Kryemadhi: Protesta e 27 janarit
maja e ajsbergut, Rama do ikë

Kryemadhi: Protesta e 27 janarit<br />maja e ajsbergut, Rama do ikë<br /><br>
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, u shpreh se protesta e 27 janarit është vetëm maja e ajsbergut në përballjen, sipas saj, të opozitës me qeverinë. Ajo tha se opozita do organizojë protesta të tjera në muajt në vijim edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, për largimin e kryeministrit Edi Rama. 

"Ky është vetëm fillimi, vetëm maja e ajsbergut të protestës", tha Kryemadhi duke komentuar protestën e 27 janarit e cila sipas saj është më e madhja e viteve të fundit. 

"Largimi i Edi Ramës është mision kombëtar. Sepse ne çdo ditë e më shumë shohim shqiptarë që po largohen nga Shqipëria. I patë si jetojnë shqiptarët në kampe në Francë, në Gjermani, ata pak të shkolluar po ikin, si mjekët, infermierët. Kemi biznese pafund që po largohen drejt vendeve të rajonit, për shkak të taksave të ulta. Ne si vendi më i varfër kemi taksat më të larta", u shpreh Kryemadhi e cila shtoi se kryeministri është bërë gati të ikë jashtë vendit. 

"Edi Rama do ikë, po sistemon investimet, ekspozitat e tij sa andej këtej. Unë do rri këtu, se të kisha ikur do kisha ikur me kohë. Ti do rrish këtu, kameramanët, montazhierët që janë këtu, do rrinë këtu", tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI foli edhe për aleancën e re me PD-në kur u shpreh se i bashkon kauza, ndërsa vërejti se Basha gaboi gjatë fushatës elektorale kur sulmoi LSI-në. Sipas saj, nëse kreu i PD do kishte sulmuar Ramën, ky i fundit nuk do ishte kryeministër sot.  

Znj. Kryemadhi, i arriti pritshmëri protesta e 27 janarit? Ju pyes si një nga organizatoret kryesore të saj... 
Nuk mund të them që isha një nga organizatorët për shkak të asaj që ndodhi atë ditë. Organizatorët e vërtetë ishin vetë qytetarët. Edhe protesta e 27 janarit ishte si rezultat i kërkesës dhe i nxitjes që qytetarët ushtronin ndaj LSI-së, apo edhe PD-së, për të pasur një protestë apo edhe për të krijuar një realitet të ri politik. Vërtet opozita mund të ketë qenë e çorganizuar për shkak të pozicionimeve të reja të forcave të ndryshme politike por ajo çka të bënte më shumë përshtypje është pakënaqësia në popull është aq e madhe saqë ata donin vërtet diçka të rëndësishme për ta shprehur këtë pakënaqësi. Ishte një marshim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku faktikisht e pamë të gjithë që pjesëmarrja aty ishte e jashtëzakonshme që tregoi se shumica e shqiptarëve janë kundër qeverisë. Pas kaq shumë vitesh ne nuk kemi parë kaq shumë pjesëmarrës në një protestë kur kemi vetëm 3 muaj pasi kjo qeveri mori pushtetin. Kjo rrit shumë përgjegjësinë tonë si LSI, por edhe të gjithë opozitës. E vendos opozitën përballë një sfidë shumë të rëndësishme. 

Ju si drejtues të opozitës thoni që kjo protestë i arriti pritshmëritë tuaja. A ia arritët ju pritshmëritë e atyre që thirrët? Ndonjë kritik mund të thotë që: erdhën, protestuan dhe gjithçka mbeti si më parë. 
Mos u çudit për këtë. Po të ushtrohej dhunë do të kritikonin dhunën. Protesta ishte paqësore dhe janë kritikë se nuk kishte dhunë. Ne jemi mësuar me skeptikët e opozitës. Në radhë të parë protesta tregoi se opozita është shumica dhe jo pakica në Shqipëri. Në radhë të dytë, tregoi që bashkimi bën fuqinë. Sepse nëse të gjitha forcat politike do të ishin në 25 janar të bashkuara, ne sot nuk do të kishim 74 mandate të blera me paratë e drogës në parlament. Në radhë të tretë, tregon që qytetarët e larguan frikën për të protestuar, në radhë të katërt bëmë koshient edhe ata që nuk duan të shikojnë dhe as ata që duan ta dëgjojnë se çfarë ndodh, bëmë prezente që, prit se ka një frymë opozitare për të protestuar. Ky është vetëm fillimi, kjo është maja e ajsbergut të protestës. Mos të harrojmë që është një qeveri jo vetëm e kriminuar, por e subvencionuar në mënyrë permanente me shuma të mëdha parash brenda dhe jashtë vendit për të intimiduar qytetarët, për të krijuar idenë që këtu çdo gjë është shumë normale, këtu jeta është rozë, njerëzit janë shumë të lumtur, jetojnë në jetë luksi, por në të vërtetë është komplet e kundërta. Dalja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit të një numri jashtëzakonisht protestuesish, thashë kemi dhjetëra vite që nuk e shohim diçka të tillë. Mediat ndërkombëtare bënin një rezyme të kësaj proteste që thoshin, që shqiptarët pas tre muaj qeverisje të re të Kryeministrit, i cili akuzohet për lidhjen me mafien, për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm duke qenë si koka e trafikut të drogës. Të gjitha këto me radhë prezantoheshin nëpër TV dhe mediat ndërkombëtare. Por të gjitha veniten në mediat shqiptare për t’i vendosur shqiptarët në gjumin letargjik, në gjumin e harresës, të cilët duke qenë sa më të varfër, sa më të pa informuar normal që janë më të lehtë për tu nënshtruar. Protesta e datës 27 është vetëm maja e ajsbergut, sepse gjërat do vazhdojnë më tej, jo për shkakun tonë por për shkak të pakënaqësisë së madhe popullore që është.

Kjo pakënaqësi që thoni që ka mes njerëzve, si mund të kanalizohet?
Sigurisht që ajo kërkon strategjinë e vet dhe ne jemi duke punuar.

Në çfarë pistash?
Nuk kanë rëndësi pistat sepse nuk është e nevojshme për t’i bërë sot. Pistat janë në të gjitha drejtimet, i ke në Fier, në Lushnje, në Durrës, në Tiranë, i ke kudo në të gjithë Shqipërinë. Ke situata të tmerrshme të cilat qytetarët i shikojnë, e vuajnë përditë. Mjafton tu gjendesh atyre, është një nga arsyet që ata kanë nevojë për politikën. Opozita ka filluar të zgjohet, të riorganizohet, ka filluar të hyjë në ritmin e saj opozitar. Nuk mund të jemi perfekt. Pikërisht se nuk jemi perfekt jemi në këtë pozicion që jemi. Por ajo që dua të them është që një opozitë e cila fillon dhe rindez motorët e saj, e cila e shikon lidhjen e saj të drejtpërdrejtë te problemet e njerëzve është opozita perfekte dhe që do sjellë një reagim. Një opozitë e organizuar në të paktën që mund të bëj është që do minimizojë sadopak korrupsionin. Korrupsioni tashmë është një nga gjërat më të vogla që ka qeverisja aktuale, por do minimizojë shkeljen e ligjit në mënyrë flagrante dhe shërbimin e kësaj qeverie në shërbim të grupeve të strukturuara kriminale. Ky është një nga problemet më të mëdha. Dhe një tjetër çështje e rëndësishme është ngjallja e shpresës për shqiptarët, për të qëndruar në Shqipëri, për të qenë pjesë e opozitës, për të rrëzuar një qeveri e cila po sjell vetëm eksod masiv të shtresës së mesme shqiptare. 

Në protestën e 27 janarit, por edhe në deklarata të tjera keni thënë se do të kërkoni largimin e kësaj qeverie, por prej 21 vjetësh asnjë qeveri nuk është larguar me forma ekstraparlamentare. Gjithkush ka mbaruar mandatin 4-vjeçar, madje 8-vjeçar. 
Unë nuk di që të ketë ndonjë opozitë që nuk kërkon largimin e kësaj qeverie. Të gjitha opozitat kërkojnë largimin e qeverisë. Ajo çka dua të them është se largimi i Edi Ramës është një mision kombëtar. Pse e them që është mision kombëtar? Sepse ne çdo ditë e më shumë po shikojmë se si shqiptarët po largohen nga Shqipëria. Besoj se e patë se në çafër gjendje të mjeruar jetonin shqiptarët në kampet e refugjatëve në Francë. Po në të njëjtën situatë jetojnë në Gjermani dhe kudo. Problemi i madh është edhe largimi i shtresës së mesme, i trurit të Shqipërisë. Ata njerëz të shkolluar që kemi po na largohen nga Shqipëria. Siç është rasti i mjekëve apo i infermierëve që largohen drejt Gjermanisë. Ashtu siç është rasti edhe i shumë shtresave të tjera që po largohen nga Shqipëria për një vend pune, për një garanci apo për një jetë më të mirë. Ashtu siç kemi biznese pafundësisht që po largohen nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit, sepse kanë jo vetëm klimën e biznesit shumë të favorshme, por kanë dhe sistemin e taksave shumë më të ulët. Ndërkohë që kemi taksat më të larta në rajon, jemi vendi më i varfër. Kemi iniciativën më të ulët se çdo vend tjetër. Normalisht shqiptarët që kanë më shumë ambicie për jetën e tyre dhe që kërkojnë një jetë më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre do të largohen nga Shqipëria. Por faktikisht çfarë do të ndodhi? Kjo do të sjelli shpopullimin e Shqipërisë. 

Në fund të protestës Basha kërkoi qeveri antimafia...Duhet një bashkëqeverisje PD-PS?
Duhet një bashkëqeverisje për përgatitjen e zgjedhjeve. Me kë do shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër? Sot më shumë se kush se zgjedhjet e 25 qershorit ishin të blera nga paratë e drogës. E zbuloi antimafia italiane, ata i sollën përgjimet. Rëndësia e 27 janarit për mua theu frikën që kishte instaluar Rama, u solli dritën e syve të verbërve dhe dëgjimin të shurdhëve. Edi Rama është vetëm, i ka 74 mandate vetëm, por janë përdorur miliona euro për blerjen e votave. Shikoni kursin e euros, luhatjen gjatë zgjedhjeve dhe do të shikoni si janë vërshuar eurot në fushatë në mënyrë të tmerrshme. Ky është pozicionimi i Ramës me 74 mandate të blera dhe pozicioni i Lulzim Bashës i cili për herë të parë bëri marrëveshje me Ramën, ne kemi bërë disa herë dhe jemi zhgënjyer. Jam i bindur se z.Basha, për shkak të moshës që ka, është i prirur për të ndërtuar të ardhmen e familjes së tij në Shqipëri, sesa për të qenë kryeministri i radhës.  


E keni tejkaluar mosmarrëveshjen me z. Basha? Ai gjithë bateritë e sulmeve në fushatë i kishte kundër LSI-së. 
Në fushata elektorale të gjitha partitë ndërtojnë planet e tyre për të maksimalizuar rezultatin. Unë mendoj se strategjia e PD-së ishte e gabuar. 

Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, pra Basha do të sulmonte Ramën dhe jo LSI-së, Kryeministër do të ishte prapë Rama?
Jo sigurisht, nuk do të ishte Rama. Loja që ai luajti ishte e tillë që e çmobilizoi bazën e PD-së, bazë e cila është shumë në ekstrem kundër PS-së. Loja që Rama luajti në mënyrë perfekte bëri që ata të mos dilnin në votime. Për ne si LSI ishte hera e dytë që bashkëpunonim me Ramën. E para ishte ajo e 2007-s kur LSI e bëri Ramën kryetare Bashkie të Tiranës dhe ai menjëherë bëri ato ndryshimet e famshme kushtetuese të 2008-s. Ashtu sikurse edhe ajo e 2013-s, ku Rama erdhi në pushtet vetëm prej LSI-së. Duhet të kemi parasysh se fushatat janë frymë dhe jo numra. Sigurisht që qetësia dhe dashuria e Ilir Metës ndaj Ramës i krijoi shanset e kapjes së shtetit. Pavarësisht se Meta herë pas here mundohej t’ia përmendte tregonte që marrëveshja jonë me ta ishte e pasinqertë. Pavarësisht se ne mundoheshim të ishim korrekt në marrëdhënie me ta. Mund të them që ministrat e LSI kanë qenë të survejuar në mënyrë permanente nga segmentet e Ministrisë së Brendshme të Tahirit. Çdo ministër është përgjuar në mënyrë permanente në zyra, në makinë, kudo, në institucione. Mos të flasim pastaj për zhveshjen e kompetencave të ministrive. Drejtorët e Përgjithshëm të LSI thirrini, kanë qenë 4 vjet në survejim, në përndjekje të jashtëzakonshme, jo vetëm nëpërmjet telefonatave, por edhe ambienteve familjare.

Ku e keni mësuar këtë gjë?
Këto janë faktike. Po të shkoni sot të kërkoni në Ministrinë e Brendshme nëse nuk i kanë djegur, do të shikoni file të tëra, zbardhje bisedash jo vetëm të ministrave të LSI, por edhe të deputetëve dhe ndonjë elementi tjetër.

Kryetari i Kuvendit ka qenë i përgjuar?
Sigurisht. As nuk ka dyshim për këtë. Përderisa çdo gjë ishte ne efeciencë të plotë. Duke qenë se ministrat e LSI kanë qenë të survejuar dhe duke qenë se e kanë pasur me sinqeritet, gabime kanë sigurisht, se nuk ka njeri pa gabime. Të jeni të bindur se zhveshja e institucioneve që drejtoheshin nga LSI, qoftë Ministria e Bujqësisë, Ministria e Integrimit, Ministria e Transporteve, etj, janë ministri të cilat u zhveshën dhe u zvogëluan buxhetet e tyre dhe u administruar të gjitha në Kryeministri në godinën e madhe.

Kur e keni kërkuar për herë të parë prishjen e koalicionit?
Unë kam qenë kundra. Pavarësisht se marrëdhëniet e mia me Ramën kanë qenë individuale shumë të mira, duke qenë se unë kam punuar në fushatat e tij elektorale. Nuk qenë dakord sepse mungesa e sinqeritetit të tyre lë për të dëshiruar. Unë jam një personazh shumë i hapur, jam si një libër i hapur, jam e drejtpërdrejt në atë që mendoj, në atë që them. Edhe kur kam bërë diçka them: E kam bërë gabim sepse nuk e dija. Ndërsa mungesa e sinqeritetit të tyre ka qenë shumë e madhe, shumë prezente. Duke pasur parasysh se skenarët e ndryshme që kanë bërë kundër LSI-së, ose dezinformimi që i është bërë institucioneve ndërkombëtare për LSI-në, kur e keqja më e madhe e qeverisjes së Edi Ramës ishte LSI-a, me Hipotekat e famshme. Në një kohë kur Edi Rama e ka ndërruar 7 herë drejtorin e Hipotekës së Tiranës. Të njëjtën gjë ka bërë në Vlorë dhe në Durrës. Pra, LSI vërtet kishte drejtorin e përgjithshëm të Hipotekës, por gjithë Hipotekat e tjera nëpër rrethe i kishte Partia Socialiste. Drejtoritë Arsimore i kishte po ashtu PS-ja. Dhe dëgjohej pastaj që LSI-a shiste tezat e provimit në këmbim të votës. LSI s’kishte asnjë të punonte në Ministrinë e Arsimit. Dhe këto vinin si informacione që Ministria e Jashtme ua dërgonte institucioneve ndërkombëtare. Së pari, s’kishte asnjë punonjës në Ministrinë e Arsimit. E dyta, nuk kishte asnjë mësues.

VIDEOEmisioni "5 Pyetjet nga Babaramo", e ftuar në studio Monika Kryemadhi, pjesa e parë

A do keni kandidatë të përbashkët me PD-në në zgjedhjet lokale?
Ne tani po mendojmë për zgjidhje dhe jo zgjedhje, roli jonë është të krijojmë një opozitë të fortë, për këtë kanë nevojë shqiptarët. Problemi që kanë sot shqiptarët është punësimi, ushqimi. Ore, ata diskutojnë se ku do të gdhihen sot, në aeroporte apo stacione autobusësh, mendojnë se çfarë do çojnë në familje për t'i ushqyer. Del problemi i inceneratorit në Mbrostar të Fierit, ne e kemi në Elbasan dhe punon me kohë të pjesshme. Në Fier ka për të shkatërruar të gjithë atë zonë me ndotjen që do krijojë inceneratori. Nuk ka tallje më të madhe se ajo që bëri Edi Rama me naftëtarët duke folur me Skype ndërkohë që ata protestonin përballë Ministrisë së Energjetikës.

Po lidhur me kryeprokuroren e përkohshme, u fol për djegie mandatesh, dhe marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. A ishit për zgjidhje tjetër apo u imponua nga Lulzim Basha?
Jo, nuk u imponua nga Basha. Ne ishim vetë që krijuam një lloj oportuniteti, djegia e mandateve ishte një lojë e Edi Ramës.

Ky ishte mendim i Berishës apo jo?
Ky ishte edhe mendim i Berishës por këtë gjë e donte Rama, Ramës i pëlqeu. Ne presim në qershor që të hapen negociatat dhe një nga arsyet e hapjes së negociatave është dialogu politik. Djegia e mandateve, bojkoti i Kuvendi bën të pamundur dialogun politik. Prandaj ne do t'ia japim shansin deri në qershor që të presim me kaq zell të madh nga Rama që të thotë se është meritë e tij hapja e negociatave, por ka një betejë shumë të madhe, betejën e Reformës në Drejtësi. 

Në qershor çfarë ndodh?
Qëndrimi i LSI-së ka qenë një çështje që na intereson si parti politike. Rama na ka pozicionuar në drejtime të tjera në politikën e jashtme, shpresoj të mos kemi pasoja. Ne na është premtuar se negociatat do të hapen me fillimin e qershorit, kjo gjë u tha nga ndërkombëtarët pas miratimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota. Kjo na u tha, votoni këtë të hapen negociatat. Por nga BE-ja dhe SHBA nuk kërkohet që të shkelet Kushtetuta. Kushtetutën e kanë shkelur diktatorët. Dhe parlamenti i 18 dhjetorit ishte një nga skenat më të turpshme, prandaj për mua reforma në drejtësi ka rënë qëkur shkoi Arta Marku në zyrën e Kryeprokurorit dhe me skandalin e ekstradimit të financierit të Habilajve, ky është skandal i madh. Ne kemi një ministre Drejtësie që është më shumë një zëdhënëse shtypi e Edi Ramës, ajo ka një të kaluar aspak të mirë, burri saj është pushuar nga Drejtoria e Tatimeve për vjedhje. Normal sjellja e saj kaq arbitrare me ekstradimin, nuk e dija dhe pastaj është më mirë të esktradohet te drejtësia italiane, tregon se është e kapur shërbimi më flagrant që mund t'i bëhet grupit të Habilajve dhe shpëtimit të Saimir Tahirit. Ne zhdukim provat për personat që kërkon drejtësia italiane, kjo ka ndodhur në shumë raste. Ministria e Drejtësisë kur erdhi në parlament u votua nga LSI-ja dhe jo deputetët socialist. Ambasadorët e kanë një thikë ambasadorët, e kemi dëgjuar se me çfarë merren.

Me çfarë merren?
Ata merren me punët e shtetit të tyre nuk u intereson nëse shqiptarët kanë bukë ose jo. A e përfaqëson ambasadori i SHBA shtetin tonë para shtetit të vetë. Njerëzit kanë filluar të kthehen të falen para kriminelëve. Një pyetje kam unë! Pse nuk u bë Vettingu për vetë kryeprokuroren? Kjo tregon se sa e duanë drejtësinë në të vërtetë. Reformën në drejtësi me këtë që ka ndodhur nuk ta beson askush.

Ju thoni se janë në një kazan edhe bizneset e huaja edhe reforma në drejtësi?
Norma, ai ka puinët e veta. Do mbarojë punët e tij dhe do ikë në vendine  tij. Unë dhe ti do rrimë këtu. Edhe Edi Rama do ikë, unë dhe ti do rrimë këtu. Po rregullon investime, ekspozita, fashion, gjërat e veta. Të mos ia qajmë hallin. Unë do rri këtu, s'kam ndërmend të iki se po të doja kisha ikur. Ti do rrish këtu, kameramanët, montazhierët që janë këtu, do rrinë këtu. Problemi është ky vend do bjerë në dorë të krimit të organizuar? 

Ju thoni se Rama por kërkon gjueti shtrigash?
Po fillon një lojë që do bjeri vetë.

Po ministrat e LSI-së?
Po të kishin bërë diçka ministrat e LSI-së nuk do ishin lënë rehat nga Edi Rama por do ishin dënuar. Keni parë ndonjë njeri që të kënaqet me shumë gjera, kështu është edhe Edi Rama, ai u ka vendosur TVSH-në të gjitha bizneseve të vogla që të shkojnë te Saimir Mane. Kjo që ndodhi me armon nuk është normale futi Beson e Taivanit i cili nuk paguan punëtorët, Edi Rama e lejojë këtë gjë. Edi Ramaka dënuar njerëzit që nuk kanë lëshuar kuponin tatimor për një fletë të vetme formati, ndërsa Ky lejon shkelje që janë skandale si ajo e ARMO-s. Çfarë po bënë Edi Rama me stadiumin, ka punësuar të gjithë njerëzit e vetë kur nuk është dakord me ndonjë biznes i çon Hetimin Tatimor për ta gjobitur.

VIDEOEmisioni "5 Pyetjet nga Babaramo", e ftuar në studio Monika Kryemadhi, pjesa e dytë

Redaksia Online
L.Q/Xh.F/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë