TIRANE-Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se gjatë kohës që ishte dezhurn te Teatri Kombëtar, bashkia e Tiranës kishin në plan për të ndërhyrë në mesnatë, por shtoi se fakti që ajo dhe protestuesit qëndruan sy hapur u dështoi planin punonjësve të bashkisë. Kryemadhi tha se punonjësit e bashkisë qëndronin cepave të rrugëve. 

'Planet e ndërhyrjes së djeshme në orët e para të mëngjesit nuk u realizuan dot, më vjen keq për ata punonjës të bashkisë që e kaluan natën në zyrat e bashkisë apo cepat e rrugëve apo zyrat e ndërmarrjeve duke pritur momentin për të hyrë. Por kjo qëndresë është më e pakta për të ndenjur sy hapur. Kjo godinë do të rezistojë përballë kufomave politike si ajo e Edi Ramës. Kjo qëndresë do të vijojë. Askujt nuk do i shkojë në mendja si skutha që të bëjnë gjëra të fshehta si vendimin e paligjshëm që e firmosën duke falsifikuar një mbledhje që nuk ka ndodhur.

Përsëri sikur ndenjën sy hapur këto dy net duke i zgjatur jetën këtij teatri edhe dy net të tjera, mendoj edhe SPAK-u edhe drejtësia ti mbajë sytë hapur dhe të vendosë përballë përgjegjësisë ata njerëz dhe të zgjidhet ky ngërç. Pandemia dhe kriza që ka krijuar Edi Rama ka rrënuar ekonominë. Ne ishim një grup modest që qëndruam gjithë natën, ishte një gjendje e qetë, nuk patëm asnjë problem, por sigurisht kjo do të vijojë" tha ajo.

E pyetur në kishte pasur tentativa konkrete për të ndërhyrë, Kryemadhi tha se "Jo nuk kanë tentuar kanë pasur besim se mund të largoheshim nga oborri i teatrit, punonjësit e bashkisë kanë qenë në gatishmëri të plotë. Ne kemi parë sepse lëviznim rreth sheshit, hyrjet dhe daljet në godinën e bashkisë së Tiranës, kryesisht nga ato që njohim edhe ne punonjës të ndërmarrjes dhe rreth orës 04:30-05:00 që e kuptuan se asnjëri nga ne nuk do të largoheshim dhe u larguan. Nuk do të jemi vetëm ne dhe PD-ja, por të gjitha faktorët këtu, edhe nga shoqëria civile qëndruan këtu, kishte edhe artistë. Kjo do të jetë e organizuar. Nuk kam autoritetin të flas në emër të tyre, Aleanca ka grupin e vet.

Por kush do të rrijë sonte te Teatri dhe si do të vijojë dezhurni? "Mbledhja bëhet diku rreth orës 10:00, për LSI-në është Kejdi Mehmetaj që e ka ndjekur. Ajo ka qenë përfaqësuese dhe komunikon me Brahimllarin, që kanë pjesën e tyre dhe do të shikojmë kush do të jetë, por do të vij edhe vetë në darkë, nuk do të jem gjithë natën, nuk jam përgjegjëse e turnit, por të gjithë jemi në gatishmëri me telefona te koka për cdo lajthitje të momentit" tha ajo.

Në fund, Kryemadhi tha se protesta e Astirit nuk dështoi. "Kauza e Unazës së Re nuk dështoi, bashkia e Tiranës dhe ARRSH njollosën me kryqin nazist 960 godina dhe sot janë prishur vetëm 16, të cilat kanë marrë dëmshpërblimin dhe disa të pjesshme që kanë të bëjnë me zgjerimin e rrugës. Pjesa më e madhe mori kompensimin, disa që kanë qenë të pa legalizuara janë në proces gjyqësor, janë në radhë të gjatë. Faza e parë e protestës te Unaza e re e arriti qëllimit për të ndaluar devijimin e lumit dhe zgjerimit".