Kryetari i Komisionit Parlamentar në BE, për antarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, gjatë një takimi që zhvilloi sot në Pustec tha se Integrimi në Bashkimin Evropian varet vetëm nga Shqipëria dhe realizimi i detyrave të saj.

Kovaçeviç, theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit në BE. Ai shtoi se në vitet e ardhshme shpreson t’i uroj mirëseardhjen veçanërisht vendit tonë.

“Procesi i integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja palët, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet kandidate. Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, tha ai.

Kovaçeviç nënvizoi se shoqëria shqiptare është një ndër më pro-evropiane në rajon. Ndër të tjerat ai tha se vendet e Ballkanit perëndimor duhet të kapërcejnë edhe mosmarrëveshjet dhe problematikat mes tyre.

"Ballkani duhet ta kapërcejë atë që ndoshta në të kaluarën na ka ndarë dhe sot të investojmë vetëm në marrëdhënie të mira fqinjësore, në lidhje infrastrukturore, ekonomike, tregtare e financiare, në lidhjet mes njerëzve. Të ketë më shumë vizita ndërmjet vendeve të ndryshme të Ballkanit, të rinjtë të kenë mundësinë të arsimohen aty ku dëshirojnë, ndërsa kufijtë të jenë simbolikë, ashtu siç ndodh në vendet e tjera, përfshirë edhe vetë Bullgarinë, e cila tashmë është pjesë e kësaj pjese të zonës Shengen.

Kjo është plotësisht e realizueshme. Kjo varet nga vetë ju dhe unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim", shtoi Kovaçeviç.

Në fund të fjalës së tij Kovaçeviç theksoi se i mirëpresin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian, por ato duhet të realizojnë reformat e tyre dhe pajtimin me të kaluarën.