Kryemadhi bën bilancin për 2018-ën: Do të mbahet mend si viti i protestave

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga selia e partisë së saj ka uruar vitin e ri, duke e quajtur atë që po lëmë pas një vit dështimi.

Në deklaratën e saj për shtyp, Kryemadhi tha se 2018 do të mbahet mend si viti më i varfër për shqiptarët, do të mbahet mend si viti i korrupsionit, skandaleve por edhe si viti i protestave.

"Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave. Filloi me protestën e opozitës në 27 Janar 2018. Vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve për statusin e tyre. Me protestën e minatorëve, me protestën e biznesit të vogël, të cilët u ngritën për shkak të vendosjes së taksave të larta për ta dhe falimentimit dhe mbylljes së qepenave të tyre. U ngritën në protestë banorët e bregdetit për grabitjen e pronës së tyre. U ngritën qytetarët e Shkodrës kundër kapjes dhe pushtimit të qytetit nga bandat dhe krimi i organizuar. Dhe si qershia mbi tortë, ishte protesta studentore. Protesta e studentëve, solli besimin, solli shpresën te shqiptarët dhe përmbyllet viti 2018 me protestën e diasporës ku për herë të parë shqiptarët e larguar, rikthehen për ti rikthyer dinjitetin vendit të tyre,"-tha Kryemadhi. 

Ndër të tjera, Kryemadhi tha se viti 2018 do të mbahet mend gjithashtu si viti kur dështuan negociatat për në BE-në duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si pengesën më të madhe të Shqipërisë

Deklarata e Kryemadhit:

Më lejoni që në emër të LSI të uroj të gjithë shqiptarët që në këtë ditë të fundit të vitit të presin me lumturi me paqe dhe me dashuri ditën e parë të vitit 2019. Por nuk mund të rrimë pa e kujtuar 2018 si një nga vitet më të vështira për familjet e tyre, për ekonominë e tyre, për xhepat e tyre.

Si një nga vitet më të varfëra në historinë e tranzicion shqiptar. Por jo vetëm. Viti 2018 ishte një vit dështimi dhe për aspiratën e shqiptarëve drejt BE. Të gjithë së bashku humbëm një vit drejt një procesi jetik siç është ai i negociatave.

Për shkak të arrogancës politike, për shkak të propagandës, imazhit dhe fasadave sesa punës dhe vlerave që duhet të ndërtojë një institucion shtetëror përballë korrektësisë që mungoi nga qeveria shqiptare me institucionet e BE, por vetëm në kuadrin e mashtrimeve.

Humbëm për shkak të mungesës së dialogut politik, për shkak të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë nga krimi i organizuar. Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave, i cili filloi me protestën e opozitës në 27 Janar 2018. Vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve për statusin e tyre. Me protestën e minatorëve, me protestën e biznesit të vogël, të cilët u ngritën për shkak të vendosjes së taksave të larta për ta dhe falimentimit dhe mbylljes së qepenave të tyre.

U ngritën në protestë banorët e bregdetit për grabitjen e pronës së tyre. U ngritën qytetarët e Shkodrës kundër kapjes dhe pushtimit të qytetit nga bandat dhe krimi i organizuar.

Dhe si qershia mbi tortë, ishte protesta studentore e cila nuk erdhi vetëm si rezultat i Reformës së Dështuar në Arsim të Edi Ramës. Por erdhi si rezultat i varfërisë së familjeve të studentëve, erdhi si rezultat i mungesës së vendeve të punës. Erdhi si rezultat i shkatërrimit të ekonomisë shqiptare, erdhi si rezultat i varfërisë dhe i kapjes së shtetit nga Edi Rama dhe krimi i organizuar.

Protesta e studentëve, solli besimin, solli shpresën te shqiptarët dhe përmbyllet viti 2018 me protestën e diasporës ku për herë të parë.

Ku për herë të parë pas kaq vitesh, shqiptarët e larguar për një jetë më të mirë rikthehen për ti rikthyer dinjitetin vendit të tyre, rikthehen për ti rikthyer dinjitetin popullit të tyre, vëllezërve dhe motrave të tyre. 2018-a do ta mbahet mend si viti i varfërisë, do të mbahet mend si qeveria që i shtrëngon rripat të varfërve dhe liron rripin e të pasurve. 2018 do të mbahet mend si viti më skandaloz për tryezat e shqiptarëve, do të mbahet mend si viti ku qeveria hoqi mbi 27.000 familje nga ndihma ekonomike, por jo vetëm që nuk shtoi paratë për ato familje që mbajti në skemën e ndihmës ekonomike, por edhe ato i pakësoi. Paratë e fukarenjve, paratë e të varfërve qeveria i futi në xhepat e oligarkëve dhe në xhepat e Edi Ramës.

2018 do të mbahet mend si viti më i varfër për shqiptarët, jo vetëm ekonomikisht, por edhe si viti që shqiptarët ikën dhe u larguan për të mos u kthyer më në Shqipëri, siç ikën djemtë dhe vajzat sepse mundësia për të jetuar dhe për të punuar dhe për të pasur një rrogë të mirë në Shqipëri ishte e pamundur. Do të mbahet mend 2018-a si viti ku me qindra dhe mijëra mjek dhe infermierë u larguan nga sistemi shëndetësor për shkak të pamundësisë dhe pagesës, për të gjetur një punë më të mirë drejt Gjermanisë. Do të mbahet mend 2018-a si viti i mësimit të gjuhës së gjermanishtes për brezin e ri, për shkak se e vetmja aspiratë e rinisë shqiptare tashmë është emigracioni. 2018-a do të mbahet mend si viti i korrupsionit, si viti i famshëm i 1 miliardëve, si viti ku Edi Rama donte të injektonte në ekonominë shqiptare paratë e krimit dhe të drogës, ku sot me qindra dhe me mijëra vende pune të sistemit të fasonëve, jo vetëm që kanë humbur vendet e punës, por po shkojnë drejt mbylljes dhe falimentimit të tyre me deficite të mëdha, për shkak të forcimit të lekut dhe të dobësimit të euros, gjë që shkatërron eksportet shqiptare.

Viti 2018 do të mbahet mend si viti i skandaleve të Astirit, ku shqiptarëve ju vidhen vetëm brenda një dite 40 milion euro dhe futen në xhepin e Edi Ramës. Do të mbahet mend si viti i Teatrit ku Edi Rama me një të rënë të lapsit kërkon të shembi Teatrin Kombëtar për të ngritur kulla rreth 200 milion euro, që nuk është thjesht çështja e prezantimit të një teatri të ri, sepse nuk i dhimbsen atij artistët, sepse është xheloz për ta, por është ideja e krijimit të një lavatriçeje të pastrimit të parave të drogës, të bandave dhe të krimit të organizuar.

2018 do të mbahet mend për Bashkinë e Tiranës, për 100 fishimin e lejeve të kullave, si një bashki që gllabëron hapësirat e gjelbërta të qytetarëve dhe ndërton kulla për oligarkët apo për krimin dhe bandat që të shërbejë si instrument për pastrimin e parave të drogës.

Gjatë vitit 2018, ekonomia përjetoi dhe u karakterizua nga disa tipare të paprecedentë.

Si asnjëherë më parë ekonomia shqiptare ishte në kontroll të plotë të oligarkëve, të grupeve kriminale dhe interesave të tyre.

Qeveria në mënyrë të paprecedentë hoqi dorë nga detyrimet e saj kushtetuese për të zhvilluar infrastrukturën, dhe për ta dhënë me koncension ku nuk ishte vetëm arsimi, shëndetësia, por edhe çdo segment të institucioneve shtetërore për të cilët shqiptarët paguajnë taksa i dha me koncension për ti marrë më shumë para shqiptarëve, për ti varfëruar ata dhe për të përfituar më shumë klientët e Edi Ramës.

Pra me pak fjalë rriti koston e qytetarëve, pra shqiptarët për 2018 kanë paguar më shumë para seç kanë paguar çdo vit tjetër, por kanë marrë të njëjtën vlerë parash si 5 vjet më parë.

Nëpërmjet koncesioneve Rama, u bë pjesë e grabitjes ndaj shqiptarëve, duke i nxirë faqen vendit dhe duke e kthyer atë në një lavatriçe të pastrimit të parave të drogës e madhe dhe duke konfirmuar kapjen e ekonomisë shqiptare nga krimi dhe droga.

Ky vit konfirmoi dhunshëm dhe dhimbshëm edhe dëmin e paprecedent që kjo qeveri i ka shkaktuar shqiptarëve dhe vendit:

U vrau atyre shpresën dhe besimin se mund të arsimohen dhe gjejnë punë cilësore dhe një jetë të begatë në Shqipëri. Kryesisht rinisë shqiptare, vajzave dhe djemve të rinj, ju dha të vetmen mundësi largimin, që të mos kthehen më sepse do të jetë më e kollajshme për Edi Ramën për të nënshtruar shqiptarët pa këta të rinj.

Edi Rama, në shërbim të klientëve të tij oligarkë, thelloi akoma më shumë hendekun mes atyre që kanë nevojë, midis të varfërve dhe të pasurve, sipas

INSTAT-it, të vetë kompanisë që ai drejton, 90% e shqiptarëve konsumojnë më pak, çka do të thotë se 90% e shqiptarëve po shkojnë drejt varfërisë.

U dha të pasurve zbritje taksash e përfitime, ndërkohe që për qytetarin e thjeshte, e rriti koston e jetesës, u rriti taksën kombëtare, rriti çmimin e ujit, taksën e banesës, taksat e mjedisit, tarifat e rrugëve, taksën e naftës, e kështu me radhë, kur ndërkohë në mënyrë të paprecedentë, në mënyrë kriminale, hajduteske, natën e fundit të Parlamentit ai vendos dhe kthen në mënyrë të paprecedentë të kundra ligjshme, ligjin për dividendin, ku duket haptas që nuk është vetëm një dy standard i përdorur ndaj biznesit të ndershëm dhe oligarkëve, por mbi të gjitha është edhe një vepër penale e falsifikimit dhe mashtrimit të Parlamentit shqiptar. Ky do të ishte një nga vitet që ka skandalet më të paprecedentë, i cili përfshihet nga njëri skandal pas tjetrit. Skandalin e Astirit, skandalin e teatrit, skandalin e përgjimeve që e kemi harruar pas kaq kohësh, ku pas çdo skandali ne kemi parë të qëndrojë Edi Rama dhe familjarët e tij. Ky vit do të mbahet mend në memorien e shqiptarëve, si viti i skandaleve, por edhe si viti i varfërisë. Uroj që viti 2019 të afrojë Shqipërinë dhe shqiptarët me standardet dhe vizionin evropian dhe për këtë të gjithë kemi një detyrë të madhe. T’i japim Shqipërisë alternativën dhe ta çlirojmë atë nga individë, të cilët synim kryesor kanë karrigen dhe pushtetin e tyre. Kjo është dhe pengesa më e madhe që ka Shqipëria përballë sfidave të integrimit evropian. Pengesa më e madhe që ka sot Shqipëria për të shkuar drejt Bashkimit Evropian ka vetëm një emër, ai është Edi Rama.

Uroj që shqiptarët në 2019-ën të kenë një qeveri pa Edi Ramën, të kenë një qeveri të çliruar nga krimi dhe bandat e krimit të organizuar. Të kenë një qeveri të shqiptarëve, të kenë një qeveri e cila të dojë popullin e saj dhe të ketë një qeveri që të ketë dinjitet, të ketë integritet, të mendojë për popullin, mos të mendojë për xhepat dhe një grup njerëzish dhe mbi të gjitha të shkëputet nga krimi dhe bandat e organizuara.

Gëzuar shqiptarë kudo që jeni, në çdo vend të botës. Të bashkohemi të gjithë së bashku që në 2019 t’i kthejmë fytyrën Shqipërisë, t`i kthejmë dinjitetin, t`i kthejmë integritetin. Një Shqipëri pa Edi Ramën të jeni të bindur që do jetë një Shqipëri e çliruar nga bandat dhe nga krimi, do të jetë një Shqipëri ashtu siç është shqiponja që fluturon e lirë në qiellin shqiptar

Faleminderit! Gëzuar dhe për shumë vjet!

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirona: 01/01/2019 12:09

    Gezuar z.Mona qoft viti i SPAKUT te uroj nji qeli ne Rec ku ti festosh te gjitha vitet ti dhe soi yt i qelbur.Gezuar shushunj Gezuar..Do Zoti sa me shpejt ne Rec.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Vranë për hakmarrje në Mamurras, Apeli lë në fuqi 47 vite burgim për 2 autorët!

Lezhë/ Vranë për hakmarrje në Mamurras, Apeli lë në fuqi 47 vite burgim për 2 autorët!