Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka njoftuar nisjen e kampingut të organizuar këtë vit në Jalë nga të rinjtë e LRI-së. Megjithëse janë shumë herë më pak në krahasim me vitet e kaluara, kjo vihet re edhe nga postimet e kursyera në rrjetet sociale, Kryemadhin duket se nuk e “tremb” tkurrja e numrave të të rinjve që pritet të jenë e ardhmja e LSI-së. Në një postim në Facebook, Kryemadhi "thumbon" socialistët se kanë tentuar të huazojnë traditën e LRI-së.

Marrë shkas nga organizimi i pak ditëve më parë i të rinjve të FRESSH në Jalë, Kryemadhi thotë se forumet e tjera nuk arrijnë dot të kopjojnë aksionin e LRI-së, ku sipas saj, debatet dhe diskutimet nuk reshtin as në drekë e as në mbrëmje.

Reagimi i Kryemadhit në Facebook:

 Ka nisur sot kampingu politik i të rinjve të LSI-së, një traditë e bukur e huazuar dhe nga forumet e tjera të ngjashme, të cilat megjithatë nuk kanë mundur të “kopjojnë” dot aksionin dhe motivimin tonë, ku debatet dhe diskutimet nuk rreshtin as në orët e nxehta të ditës dhe as në ato të mbrëmjes.

Këto janë ditët kur të rinjtë mësojnë vlerat e politikës, por jo vetëm. Janë ditët kur ata “stërviten” për të qenë mbi të gjitha njerëz të mirë dhe qytetarë të ndershëm.