Për kryetaren e LSI jo vetëm në Vlorë por në të gjithë Shqipërinë shqiptarët janë më të varfër se ç’kanë qenë 4 vite më parë. Gjatë një takimi të zhvilluar me të rinj dhe të reja në Vlorë  Monika Kryemadhi tha se shqiptarët paguajnë më shumë taksa se ç’paguanin 4 vite më parë.

"Mundësia e punësimit për të rinjtë dhe për të rejat çdo ditë dhe më shumë tkurret kur ndërkohë secili prej atyre që ka arritur diçka me forcën e vetë kërkon të largohet nga Shqipëria sepse hapësirat janë të  pamundura. Sot në Vlorë jam e bindur që është shumë e vështirtë për të gjetur mjekë dhe infermierë sepse të gjithë po ikin drejt Gjermanisë. Ndërkohë që dëgjojmë vetëm batuta dhe barcaleta kur nuk ka një program, nuk ka një vizion, nuk ka një ide, nuk konkurrojnë dot  me programin, nuk konkurrojnë dot me ide", tha ajo.

Duke folur për programin e LSI, Kryemadhi nënvizoi se pika më e fortë është se LSI e mban fjalën.

"Ne duam të krijojmë një klasë të re politike me vlonjate dhe vlonjate, me të rinj dhe të reja të cilët jo vetëm të rriten politikisht por dhe profesionalisht. Boll më drejtohet Vlora me bej e me agallarë. Iku koha e feudalizmit. Nuk ka më nevojë Vlora për feudalë. Vlora sot është e vlonjateve, është e të rinjve dhe të rejave dhe Vlora sot me vizionin tuaj do të ecë përpara", tha Kryemadhi ndër të tjera.

Në Vlorë LSI-në e drejton zv. kryetari i kësaj force politike, Luan Rama.