Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje për pjesëmarrjë në protestën që opozita ka organizuar për të hënën e 8 korrikut. Kryemadhi thotë se kjo betejë nuk ka për qëllim vetëm zgjidhjen e krizës së momentit por t'i japë fund kalvarit 30-vjeçar të tranzicionit.

Sipas Kryemadhit, shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popllit që buron nga zgjedhje të lira.

"Jemi në këtë betejë jo vetëm për zgjidhjen e krizës së momentit, por për t’i dhënë fund kalvarit 30 vjeçar të tranzicionit.

Edi Rama e ka ngritur pushtetin mbi shkatërrimin e institucioneve dhe kapjen e tyre. Më 30 qershor Shqiptarët refuzuan autokracinë, pushtetin e krimit të organizuar, shtetin e grabitjes së taksave të shqiptarëve dhe votimet fake të partisë-shtet.

Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që buron nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Atdhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet.

Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin.
Më 8 Korrik të gjithë bashkë për një Shqipëri Evropiane. Asnjë hap pas!",
thotë Kryemadhi.

Më vonë Kryemadhi ka shpërndarë një foto nga zyra e saj ku njofton se vijon takimet dhe komunikimet me strukturat e LSI-së për për pjesëmarrje në protestë.

Sot, të shtunën në zyrë duke komunikuar me të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. E jashtëzakonshme fryma e qëndresës ndaj sistemit autokrat dhe qeverisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Entuziazëm në çdo familje shqiptare për ndryshimin e këtij sistemi të kalbur. Ftoni familjarët, miqtë, shokët, të bëhemi të gjithë bashkë më 8 korrik. Gjatë pasdites vazhdojmë me takime në Tiranë", shkruan Kryemadhi.

Monika Kryemadhi