se ofruesit e shërbimeve, po përfitojnë duke rritur çmimet e tyre.

Mediat vendase kanë raportuar gjerësisht për rritjen e çmimeve që nga fillimi i vitit.

“Është shumë konfuze”, thotë Vina ndërsa shoqet e saja, Monika dhe Tonka tundin kokën në shenjë pajtimi, “Duket më lirë, por në fakt është shumë e shtrenjtë. Sapo paguam gjashtë euro për dy kafe dhe një Coca Cola – u trondita”.

Në tjetër kroate, Zivana, ndihet pothuajse në të njëjtën mënyrë.

“Të gjitha këto rritje të çmimeve filluan në muajin qershor”, thotë ajo duke shtuar se “Tani është në qendër të vëmendjes dhe është edhe më keq. Ne nuk jemi të kënaqur me qeverinë dhe mënyrën se si ata e kanë trajtuar situatën”.

Polemikat aq shumë janë ashpërsuar, sa që është dashur edhe intervenimi i qeverisë së Kroacisë. Ai thirri shitësit me pakicë në takime për t’i paralajmëruar ata se nuk do të toleronin rritjen e pajustifikuar të çmimeve. Bizneset u deklaruan të indinjuar me qeverinë pasi atyre po u dëmtohet reputacioni para klientëve.

Autoritetet e theksuan qartë se nuk mund të përballonin që euro të bëhej sinonim i përfitimit të fshehtë. Qeveria urdhëroi shitësit të mos ndryshojnë çmimet dhe të jenë sikurse para 31 dhjetorit. Inspektorët shtetërorë u sulmuan nga shkelësit e urdhrave, ku deri më tani janë gjobitur mbi 200 shitës vetëm në javën që po lëmë pas.

Sigurisht, ka nga ata që mendojnë se polemika e madhe kroatëve për kafenë është vetëm një “flluskë shkume”. Teksa punon me makinën e espresoss në një bar në Sheshin e zhurmshëm të Luleve të Zagrebit, barmeni Luka thotë se njerëzit po nxehen për asgjë.

“Ne i kishim shfaqur çmimet në euro përpara se ta adaptonim euron”, thotë ai dhe shtoi “Tani thonë se jemi shumë të shtrenjtë – por është i njëjti çmim si para Vitit të Ri.”

Me gjithë zhurmën rreth rritjes së çmimeve – qofshin reale apo të imagjinuara – do të ishte e lehtë të harrohet pse Kroacia zgjodhi të bashkohej me eurozonën.

Në fakt, ajo u angazhua për anëtarësimin në monedhën e përbashkët si kusht për anëtarësimin në BE në vitin 2013.

Tregtia globale

Shtetet e tjera anëtare kanë treguar se përkushtimi është një gjë, por në fakt adoptimi i euros është një çështje krejtësisht tjetër. Fqinja e Kroacisë, Hungaria, fillimisht kishte një plan për të hequr forintën në vitin 2007. Por 16 vjet më vonë, ajo mbetet plotësisht jashtë eurozonës. Polonia, Rumania, Suedia dhe Republika Çeke – të gjitha janë të detyruara të adoptojnë euron. Por askush nuk ka plane për ta bërë këtë. Vetëm Bullgaria duket se do t’i bashkohet monedhës së përbashkët në vitin 2024.

Kjo e bën vendosmërinë e Kroacisë për të përmbushur kriteret e konvergjencës së euros të duket edhe më mbresëlënëse. Ai pasqyron stabilitetin e faktorëve të shumtë – inflacionin në vend, deficitin buxhetor të qeverisë, raportin e borxhit ndaj GJDP-së së vendit dhe normat afatgjata të interesit që nga anëtarësimi në BE.

Stabiliteti i kursit të këmbimit ishte praktikisht i dhënë, duke pasur parasysh se me krijimin e monedhës së saj kombëtare në vitin 1994, Kroacia e lidhi kunën me markën gjermane.

Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kroacisë, Boris Vujçiq, thotë se e gjithë kjo nënkuptonte se vendi i tij, bizneset dhe njerëzit ishin jashtëzakonisht të përgatitur për miratimin e monedhës së përbashkët.

“Kroacia ishte tashmë shumë e euroizuar”, vë në dukje Vujçiq. “Borxhet e korporatave, qeverisë dhe familjeve tashmë po vlerësohen në euro ose të lidhura me euro. Tani të gjitha të ardhurat janë në të njëjtën monedhë si borxhet”.

Larg nga shkaktimi i rritjes së çmimeve, kryebankieri i Kroacisë beson se angazhimi për monedhën e përbashkët e shpëtoi vendin nga më e keqja e inflacionit që ka goditur vendet jashtë eurozonës gjatë vitit të kaluar.

“Ju mund të shihni se ndikimi i krizës ishte shumë më i vogël në rastin e Kroacisë, sepse tregjet tashmë kishin çmime në faktin se ne po hynim në eurozonë,” thotë Vujçiq.

Tani bizneset kroate po presin me padurim një nxitje nga euro, e kombinuar me faktin se miratimi i monedhës së përbashkët ka përkuar me anëtarësimin e Kroacisë në Zonën Shengen – pa kufij.

Kjo e fundit ua lehtëson ndjeshëm jetën turistëve evropianë që arrijnë në vend me veturë apo autobus, pasi nuk do të kenë më të përballen me radhë të pafundme në pikat kufitare. Dhe adoptimi i euros do të thotë që vizitorët nuk do të duhet të përballen me kursin e dyshimtë të këmbimit në një zyrë këmbimore.

Si rezultat, industria e turizmit kroat, e cila kontribuon rreth një të pestën e GJDP-së së Kroacisë, pritet të marrë një rritje. Dubravko Miholiq, një këshilltar i Bordit Kombëtar të Turizmit Kroat, ka ndjekur komentet në faqet e internetit të udhëtimit në vendet që dërgojnë më shumë pushues, si Gjermania dhe Austria.

“Ata thonë se është shumë mirë, më në fund nuk do të kemi nevojë të ndërrojmë para”, thotë ai.

Ekspertët parashikojnë gjithashtu një përfitim për eksportuesit kroatë, me monedhën e vetme që eliminon burimin e fundit të mbetur të tregtisë ndërkufitare brenda BE-së.

“Në më pak se një dekadë të anëtarësimit në BE, ne kemi parë eksportin e mallrave më shumë se dyfish”, thotë Goran Saravanja, kryeekonomist i Dhomës Kroate të Tregtisë.

“Tani, kompanitë jashtë zonës së euros që po mendojnë të vendosen në Evropë, po shikojnë 20 vende, në vend të 19. Ne tashmë jemi mirë në logjistikë për shkak të gjeografisë sonë. Tani pa kosto shtesë, falë Shengenit dhe euros, ka një shtysë atje”, deklaroi ai.

Nëse parashikimet janë të sakta, përfitimet duhet të bëhen të qarta në vitet e ardhshme. Por tani për tani, konsumatorët kroatë mbeten më të shqetësuar për të marrë një goditje në xhep, ndërsa mësohen të mbajnë monedhën e re. Ata nuk mund të shpenzojnë më kuna. Por shitësit me pakicë duhet të shfaqin akoma çmimet me kuna deri në fund të vitit, për të siguruar klientët se ndërsa emërtimi mund të ketë ndryshuar, vlera mbetet e njëjtë. /Telegrafi/

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja