Për herë të parë, Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh jo me me deputetë, por me qytetarë të thjeshtë siç tha kryetarja Monika Kryemadhi, tashmë që opozita ka djegur mandatet e deputetëve.

"Konventa kombëtare e LSI-së, mblidhet për herë të parë si shqiptarë të thjeshtë, pa mandat deputeti. LSI-në nuk e bëjnë njerëzit, e bën shpirti, dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin", tha Kryemadhi.

Nuk i munguan edhe batutat me atë që kryeministri Edi Rama e quan, doktoreshë shkencash dhe fallxhore. Fallxhore, pasi sipas kreut të qeverisë, ishte pikërisht Kryemadhi që duke thënë se ka lexuar filxhanin që një E bie (për Edi Ramën) dhe një L ngrihet (për Lulzim Bashën) e çoi opozitën në situatën e sotme jashtë Kuvendit dhe jashtë zgjedhjeve, në rrugë në protesta antiqeveritare.

"LSI është si doktori që do të shërojë të sëmurin e përhershëm, për të shëruar sëmundjen kronike që Shqipëria ka 30 vjet në tranzicion që e kalon, edhe si doktoreshë edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë, të ndritur të begatë, pa Edi Ramën kryeministër", tha Kryemadhi në fjalën e saj në Konventën Kombëtare të LSI-së.

“Jo t’i presim thonjtë, por t’i presim dorën oligarkëve të këtij krimi që ka futur dorën në xhepin e shqiptarëve. Ne duhet të ngremë një sistem që të presë cdo dorë që do të dojë ta bëjë këtë. Kjo bëhet edhe me vullnet politik, por tani duhet me ligje, e shkruar e zeza në të bardhë”, vijoi më tej Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se e ashtuquajtura reforma në drejtësi sipas saj, është deformuar me qëllim nga një plan mafioz për të lënë drejtësinë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

"Me qëllim kemi mbetur pa gjykata, të Lartë dhe Kushtetuese, që ligji për kadastrat mos të ketë ku të paditet, por të grabiten pronat e shqiptarëve. Që teatri të shkatërrohet dhe të vidhet prona publike. e shumë ligje të tjera që kanë kaluar", tha ndër të tjera Kryemadhi.

Teksa pranoi që salla e saj kishte më pak njerëz se herët e tjera, Kryemadhi shtriu dorën drejt anëtarësisë socialiste. Petrit Vasili u bë sërish nënkryetar partie, ndërsa Kryemadhi njoftoi vijimin e protestave, dhe takimi i radhës është pasditja e 11 majit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:48
Kryemadhi: Po na pëlqen më shumë sulmi ndaj institucioneve dhe bllokimi i rrugëve

LSI mblodhi sot Konventën Kombëtare dhe prezantoi programin qeverisës, duke thënë se largimi i Ramës është afër. Kryemadhi tha se karriget e sallës së saj ishin më të zbrazëta, ndaj ftoi socialistët e pakënaqur që t’i bashkohen.

"Kjo konventë është shumë e rëndësishme, por në fakt kohët e fundit ka filluar të na pëlqejë më shumë sulmi ndaj institucioneve dhe bllokimi i rrugëve", u shpreh kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Ora 13:05
Kryemadhi (për Ramën): Bisha e plagosur kërcënon shqiptarët me Kod Penal, por ne do ta rrëzojmë

Duke këmbëngulur se nuk do të ketë zgjedhje farsë, siç ajo i quan ato të mbajtura me kryeministrin Edi Rama më 30 qershor 2019, Monika Kryemadhi u shpreh gjatë fjalës së saj në Konventën Kombëtare të LSI-së se zgjedhje nuk do të ketë dhe se LSI do të bëjë çmos për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përmendi edhe ndryshimet e fundit që mazhoranca ka propozuar për Kodin Penal, duke thënë se është një kërcënim me burg që i bëhet shqiptarëve, në kushtet ku sipas saj, kryeministri po ndihet i frikësuar.

"Zgjedhje nuk ka për të pasur as në ëndërr, as në makthin e tij. Bisha e plagosur në thagmat e fundit të saj bëhet më e tërbuar, kërcënojnë shqiptarët me kod penal, do të thotë që frika i ka përpirë dhe helmi që kanë futur në trupin e insektit të tyre do t'i tresë. Prandaj të gjithë së bashku duhet të punojmë për ta rrëzuar këtë regjim për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve", theksoi Kryemadhi.

Ora 12:53
Kryemadhi: Ramës do t'i përgjigjemi si Dritëro Agolli me vargjet e 'Vagabondit'

Duke cituar disa vargje të poezisë "Vagabondi" të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, është shprehur se për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama do të përdoret çdo mjet, ku siç paralajmërojnë edhe vargjet e Dritëroit, përgjigjja ndaj vagabondëve, është t'i rrahësh.

"Dritëro Agolli ka shkruar një poezi vagabondët për dy vagabondë që rrahën një grua, mbasi e shpjegon, e mbyll poezinë me dy vargje:

Unë u rraha me ta dhe u grisa në gjoks e krah

si mund të rrija në paqe, poeti duhet të dijë të rrah

 dhe jo vetëm të thurë vargje...

E pra ne do të dimë si të sillemi me këta vagabondë që rrahin dhe shtypin shqiptarët. Jeta e shqiptarëve është çdo minutë për të qenë jetë, frymë, dhe garanci për fëmijët e shqiptarëve. Prandaj vagabondëve do t'i përgjigjemi me të gjitha mënyrat, si nëna mbron fëmijët, si burrat strehëzat, prandaj nuk do ndalemi në asnjë moment. LSI-ja duhet të mbajë këmbën vetëm në gaz për shkatërrimin e krimit të organizuar. Ne do të vendosim rendin kushtetues. Në Shqipëri do apo nuk do ai do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët. Koha e tij dhe e etërve të tij ka mbaruar", tha Kryemadhi.

Ora 12:52
Kryemadhi i' qan hallin' socialistëve: Ishte trishtim i madh për mua...

Në fjalën e saj në Konventën kombëtare të LSI-së, Monika Kryemadhi solli në vëmendjen edhe Samitin e Berlinit ku kryeministri Edi Rama ishte i ftuar. Sipas saj Rama duhet të kishte me vete në krah figura nga Partia Socialiste, duke i bërë një ftesë këtu deputetëve të partisë ku vetë Kryemadhi ka qenë anëtare në themelimin e saj.

"Sa më parë të shembet ky regjim aq më shumë shanse do të kenë shqiptarët për një integrim evropian. Falë këtij regjimi humbën sërish shansin për hapjen e negociatave, po rrezikojmë edhe rikthimin e regjimit të vizave. Mori në qafë edhe vëllezërit tanë kosovarë. Krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen tonë. Ramës i mjaftojnë vetëm këto, nuk i hyn më në punë as PS.

Ishte trishtim i madh për mua si një ish-anëtare e PS që në nëntor të vitit 1991 dhe jo vetëm për mua por dhe shumë socialistë të tjerë që të shikoja Kryeministrin e vendit tim në një samit të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, siç ishte Samiti i Berlinit. Dhe të shihja që në krah të Kryeministrit të v endit tim nuk kishte njerëz me reputacion, serioz dhe me eksperiencë qoftë edhe të PS. Shqipëria jonë vërtet është e varfër por njerëzit nuk i kanë munguar  asnjëherë asaj. Aq më shumë PS. Partia Socialistë meriton shumë më shumë se butaforitë primitive, egocentrizmin e një Kryeministri dhe Kryetari partie në ikje. I cili nuk prodhon gjë tjetër  veçse trishtim dhe dëshpërim për shqiptarët. Më lejoni të ftoj të gjithë ata socialistë të tradhtuar, nga idealet e tyre dhe programi i social demokracisë, të cilin Rilindja e ktheu në grabitje të biznese dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, ku solidaritetin dhe barazinë njerëzore e ktheu në një gjenocid të heshtur për rininë shqiptare, t’i ftojmë dhe të hapim dyert për të gjithë ata socialistë të cilët janë të drobitur nga shfrytëzimi i pamëshirshëm i sektit të Rilindjes. Dhe ne do të luftojmë së bashku, të gjithë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, -tha Kryemadhi.

Kryemadhi sulmoi kryeministrin Rama jo vetëm për mënyrën si ka qeverisur Shqipërinë por edhe për qëndrimin ndaj Kosovës.

“Pikërisht se trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me oturakun e qarqeve antishqiptare. Pikërisht sepse dhe në politikë dhe në diplomaci flasin me gjuhën e PPP-ve, guxuan deri aty sa të hedhin në treg për turpin e tyre dhe ndarjen e Kosovës. Aq sa u desh një Samit i madh evropian për ti thënë një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare".